Rrahman Paçarizi: Demarkacioni është tregues i papjekurisë së klasës politike në Kosovë

Publicisti dhe profesori Rrahman Paçarizi është një figurë e njohur për opinionin publik. Ai është doktori i shkencave filologjike dhe profesor i asocuar në Universitetin ‘Hasan Prishtina’ në Prishtinë, ndërsa ka qenë i angazhuar edhe në disa institucione të tjera private, si ligjërues. Si gazetar, ka qenë i angazhuar në mediumin e njohur Radio Evropa e Lirë, në sektorin e gjuhës shqipe në periudhën 1998 – 2007. Paçarizi ka qenë edhe Kryetar i Bordit i Radio Televizionit të Kosovës në një periudhë disavjeçare 2009 – 2012. Në sferën akademike, ai është mjaft i angazhuar me publikimet e tij në revista të njohura vendore dhe jo vetëm. Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën, është një organizim madhor i përvitshëm, për të cilin profesor Paçarizi ka dhënë një kontribut të çmueshëm.

Në këtë intervistë ekskluzive për Gazeta e Re ai ka folur në cilësinë e analistit, duke reflektuar rreth proceseve zgjedhore nëpër të cilat kaloi vendi së fundi.

GeR: Z. Paçarizi, si njohës i mirë i zhvillimeve politike në vend, pra nga këndvështrimi i një analisti, a mund të na thoni, a ka filluar të tregojë shenja të pjekurisë kasta jonë politike?

Paçarizi: Nuk ka pasur një moment i cili do të mund të merrej si tregues për këtë. Klasa politike e Kosovës ka dëshmuar në vazhdimësi një pjekuri politike për vetë faktin e ruajtjes së raporteve të mira me bashkësinë ndërkombëtare, përkatësisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Britaninë e Madhe, Gjermaninë e Francën. Në anë tjetër, pjekuria vërehet edhe në mënyrën se si partitë politike garojnë në zgjedhje. Mirëpo, pikërisht zgjedhjet e fundit kanë dëshmuar se klasa politike në Kosovë duhet të sillet më përgjegjshëm në raport me shtetin dhe me qytetarët e tij. Koalicionet joparimore, politikat klienteliste dhe nxjerrja e interesave dhe inateve personale mbi interesant nacionale janë tregues i pjekurisë së pamjaftueshme të kësaj klase politike. LDK e PDK kanë arritur një shkallë të caktuar të qëndrueshmërisë dhe të sjelljes politike, edhe pas ndëshkimeve që pësuan nga elektorati. AAK është dëshmuar tashmë një parti me stabilitet të theksuar dhe me shtrirje përtej zonës së Deçanit. Lëvizja Vetëvendosje e cila shihej si një parti e shpresës dhe e parimeve për çka edhe u shpërblye në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, nuk arriti t’i bëjë ballë tundimit për rritje të shpejtë dhe hoqi dorë nga ato parime, duke u shndërruar në një parti klasike për rrethanat kosovare. Në anë tjetër, NISMA përveç se luajti mençur në zgjedhjet parlamentare me ç’rast brenda një koalicioni ku nuk ndihej mirë arriti të ketë një numër solid deputetësh, ka arritur tashmë një shtrirje në disa zona të Kosovës, ndonëse jo në masën e shndërrimit në faktor të rëndësishëm. AKR vazhdon të jetë një parti rastësore që mbështetet në figura të caktuara biznemenësh, ndoshta duke ndjekur modelin e themeluesit dhe kryetarit të saj, po pa gjasa për të siguruar stabilitet dhe duke pasur synimin e riaktivizimit vetëm në rast zgjedhjesh.

Një tregues tjetër i papjekurisë është edhe demarkacioni, ku partitë politike nuk kanë arritur ta dëshmojnë të kundërtën duke i dhënë udhë zgjidhjes së problemit por duke u mbyllur në një qark vicioz deklaratash e kundërdeklaratash, nga të cilat qytetari i Kosovës është lodhur dhe ndihet i izoluar. Bashkësia ndërkombëtare në anë tjetër duket sikur ka vendosur që këtë izolim të shoqërisë ta bart edhe në kurrizin e politikanëve përmes një izolimi të butë, sa për ta përjetuar edhe vetë politikanët në lëkurën e tyre peshën e të qenit i izoluar që qytetarët e ndiejnë tash e 18 vjet.  Prandaj, pa e paragjykuar rezultatin, çështjes së demarkacionit duhet t’i jepet udhë dhe duhen bërë hapa rapidë në drejtim të luftimit efikas të korrupsionit dhe keqpërdorimeve, në mënyrë që të arrihet liberalizimi.

GeR: Fushata për zgjedhjet lokale, është karakterizuar nga një zbehtësi, por edhe qetësi. Ka pasur më pak premtime të mëdha, por edhe më pak përplasje ndërmjet kandidatëve, pse ka ndodhur kjo?

Paçarizi: Unë e shoh këtë si zhvillim pozitiv, pasi kandidatët këtë herë janë sjellë pikërisht në raport me përgjegjësitë që i kanë. Gjithashtu ka pasur më pak përzierje nga niveli qendror në shpalosjen e programeve të kandidatëve për kryetarë komunash. Ky fakt është shumë i rëndësishëm, për t’u treguar qytetarëve që janë votues potencialë se pikërisht ata kandidatë do të jenë fuqia vendimmarrëse dhe ekzekutive dhe lidhur me problemet e tyre të përditshme dhe jo liderët e fuqishëm politikë që pushtetin e tyre e demonstrojnë mjaftueshëm e ndoshta edhe me tepri në nivelin qendror. Pra, shkurt, me këtë qytetarëve u është bërë me dije se kryetarët janë subjekte reale të marrëveshjes me qytetarët dhe jo marioneta që dirigjohen nga selia e partisë. Në fakt, rezultati që doli i ndryshëm ndërmjet zgjedhjeve parlamentare dhe atyre qendrore është dëshmia më e mirë për këtë.

Ndryshe, fushata ka qenë më e qetë dhe pa shumë përplasje, pasi kandidatët tashmë e kanë kuptuar qartë se qytetarët e çmojnë forcën e argumenteve dhe jo zhurmën e arrogancën. Megjithatë, ka pasur disa komuna ku përplasjet kanë qenë më të ashpra, sidomos në Gajkovë dhe tendenca të përplasjeve të këtilla në Mitrovicë, Gjilan e Prishtinë.

GeR: Ju e dini, në zgjedhjet parlamentare, një pjesë e ish deputetëve, nuk kanë arritur ta fitojnë edhe një mandat të ri, a mund të themi se edhe votuesi po vjen duke u ndërgjegjësuar?

Paçarizi: Sigurisht që po. Nuk mund të flasim më për një masë kritike të votuesve besnikë. Qytetari i Kosovës është ai që ka nisur të kujdeset edhe për jetën, mirëqenien dhe të ardhmen e tij, para se të kujdeset për mirëqenien e klasës politike. Zgjedhjet parlamentare kanë dëshmuar se qytetari di ta ndëshkojë partinë e cila luftën për pushtet e bën pa parime dhe nuk bën përpjekje që pushtetin ta shohë si shërbim ndaj qytetarëve, si ofertë për jetë më të mirë. Në të vërtetë, qytetari i Kosovës shumë herë ka dëshmuar pjekuri duke qenë boshti kurrizor i luftës për pavarësi dhe për shtetndërtim, por kjo sikur nuk është çmuar sa duhet nga klasa politike.

GeR: Pra mund të themi se ky ndërgjegjësim ka reflektuar në zgjedhjet lokale?

Paçarizi: Po, zgjedhjet lokale përfundimisht janë dëshmia më e mirë e emancipimit politik të qytetarit të Kosovës, i cili nuk rrëmbehet nga inercioni, por i vlerëson me gjakftohtësi ofertat e partive politike dhe të kandidatëve.

GeR: Për fund, rezultatet e zgjedhjeve, cilado qofshin ato, a mund ta tronditin qeverinë?

Paçarizi: Sigurisht që po, ndonëse situata është paksa e komplikuar dhe nuk varet gjithçka nga konstelacioni që do ta prodhojnë zgjedhjet lokale. Forcimi i LDK-së dhe i PDK-së në njërën anë dhe rezultatet e dobëta, të papritura nga Vetëvendosje mund të jenë sinjal për ndryshim. Nëse bashkësia ndërkombëtare do të dojë t’i shtyjë përpara demarkacionin, asociacionin e komunave dhe ta kalojë qetësisht nisjen e punës së Gjykatës Speciale, atëherë mund ta joshë apo detyrojë LDK-në të bëhet pjesë e koalicionit, jo patjetër duke e rrëzuar qeverinë aktuale. Një qeveri e tillë do të prodhonte stabilitetin e mjaftueshëm për çuarjen përpara të këtyre proceseve. Mirëpo, LDK nuk guxon të rrezikojë dhe të heqë dorë nga parimet, pasi shpreson të ketë zgjedhje diku kah vjeshta e ardhshme dhe pret të hyjë fuqishëm, si parti që u përmbahet parimeve pas shuplakës së përjetuar më 11 qershor. Lëvizja Vetëvendosje nuk ka qenë dhe as është e gatshme të bëhet pjesë e pushtetit, jo për shkak të parimeve, por për shkak të proceseve.

Kështu që, zgjedhjet do të kenë një efekt, por nëse ai do të prodhojë rezultate radikale, vështirë të thuhet dhe mua personalisht nuk më duket shumë afër mendsh./Gazetaere.com/

Kategoritë
INTERVISTALajmet Kryesore

Të ngjajshmet