Rritja e buxhetit në 3 miliardë € e mundur, Dogana e siguron rreth gjysmën e tij

Formimi i Qeverisë Kurti, siç duket do të sjellë ndryshime sa i përket buxhetit të shtetit.

Në ekspozenë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka premtuar se rritja të buxhetit për vitin 2020 do të jetë 3 miliardë euro.

Të hyrat e shtetit do të varen shumë edhe nga Dogana e Kosovës, ku drejtori i saj, Bahri Berisha në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se këtë vit synojnë t’i mbledhin më shumë se vitin e kaluar, ku të hyrat ishin 1.2 miliard euro.

“Dua të bazohem vetëm në të dhënat e Doganës dhe në bazë të të hyrave që kanë qenë vitin e kaluar, sepse kur të bëhet projeksioni i një viti, zakonisht merret parasysh të dhënat historike, rritja ekonomike dhe faktorë të tjerë”.

“Ne në vitin e kaluar grumbulluam afro 1.2 miliard euro në import dhe bazuar në trendin që po shkon në rritje ekonomike dhe investimet kapitale të cilat mund të ndodhin nga sektori publik, investimet e huaja, ne presim që si Doganë këtë vit t’i mbledhim më shumë se 1.2 miliard euro. Sigurisht se do të jemi mbi rritjen ekonomike të vitit 2020 dhe kjo tregon se Dogana afro 5 për qind pritet të mbledh të hyra më shumë se vitin 2019”, ka thënë Berisha për EO.

Se rritja e buxhetit mund të ndodhë e thotë edhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu.

Ai ka thënë se me sundim të rendit dhe ligjit dhe në partneritet me sektorin privat është i realizueshëm kjo rritje.

“Ekzistojnë skpetik të ndryshëm që mendojnë se është një deklaratë populliste se sa reale. Por jam i bindur se nëqofëse do të kemi sundim të rendit dhe ligjit do të kemi partneritet të mirëfillt me sektorin privat. Do të kemi eleminim të dukuris kancerogjeni sic është korrupsioni dhe ekonomia e kriminalizuar”.

“Nëse 2018-2019 kemi arritur ti grumbullojmë 2 miliardë e 400 milionë euro cdo vitë, atëherë më këtë masë të sundimit të rendit dhe ligjit në luftë më korrupsionin. Kurti do t’i arrijë synimin e tij. Duhet angazhim i të gjithëve, Kosova ballafaqohet me sfida të ndryshme sa i përket ekonomisë, numëri i përbashkët i të gjitha problemeve, objektivi prej 3 miliardë buxhet bazohet në sundim të rendit dhe ligjit dhe në partneritet me sektorin privat është i realizueshëm dhe mund të realizohet”, ka thënë ai.

Ndërkaq kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka kërkuar sqarime se si është menduar rritja e buxhetit për këtë vit.

Ahmeti i tha Ekonomia Online se për të ndodhur kjo rritje janë dy mundësi, ajo e kreditimit dhe rritjes së ekonomisë.

“Varet prej nga vjen ajo rritje. Zakonisht rritja e buxhetit duhet ta përcjellë rritjen ekonomike që e ka një vend, ose duhet të kreditohesh, tjetër mundësi nuk ka. Pra nëse e marrim parasysh rritjen ekonomike afro 3, 4 për qind që e ka Kosova që duhet të rezultojë ne rritje të të hyrave tatimore, atëherë e sheh se gati nuk është e pamundur vetëm me rritje ekonomike, por nëse merr kredi sepse ka hapësirë për të marr kredi prej institucioneve financiare, atëherë ekziston mundësia. Pra duhet të na tregojnë a do ta bëjnë me rritje ekonomike apo do ta bëjnë me marrje të kredive nga institucionet financiare”, tha Ahmeti.

E nga Ministria e Financave kanë thënë se është finalizuar projekt-buxheti për vitin 2020, në vlerë prej 2 miliardë e 467 milionë euro, buxhet ky më i lartë se ai i vitit të kaluar.

Përkundër kësaj ky buxhet nuk parasheh që të realizohet përmes vendosjes së një tatimi të ri apo rritjes së tatimeve ekzistuese.

Kategoritë
EkonomiLajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet