“Rritet numri i vdekjeve të fëmijëve në kampet nën kontrollin e militantëve të YPG/PKK-së në Siri”

Kryetari i Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit (IRC), David Miliband, ka deklaruar se është rritur numri i vdekjeve të fëmijëve në kampet që janë nën kontrollin e YPG/PKK-së në rajonin Haseke të Sirisë.

Miliband thotë se që nga muaji mars, për shkak të pamjaftueshmërisë ushqimore dhe pneumonisë është dyfishuar numri i vdekjeve të fëmijëve nën moshën 5 vjeçare në kampin Al Hol, i cili ndodhet nën kontrollin e YPG/PKK-së ku mbahen militantët e DEASH-it dhe familjet e tyre në rajonin Haseke, pranë kufirit irakian, transmeton AA.

Në një konferencë për media në Selinë e Përgjithshme të OKB-së, Miliband tërhoqi vëmendjen mbi situatën humanitare në kampin Al Hol.

Miliband tha se shumica e më shumë se 70 mijë njerëzve që mbahen në kamp janë gra dhe fëmijë dhe se fëmijët janë ata që paguajnë në mënyrën më të rëndë kostot e krimeve të kryera nga familjet e tyre.

“Që nga muaji marsi, numri i vdekjeve tek fëmijët nën 5 vjeç është dyfishuar për shkak të pamjaftueshmërisë ushqimore dhe pneumonisë në kampin Al Hol. Që nga dhjetori i vitit të kaluar e deri në shtatorin e këtij viti kanë humbur jetën 319 fëmijë nën moshën 5 vjeçare”, tha ai.

OKB-ja dhe organizatat joqeveritare shpeshherë paralajmërojnë se situata humanitare në kampin Al Hol sa vjen e po përkeqësohet dhe kërkojnë qasje në qendrat e paraburgimit ku mbahen militantët e DEASH-it.

Sipas OKB-së, në kampin Al Hol, i cili ka një kapacitet për 10 mijë persona aktualisht ndodhen 73 mijë persona, nga të cilët 92 për qind e tyre janë gra dhe fëmijë ndërsa 15 për qind e tyre janë shtetas të huaj. Disa mijëra luftëtarë të huaj terroristë nga rreth 50 shtete po mbahen në këtë kamp.

Shumica e vendeve evropiane nuk mirëpresin rikthimin e luftëtarëve të huaj dhe familjeve të tyre që kanë ardhur nga Evropa, ndërsa organizata terroriste YPG/PKK, e cila përdor emrin SDG, kërcënon me lirimin e luftëtarëve të DEASH-it.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet