Rrezikohen të dhënat e përdoruesve, Google shuan rrjetin e tij shoqëror

Pas publikimit mbi rrjedhjen e të dhënave private në Google Plus nga gazeta Wall Street Journal, Google njoftoi se potencialisht janë rrezikuar të dhënat e rreth gjysmë milion përdoruesish të rrjetit shoqëror.

Në mars të këtij viti u zbulua problemi me të dhënat private të përdoruesve në rrjetin shoqëror Google Plus, por kompania, pavarësisht se ishte në dijeni, nuk deshi të zbulojë informacione lidhur me këtë rast.

Lëshimi i sigurisë në Google+ duket se ka ekzistuar që prej viti 2015 e deri në pranverën e këtij viti kur edhe u rikuperua.

Në mesin e të dhënave që kanë përfunduar te palët e treta janë emailat e përdoruesve, të dhënat mbi profesionin, gjininë dhe moshën.

Google+ u lansua në vitin 2011 me qëllim që të jetë konkurrent kryesor i Facebook, por brenda një kohe të shkurtër doli të jetë projekt i dështuar, transmeton KosovaPress.

Pas shumë vite të spekulimeve për shuarjen e tij, Google njoftoi se do të shuajë rrjetin e tij shoqëror, përkatësisht do ta mbyllë për persona privat dhe Google+ do të mbetet në funksion vetëm për afaristë.

Kategoritë
Të ndryshmeTeknologji

Të ngjajshmet