Rinia, resursi human i pashfrytëzuar i Kosovës

Numri i qytetarëve për ta mësuar ndonjërën prej gjuhëve zyrtare të BE-së, sipas disa të dhënave, ka shënuar rritje. Interesim i shtuar po tregohet sidomos për gjermanishten. Të shumtët prej atyre që provojnë për ta mësuar ose përmirësuar ndonjërën prej këtyre gjuhëve, janë të rinj. Ndonëse nuk ka ndonjë shifër të përgjithshme zyrtare, të dhënat që i ofrojnë institucionet private që janë të specializuara për mbajtjen e këtyre kurseve, janë tronditëse. Si duket, të rinjtë e Kosovës, ardhmërinë e tyre, nuk po mund ta projektojnë brenda vendit – shkruan Gazeta e Re.

<< Kurset tona të gjuhës gjermane ofrojnë mundësi të shkëlqyera për të përmirësuar në mënyrën më efikase njohuritë tuaja në një orar të përshtatshëm për ju, sipas metodave më moderne, në hapësirat e pajisura me teknologjinë më të avancuar (smatboard) dhe një atmosferë të këndshme>> – shkruan në faqen zyrtare të një instituti privat, që ofron kurse me pagesë për gjuhën gjermane. Kjo nuk është vetëm një ofertë joshëse për të rinjtë, ata po shtyhen nga motive të tjera për ta mësuar këtë gjuhë.

Me qindra persona (afro 500 sipas disa të dhënave), i janë nënshtruar testit elementar të gjermanishtes vetëm në muajin e kaluar në njërin prej këtyre instituteve. Madje disa nga të rinjtë të cilët e kanë ndjekur kursin, thonë që me vështirësi mund të gjendet një itinerar i përshtatshëm për t’iu nënshtruar testit, meqë fluksi i interesuarve është tejet i lartë. Mësimi i gjermanishtes, nuk bëhet vetëm për arsye të bashkimit familjar, por edhe për të gjetur punë në vendet perëndimore. Rinia po përpiqet që t’i shfrytëzojë hapësirat ligjore në vend dhe më tej në BE, për t’i realizuar disa nga të drejtat fondamentale.

Nga ana tjetër, të dhënat zyrtare tregojnë që shkalla e papunësisë është ende e lartë. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), shkalla e papunësisë për tremujorin e parë të vitit 2018 është 26.5%. Kjo e dhënë është mbështetur në anketën e cila ka pasur shtrirje në <<598 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar 3 531 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit, nga korniza e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2011.>>

Po sipas ASK-së, dy të tretat e popullsisë në Kosovë, i përkasin moshës së punës, moshë e cila përfshinë vitet nga 15 – deri në 64 vjeçare. Prej tyre shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është vetëm 39.2% ndërsa  shkalla e punësimit sipas AFP-së, për këtë tremujor të këtij viti është tejet e ulët, vetëm 28.8%.

Por raporti ndërmjet përqindjes së të punësuarve me përqindjen e të papunëve mbetet i lartë, veçanërisht nëse krahasohet me fuqinë joaktive:

<<Papunësia më e theksuar është te femrat me 28.7%, krahasuar me meshkujt, 25.9%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 54.0%. Sipas rezultateve të AFP-së, në TM1 2018, fuqia joaktive është mjaft e lartë me 60.8%, me fokus të veçantë te femrat me 83.4%, krahasuar me meshkujt, 38.6%.>>

Problematike mbetet edhe çështja e respektimit të të drejtave të punëtorëve, respektivisht numrit të vogël të të punësuarve me kontratë pune. Raporti i atyre që kanë kontratë të përhershme me ata që kanë kontratë të përkohshme është 18.9% me 81.1%.

Kjo duket që po i shtynë të rinjtë të mendojnë për alternativa të tjera të mbijetesës. Humbja e motivit për kërkimin e perspektivës në vend, ndërlidhet edhe me pasigurinë e madhe që mbizotëron në vendet e punës. Javë më parë një 17 nga Prizreni humbi jetën aksidentalisht në vendin e punës dhe ai ishte viktima e gjashtë (6-të) me radhë, në katër muajt e fundit./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet