Rreziku nga ajri!

Kryeqyteti ynë sërish është në maje të listës së qyteteve me ajrin më të ndotur në botë. Vlerat e regjistruara së fundi, tregojnë se ndotja ka tejkaluar çdo parametër normal, për sa i përket nivelit të ndotjes – shkruan Gazeta e Re.

Sipas një raporti të ri të publikuar nga Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA), besohet se 430,000 vdekje të parakohshme në vit në Evropë, ndërlidhen me ndotjen e ajrit. Ky lloj i ndotjes (atmosferike), karakterizohet nga ndryshimi i nivelit të cilësisë së ajrit, ndryshim ky që është i mjaftueshëm për të dhënë efekte toksike apo ekotoksike. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), në vitin 2012, ndotjen e ajrit, e shihte si një ndër faktorët që shkaktoi afro 7 milionë vdekje.

Ndërgjegjësimi i vendeve të zhvilluara për sa i përket këtij rreziku, ende nuk i ka dhënë efektet e pritura, ani që qysh në vitin 1979 Kombet e Bashkuara (KB), e kanë vu në fuqi Konventën Ndërkombëtare Mbi Ndotjen e Ajrit në Distancë të Gjatë.

Në Kosovë, sipas matjeve të fundit, parametrat e fundit janë tejkaluar tashmë, disa herë, aq sa ta vendosë Kosovën në krye të listës së shteteve me ajrin më të ndotur në botë.

Në mesditë, sipas Ambasadës Amerikane në Prishtinë, niveli i ndotjes ka prekur shifrën 154, por mbrëmjeve ka shkuar mbi 200.

Duke e konsideruar si të jashtëzakonshme këtë nivel ndotjeje, Naser Ramadani, Drejtor i Institutit Kombëtar për Shëndetit Publik, këshilloi para pak netësh qytetarët që të “qëndrojnë brenda në shtëpi” dhe të mos i hapin dritaret për ajrosjen e dhomave. Pikërisht më 22 tetor të këtij viti, Instituti Kombëtar për Shëndetin Publik, pat propozuar ndërmarrjen e disa masave strategjike:

 

  1. Të implementohet Plani i Veprimit i nënshkruar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
  2. Implementimi i programeve kombëtare dhe projekteve të përbashkëta për fushën e aerondotjes.
  3. Inspektorati shëndetësor të kontrolloj raportimin ditor të sëmundjeve respiratore dhe kardiovaskulare nga të gjitha institucionet shëndetësore të kujdesit parësor, dytësor dhe tretësor (veçanërisht QKMF Prishtinë dhe Klinika Emergjente, SHSKUK).

 

Ndërmarrjen e masave specifike:

 

  1. Inspektoratet e mjedisit të bëjnë kontrollin rigoroz të filtrave të ajrit në termocentrale gjatë 24 orëve, kualitetit të karburanteve dhe konsumimit të lëndëve të ngurta djegëse që përdoren për ngrohje nga qytetarët.
  2. Shtimi i numrit të autobusëve me karburante ekologjike në transport publik.
  3. Të kufizohet ardhja e veturave nga periferia në kryeqytet.
  4. Urgjentisht të merren masa rigoroze të kontrollit teknik të veturave.
  5. Mirëmbajtja e rrugëve dhe menaxhimi i drejtë i mbeturinave të ngurta.
  6. Matja e përhershme e ndotjes së ajrit në pikat kyqe në Kosovë dhe paraqitja ditore e rezultateve online

 

Si dhe ndërmarrjen e disa masave individuale, sipas së cilave, personat më të ndjeshëm dhe që kanë probleme me sistemin respirator, të mos dalin shpesh në vendet ku ndotja e ajrit konsiderohet e lartë, e nëse kanë të domosdoshme, të përdorin maska të paktën. Të reduktohet pirja e duhanit. Të mos hapen dritaret mbrëmjeve, për t’u ajrosur dhomat etj.

Raportet e vjeshtës së kaluar si dhe janarit të vitit të sivjetmë, flasin për të njëjtat tejkalime normash. Sipas Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, përkatësisht sipas një analize të kësaj agjencie, në janar të këtij viti janë regjistruar 21 ditë me tejkalime të PM10, ku “vlera maksimale e regjistruar” ka shënuar 250.3 (AQI 148), me datë 29/01/2018.

Masa për ndalimin e përdorimit të thëngjillit, është një ndër hapat e vegjël që Ministria e Mjedisit e Kosovës i ka ndërmarr, në kuadër të përpjekjeve për mbrojtjen e ajrit nga ndotja. Kjo u bë e ditur nga vet Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Fatmir Matoshi, i cili raportoi së fundi para anëtarëve të  Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, ku ndër të tjera është shqyrtuar edhe gjendja e rëndë, për sa i përket kontaminimit të ajrit.

“Në kuadër të masave që po mundohemi me i aktivizuar si MMPH, ne i kemi propozuar qeverisë të ndërpres përdorimin e thëngjillit në institucione publike.  Qeveria ka pasur kërkesa shtesë, dhe ne i kemi ofruar ato. Andaj javën e kaluar, ne kemi marr vendim në bazë të propozimit tonë që të ndërpresim përdorimin e thëngjillit në institucione publike” – ka thënë ndër të tjera Matoshi. Gjithsesi këto masa nuk duken të mjaftueshme. Numri i lartë i sëmundjeve dhe vdekjeve, sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit, ndërlidhen me këtë faktor: ajrin e ndotur./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet