Rruga drejt Parisit, me plot dilema

Nga Beogradi dhe nga Prishtina zyrtare, politikanët kanë vijuar të derdhin më shumë mjegull rreth asaj se çfarë i pret dy vendet në Samitin e Parisit. Hapa prapa nuk do të ketë. Kështu të paktën po thonë ekspertët vendorë, por edhe ndërkombëtarë. Po sipas këtyre të fundit, është pak e besueshme që do të arrihet një  marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare. Sigurisht, Gjermania, Franca dhe vet BE, do të insistojnë në rikuperimin e raporteve, veçmas rinisjes së procesit të dialogut – shkruan Gazeta e Re.

 Bodo Weber, ekspert gjerman i politikave për demokratizim dhe zhvillim, që për fokus kanë rajonin e Ballkanit, i ka hedhur poshtë spekulimet rreth anulimit të Samitit të Parisit. Sipas tij, ky takim do të ndodhë patjetër. Në një intervistë për Gazeta Express ai ndër të tjera ka thënë që për këtë po insistojnë Angela Merkel dhe Emanuel Macron.

<<Merkel dhe Makron definitivisht nuk kanë hequr dorë nga Samiti i Parisit. Janë duke u zhvilluar bisedime për shtyrjen e Samitit për në fund të verës, por nga ajo që kam dëgjuar së fundmi, duket që Berlini dhe Parisi janë pajtuar që të mbetet data e caktuar e Samitit në korrik. Derisa nuk është e parëndësishme që të kemi shefat e rinj të institucioneve të BE-së në Bruksel, iniciativa franko-gjermane nuk do të presë dhe nuk duhet të presë derisa Komisioni i ri Evropian të fillojë punën>> – ka sqaruar Weber.

Për më shumë, sipas organizatës që ai e drejton, është konstatuar se <<përgjatë kësaj përvoje dhjetëvjeçare me institucionet e BE-së dhe politikën e zgjerimit, se nëse BE-ja ua lë institucioneve të Brukselit një iniciativë politike, janë krijuar telashe. Frederika Mogherini dhe ekipi i saj i cili ua ka rrëmbyer institucioneve të tjera të BE-së negociatat për dialog në dy vitet e fundit, përfshirë qeveritë e shteteve anëtare, ka qenë mbase shembulli më ekstrem i kësaj udhëheqje. Prandaj është e rëndësisë së madhe që dy nga shtetet anëtare me më ndikim e kanë marrë një nismë për t’i kthyer nën kontroll procesin e negociatave si dhe në binarë drejt negociatave serioze për arritjen e një marrëveshje vërtet gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë të raporteve Kosovë – Serbi. Ky është një proces që nuk duhet dhe nuk mund të presë derisa presidenti i Komisionit Evropian dhe përfaqësuesit e lartë të marrin zyrtarisht detyrën.>>

Një ish zëdhënës i NATO-s, nuk e ka përjashtuar arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare. Jamie Shea, po për Express ka thënë se kjo gjë është e mundur, por kjo çështje “kërkon angazhim të vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara dhe të evropianëve për t’i shtyrë Prishtinën e Beogradin drejt një marrëveshjeje. Shpresoj se shoqëria civile si në Serbi ashtu edhe në Kosovë do t’i tejkalojnë ndarjet dhe do të punojnë për mirëkuptim më të madh dhe për pajtim. Të kuptuarit e historisë në mënyrë objektive është po ashtu kruciale. Kur po lexoja mediat e Serbisë në 20-vjetorin e fushatës ajrore të NATO-s , u trondita nga sensi i viktimizimit dhe përjashtimi i çfarëdo përgjegjësie për atë që ndodhi në Kosovë më 1998-1999. 20-vjetori duhet të jetë një mundësi për të shikuar kah e ardhmja e jo kah e kaluara. Është e qartë që mbi të gjitha nevojitet një marrëveshje në mes të Prishtinës e Beogradit që duhet patjetër të përfshijë njohjen e Kosovës si shtet i pavarur. Kjo duhet të jetë element i domosdoshëm i perspektivës evropiane për Kosovën dhe Serbinë, që njëherësh nxit integrimin Euro-Atlantik të të gjithë Ballkanit Perëndimor.>>

Analistët vendorë, ndërkaq kanë vënë në dukje një tjetër fakt: taksën! Ajo është kthyer në një pikë-mburojë për qeverinë e Kosovës, ndërsa mund të shfrytëzohet si një kartë në “tryezën” e Parisit. Beogradi zyrtar, siç dihet, tash e sa kohë ka kërkuar shfuqizimin e saj pa asnjë kusht, ndërsa ka kërcënuar vazhdimisht që procesi i bisedimeve nuk mund të vazhdojë pa heqjen e saj. Ndërsa kreu i Qeverisë së Kosovës – Ramush Haradinaj, nuk ka lëvizur nga pozicioni i tij, duke mos pranuar as edhe një kompromis (të paktën deri më tani). Pikërisht ky qëndrim stoik, sipas analistit Albinot Maloku, ka bërë që Merkel ta marrë me më seriozitet atë se sa vet Presidentin Thaçi. Rruga drejt Parisit është e mbushur me dilema, por pjesa më e madhe e opinionit publik në Beograd e Prishtinë, nuk beson shumë në një “mrekulli”. Kosova dhe Serbia, sipas tyre, janë ende larg njëra tjetrës me qëndrime, e për rrjedhojë, edhe marrëveshja e përgjithshme përfundimtare ndërmjet tyre. /Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet