Roli i historisë dhe së kaluarës në debatin mbi nacionalizmin (3)

Pasi që në shkrimin e kaluar vëmë në dukje tri qasjet kryesore në literaturën shkencore nëpërmjet të së cilave shpjegohet gjeneza e kombeve dhe ideologjisë së nacionalizmit, më duhet të them që qasja moderniste (konstruktiviste) dhe ajo etno-simbolike dominojnë diskursin shkencor sa i përket debatit se a kanë ekzistuar kombet në kuptimin e sotshëm para lindjes së modernizmit, apo ato janë pjellë e kohërave moderne. Edhe përkundër gjithë debatit të zhvilluar mbi nacionalizmin në rrafshin kulturorë, politik, etnik dhe racor, prapë se prapë fenomeni i nacionalizmit akoma nuk është shtjelluar mjaftueshëm nga spektri i raportit të tij me historinë dhe të kaluarën.

Shkruan: Murat M. ALIU

Për të hedhur dritë dhe për të shpjeguar këtë problematik, pra për t’i artikuluar interferencat ndërmjet nacionalizmit të së kaluarës dhe historisë, do të shërbehemi me teoritë apo mendimet e dy përfaqësuesve ndoshta më të spikatur të të dy shkollave të lartë përmendura. Pra nga njëra anë do të shtjellojmë teoritë dhe mendimet e historianit marksist Eric Hobsbawm si përfaqësues i shkollës moderniste dhe nga ana tjetër teoritë dhe mendimet e Anthony Smith, si përfaqësues dhe mbështetës i qasjes etno-simbolike.

Historia dhe e kaluara: Dy koncepte të shpikura për përdorim

Eric Hobsbawm njihet si teoricienti më i spikatur i cili ndoshta më së miri interpreton dhe artikulon lidhshmërinë e nacionalizmit me historinë dhe të kaluarën. Hobsbawm edhe pse një historian dhe teoricient marksist, kur është në pyetje nacionalizmi ai i shmanget qasjes reduksioniste, në kontekstin në vend që të përdorë metodën a priori, ai përdorë metodën a posteriori në analizat mbi nacionalizmin.

 Përgjithësisht, Hobsbawm si mbështetës i qasjes moderniste mendon se konceptet si “historia” dhe e “shkuara” janë koncepte të cilët aludojnë të “kaluarën e afërt”, pra aludohet në një periudhë jo shumë të largët. E kjo është ngushtë e lidhur me themelimin e shteteve nacionale të cilët në esencë paraqesin shtete të lidhura ngushtë me hapësirën gjeografike (territorial), shtete të cilët lindën diku në fillim të shekullit 18. Hobsbawm mendon se historia si një “kapital informacioni” të ideologjisë nacionaliste, nuk është diçka që është kultivuar dhe mbrojtur nëpërmjet traditës së popullit. Por se historia përbëhet nga një akumulim informacionesh të cilët janë institucionalizuar dhe popullarizuar nga individë kompetent siç janë historianët, redaktorët e revistave dhe gazetave, udhëheqësit e programeve të ndryshme televizive etj.

Fuqia e të shkuarës nuk buron vetëm nga fakti se dëshmon disa  raste të cilat kanë ndodhur gjatë një procesi dhe vetëm nga fakti se disa njohuri i bazojmë në të kaluarën, por e shkuara posedon fuqinë për të përcaktuar edhe të tashmen. Në këtë kontekst e shkuara posedon potencial për të përcaktuar edhe të ardhmen. Në këtë gamë logjike, historia përfaqëson modelin e përshtatshëm për imagjinimin e së tashmes nëpërmjet të shkuarës. Njohja e ditëve të kaluara (vjetra) transformohet në njohje të “ditëve të mira të vjetra”. E shkuara e cila përfshin gjithë atë që ka ndodhur deri më tani posedon një strukturë mbi-kohore dhe mbi-hapësinore. Sipas autorit, e shkuara, në procesin e lindjes së nacionalizmit dhe rrjedhimisht edhe të kombit dhe shtetit-komb, ishte modeli i së tashmes dhe të ardhmes. “E kaluara përfaqësonte çelësin e kodit gjenetik që i mundësonte çdo brezi të riprodhonte sojin e vet dhe të riorganizonte marrëdhëniet e saj”, thotë Hobsbawm.

Nëse do t’u kishim bërë një qasja analitike qëndrimeve të Hobsbawm-it del se është një paradoks në vete të flasësh për kombe pa të kaluar. Sepse ajo që e bën kombin komb është e kaluara. Një komb legjitimohet dhe vetrealizohet kundrejt të tjerëve nëpërmjet të kaluarës dhe në këtë kuptimin historianët janë atë të cilët e prodhojnë (shpikin) atë. Ndër të tjerash kur është në pyetje naciolanlizmi është irelevante çështja e të shkuarës së vërtetë. Thënë ndryshe nuk është me rëndësi objektiviteti i fenomeneve historike. Sepse për nacionalizmin nuk ka rëndësi ndodhia e një rasti në të vërtetë, me rëndësi është diskursi i cili prodhohet ai bashkon apo jo anëtarët e një komuniteti të cilët pretendojnë se janë një komb.

Njëri ndër konceptet themelorë nëpërmjet të së cilët Hobsbawm mbështet qëndrimet e lartëpërmenduara natyrisht se është koncepti i “shpikjes së traditës”. “Përderisa nuk kemi njohuri të nevojshme mbi “shpikjen e traditës” nuk mendoj që mjatftueshëm do të mundë ta konceptojmë fenomenin e nacionalizmit”, thotë në një rast Hobsbawm. Në këtë kuptim në emër të interesave të klasave elitiste, me qëllim që shteti të vëndos kontrolin mbi çdo qytetarë dhe me qëllim të integrimit të tyre në sistem, shtetet kombëtare shpikin një të kaluarën në përputhshmëri me nevojat e tyre. Sipas autorit periudha në të cilën më së shumti u shpikën traditat është periudha e transformimeve kruciale politike dhe shoqërore që përfshin vitet 1870-1914.  Sipsa tij, në këtë periudhë traditat e “vjetra” aktuale në mënyrë vullnetare duke u imagjinuar u adoptuan me kushtet e reja. Në këtë kuptim elementi më i rëndësishëm i nacionalizmit, e kaluara, edhe nëse nuk është në përputhshmëri me qëllimin për të cilën duhet të përdoret, shpikët një e kaluar e përshtatshme.

Lidhshmëria dhe kontinuiteti i së kaluarës historike të traditës, që në fakt është prodhim i shekujve 19 dhe 20, paraqet një lidhshmëri imagjinare. Referencat të cilët i bëhen të kaluarës, në fakt duhej ti jepnin përgjigje tashmes. Në këtë periudhë pritej që e kaluara dhe historia ti bëjnë ballë strukturës dinamike të jetës moderne, në kuptimin që ndryshimi dhe risitë rrezikonin koherencën dhe unitetin brenda komuniteteve. Pra, thënë ndryshe historia dhe e kaluara duhej të ruanin solidarizimin brenda komunitetit dhe kështu u shndërruan në “simbole të ekzistencën dhe bashkimit kombëtare”. Ndërsa qëllimi final i shpikjes së traditës konsiston në ruajtjen e vazhdimësisë dhe pandryshueshmërisë së kombit, madje traditat e shpikur  u shndërruan në të vërteta të kontestueshme për pjesëtarët e kombit. Një e kaluar e cila bazohet në praktika të qëndrueshme është legjitime dhe e “objektive”, pa marrë parasysh se ajo e kaluar a është e vërtetë apo e shpikur (imagjinuar).

Nëse do ta kishim thënë më  konkretisht Hobsbawm,  kombin dhe nacionalizmin e sheh si instrumente të inxhinieringut social. Edhe shpikja e traditës duhet shikuar në këtë kontekst, mendon ai, sepse praktikumi i vazhdueshëm i traditave të shpikura fillon të ngërthej disa norma të sjelljes dhe vlera të caktuara. Dhe, në këtë mënyrë vendoset lidhshmëria ndërmjet të kaluarës dhe të tashmes. Vetëdija kombëtare, sipas autorit, paraqet shembullin më tipik dhe praktikës së shpikjes së traditës. Për më tepër Hobsbawm thotë se edhe vet nacionalizmi është një traditë e shpikur.

Kombet si produkt i nacionalizmit

Për Hobsbawm “nacionalizmi është parim që mbron komplimetaritetin ndërmjet njësisë politike dhe kombëtare”,  por që edhe përkundër kësaj, politika dhe ideologjia i paraprijnë formimit të kombit dhe shtetit nacional. Sepse, pas shpërfaqjes së shtetit nacional mund të flitet për kombe dhe jo të kundërtën. Kombi mundë të formohet dhe imagjinohet vetëm atëherë kur ekzistojnë instrumentet e nevojshme për të, siç është shteti modern, ideologjia, teknologjia, shkenca etj. Thënë me fjalët e Gellnerit, nacionalizmi fillimisht i merr kulturat e vjetra dhe më i pas i shndërron në kombe. Ndonjëherë i shpikë ato, ndërsa në të shumtën e rasteve i shtrembëron. Thënë shkurt, nacionalizmi lind para kombit ose nacionalizmi është parakushti kryesorë për lindjen e kombit. Dhe,  nuk janë kombet ato të cilat formojnë shtetin dhe nacionalizmin. Nacionalizmi dhe kombi janë produkte të elitave, qofshin ato intelektuale, politike apo ekonomike.

Rrënjët e problemeve që kanë të bëjnë me nacionalizmin dhe gjithçka çka është lidhur me të duhet kërkuar në pikat e kryqëzimit të politikës, teknologjisë dhe transformimeve shoqërore, sipas autorit. Ngase kombi nuk është vetëm produkt i politikës apo dhe shtetit nacional. Kombi mundë të lindë vetëm në faza të caktuara të zhvillimit ekonomik dhe teknologjik. Nëse e marrim si shembull gjuhën kombëtare, ajo mundë të lindë vetëm me shpikjen e shtypshkronjës dhe me masivizimin e arsimit ose përhapjen e fenomenit të shkrim-leximit. Prandaj për dallim nga Gellneri, Hobsbawm mendon se nacionalizmi është një fenomen dy dimensional, në kuptimin që nacionalizmi është një fenomen i ndërtuar prej lartë, por i cili nuk mundë të kuptohet pa mos e analizuar të “poshtmen”, pra shpresat, nevojat dhe interesat e njerëzve të rëndomtë.

 


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina

Të ngjajshmet