Rrmoku: Infermieria emergjente është lloji më i vështirë i punës që mund të ofrohet si infermier!

Besnik Rrmoku shërben si infermier në Klinikën Emergjente në Prishtinë, që nga shkurti i vitit 2003. Atëbotë u punësua, ndërsa përgatitja e tij profesionale ishte e nivelit të mesëm shkollor. Mirëpo, ai ka vijuar t’i zgjerojë njohuritë, duke u graduar si bachelor i infermierisë, ani që vet shërbimi në këtë klinikë, i ngjanë një specializimi të vazhdueshëm në këtë profesion.

Pikërisht për shkak të përgatitjes së tij profesionale, i është besuar detyra e Kryetarit të Këshillit Etik në kuadër të Odës së Infermierëve të Kosovës, tash e dy mandate (saktësisht që nga shkurti i vitit 2015).

Në këtë intervistë për Gazeta e Re, Rrmoku ka folur për detyrat e përgjegjësitë, por edhe ndjesitë që t’i falë shërbimi në fjalë. Ai është i sigurt që infermieria është në rrugën e duhur për t’u forcuar profesionalisht, por është i vetëdijshëm që duhet bërë më shumë në këtë drejtim.

GER: Z. Rrmoku, a perceptohet roli i infermierit si më pak i rëndësishëm, se sa ai i mjekut?

Sikur është etabluar një gjë e tillë në vetëdijen e qytetarëve? Pse?

B.Rrmoku: Po, është e vërtetë. Por, një perceptim i tillë nuk është ndërtuar nga ne. Një gjë e tillë e ka zanafillën në vet lindjen e infermierisë si profesion. Ne e dimë që, që në krye të herës, ky profesion s’ishte veçse sinonim i kujdesit të nënës ndaj fëmijës së vet; pastaj kujdesi i gruas ndaj anëtarëve të familjes; e tek më vonë, edhe kujdesi i saj ndaj pacientëve të tjerë jashtë familjes. Prandaj, si shërbim, përherë është parë nga të tjerët si një nevojë e përditshme e njerëzimit. Diçka që e ka karakterizuar deri tani profesionin në fjalë është që, ai i është veshur ekskluzivisht vetëm gruas. Me kalimin e kohës, dhe me zhvillimin e shkencës së infermierisë, megjithatë, perceptimi i gabuar mbi profesionin në fjalë, ka filluar të zbehet. Tashmë kudo në botë ajo shihet si një shkencë paralele me mjekësinë, ndonëse që të dyja merren me mirëqenien fizike dhe shpirtërore të individit. Fatkeqësisht, te në Kosovë, ende mbizotërojnë disa keqkuptime që origjinën e kanë te perceptimi i etabluar dhe i gabuar mbi infermierinë, pa çka që tashmë kemi edhe doktor shkence në këtë fushë.

GER: Ju vet, ka vite që shërbeni si infermier në Klinikën Emergjente, ç’ka mund të na thuash më konkretisht rreth kësaj?

B.Rrmoku: Mendoj që infermieria emergjente është lloji më i vështirë i punës që mund të ofrohet si infermier. Të punosh në klinikën emergjente, nevojitet një përgatitje e madhe fizike, psikike dhe profesionale. Të punosh si infermier emergjent, duhet të kesh disa veti siç janë:

  1. vendimi i shpejtë;
  2. veprimi deciziv, dhe;
  3. stomaku i fortë.

I them këto sepse në emergjencë mund të përballesh me trauma të cilat mund të jenë të frikshme, të dhimbshme, por edhe të neveritshme. Element tjetër i domosdoshëm është edhe komunikimi. Cilësia e komunikimit definohet  si një nga pesë aftësitë e nevojshme  për një proces të suksesshëm. Pastaj, të punosh në institucione shëndetësore nënkupton që patjetër që do të jeni në kontakt me anëtarët e familjeve të pacienteve që trajtohen. Shumë herë informatat e nevojshme që nuk mund të sigurohen nga pacienti, e që janë të domosdoshme për një trajtim më të mirë, duhet t’i marrim nga familjarët e pacientëve. Komunikimi ndërmjet infermierit dhe anëtarëve të familjes ndonjëherë mund të jetë jo edhe aq i lehtë, sepse shpesh përfshinë në vetvete disa biseda me disa anëtarë njëherësh.

Puna në Klinikën Emergjente përveç vështirësive ka edhe pjesën më të bukur të saj, rezultatin. Për dallim nga klinikat tjera, emergjenca e ka këtë veçori që rezultatin e punës  e sheh menjëherë, dhe kjo është ajo që na bënë të ndjehemi të lumtur.

GER: A është e mbingarkuar me pacientë Klinika Emergjente?

B.Rrmoku: Klinika Emergjente është shumë e ngarkuar. Nëse e marrim parasysh që gjatë 24 orëve trajtohen mbi 300 raste, mund të konsiderojmë që puna në këtë klinikë është e rëndë, meqë ajo është e stër-ngarkuar me pacientë. Nevoja për një protokoll të referimit, për zgjedhjen e këtij problemi, është i domosdoshëm.

GER: A mund të llogariteni ju, nëse mund ta përdorë këtë term: si vija e parë e frontit, e “ushtrisë” së shëndetësisë?

B.Rrmoku: Absolutisht po. Ne jemi si ushtarët e vijës së parë të frontit, ushtarë të cilët nuk kanë njohuri se me ç’lloj arme po i sfidon armiku. Ne ballafaqohemi me të gjitha llojet e diagnozave duke përfshirë ato infektive, psikiatrike, pediatrike, traumatike etj.

GER: Ju jeni edhe Kryetar i Këshillit Etik i Odës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësor, në nivel të Kosovës, ç’punë kryen ky organ?

B.Rrmoku: Me miratimin e ligjit për Odat e Profesionistëve Shëndetësor nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, profesionistët shëndetësorë (infermierët), kanë fituar të drejtën e vetorganizimit, vet-rregullimit dhe te vet-qeverisjes së pjesës profesionale infermierore. OIK-u u themelua me 23 janar 2015. Qëllimi i saj është avancimi, mbrojtja dhe përfaqësimi i interesave profesionale të infermierëve.  Një tjetër detyrë është edhe mbrojtja e mbikëqyrja e Kodit Etik dhe deontologjisë profesionale. E tëra arrihet nëpërmjet disa instrumenteve, të cilat e kanë për detyrë të merren me mbikëqyrjen e çështjeve etike. Shkalla e parë e cila merret me çështje etike është vet Këshilli Etik, në kuadër të të cilit jam zgjedhur Kryetar nga anëtarët e Kuvendit të Odës. Konkretisht, në shkurt të vitit 2017 ka ndodhur bartja e kompetencave të plota nga Ministria e Shëndetësisë tek Këshilli Etik.

Ky këshill është  përgjegjës që të shqyrtojë ankesat e qytetarëve lidhur me veprimet e infermierëve kudo që ata ushtrojnë veprimtarinë e tyre. Këshilli Etik  përcakton   përgjegjësinë e profesionistëve shëndetësorë në raport me dispozitat ligjore, ndërsa trajtohen nga kjo perspektivë për shkeljet e mundshme gjatë ushtrimit të profesionit. Pra ato shihen në kuadër të Statutit të Odës, Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore, dhe varësisht nga pesha e shkeljeve të konstatuara, shqiptohen edhe masat disiplinore. Ne duhet të sigurohemi se zbatimi i Kodit Etik bëhet nga ana e të gjithë infermierëve, pa marrë parasysh vendin ku ushtrohet veprimtaria e tyre.

GER: A ka ndikuar puna e odës në përmirësimin e imazhit për sistemin shëndetësor?

B.Rrmoku: Mendoj që OIK ka ndikuar shumë në përmirësimin e imazhit në sistemin shëndetësor, respektivisht imazhit të infermierëve, meqenëse është ende herët që të kemi rezultate të dukshme. Tashmë infermierët kanë një adresë ku mund t’i tregojnë aftësitë e tyre profesionale. Oda, njëherësh, shërben edhe si referencë për edukim të vazhdueshëm profesional.

GER: Krejt për fund, a mund të themi se profesionalizmi i këtij shërbimi, është në nivel të kënaqshëm?

B.Rrmoku: Profesionalizmi infermieror lirisht mund të them që është i kënaqshëm por jo i mjaftueshëm. OIK deri me tani ka qenë në fazën konstituive, i ngarkuar me detyra të thjeshta rreth licencimit dhe rilicencimit të anëtarëve të saj. Ndërsa, s’ka pak kohë që ka arritur ta zgjerojë objektivin. Momenti është që të merremi më shumë me mirëqenien profesionale të infermierve./Gazetaere.com/

Kategoritë
INTERVISTALajmeLajmet Kryesore

Të ngjajshmet