Rinia e Kosovës, tash për tash, ka të drejtë vetëm “të ëndërrojë” (Foto)

Dy fotografi të ndryshme, përçonin mesazhe krejt të kundërta. Njëra shfaqte rendin e pritjes së gjatë të të rinjve pranë Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë dhe tjetra, një foto nga një koncert i mbajtur, ku shiheshin të rinjtë e ekzaltuar me duar përpjetë, duke u sinkronizuar me tingujt e muzikës. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi për t’ua uruar të rinjve ditën e tyre, e kishte zgjedhur këtë të dytën. Ditën e djeshme me disa aktivitete, edhe në vendin tonë, u shënua Dita Ndërkombëtare e Rinisë. Krerët e shtetit, nuk ngurruan të shkruajnë urime për të rinjtë nëpër profilet e tyre zyrtare në facebook dhe rrjetet e tjera sociale, ndërkohë që premtimet për liberalizimin e vizave, nuk i kanë lënë mënjanë as në këtë ditë – shkruan Gazeta e Re.

Gusht. Vapë. Pritje të gjata. Turma të rinjsh që enden pa shpresë rrugëve të qyteteve, ndërsa dynden nëpër kafenetë e shumta, sikur për të gjetur pak ngushëllim. Dje qe Dita Ndërkombëtare e Rinisë, ndërsa edhe në Kosovë u shënua me aktivitete të ndryshme. Megjithatë të rinjtë e shumtë kanë kaluar ditën duke menduar për mënyrat se si të migrojnë jashtë vendit, në kërkim të ndonjë perspektive më të mirë të jetesës. Por vendi ka mbetur i bllokuar, përkundër premtimeve të politikanëve se do të hiqet regjimi i vizave shumë shpejt.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, duke e kujtuar këtë resurs të paçmuar të vendit dhe duke marr shkas nga kjo datë e shënuar, kësisoj ka shkruar në faqen e tij zyrtare në facebook:

<<Kosova ka të rinj dhe të reja shumë të talentuar, me plot energji për të punuar për vendin e tyre. Dita Ndërkombëtare e Rinisë, 12 Gushti, sivjet na gjen në një pozitë më të mirë të të rinjve dhe me një përkushtim më të madh të tyre për njëri-tjetrin, përkundër që ende jemi larg asaj që ata kanë nevojë dhe ne duam. Tash jemi në prag të liberalizimit të vizave për qytetarët tanë dhe të rinjtë kosovarë së shpejti do të kenë mundësi të barabarta sikurse të gjithë të rinjtë tjerë evropianë. Rinia është forcë e ndryshimeve pozitive në çdo shoqëri dhe fatmirësisht këtë vit edhe ne kemi pasur dinamikë të shtuar të të rinjve për pjesëmarrje në vendimmarrje, por edhe aktivizim më të madh të tyre për t’i bërë vetë ndryshimet që ata i duan>>.

Ndërsa as Kryeministri Ramush Haradinaj, nuk ka qëndruar duarkryq. Nëpërmjet një postimi në faqen e tij zyrtare në facebook ai ka shkruajtur se:

<<Kosova është me fat që popullsinë e saj e ka të dominuar nga të rinjtë. Të rinjtë tanë sot më shumë se kurrë kanë mundësi të guxojnë, të kërkojnë e të ëndërrojnë. Ndonëse përballë kemi shumë sfida, Kosova është vend që ofron. Gjeneratat e reja, që janë shumë në numër e shumë ne ide, kanë krijuar modelin shembullor të të rinjve të arsimuar dhe energjik dhe që besojnë e promovojnë meritokraci dhe vlerë. Historikisht të rinjtë tanë kanë dalë faqebardhë në sfida dhe etapa të shtetndërtimit dhe tani Kosovës më shumë se kurrë i duhet kontributi i rinisë në fusha e procese të rëndësishme të vendit. Do të punojmë në vazhdimësi në bazë të politikave programore përkatëse që të krijojmë sa më shumë mundësi punësimi për ta. Kosovë, urime dita e rinisë.>>

Por në të dy postimet e të dy krerëve, ka pasur reagime të shumta, e pjesa dërmuese kritika, tallje e madje edhe fyerje në adresë të të parëve të shtetit. Zhgënjim, me një fjalë, përçojnë shumica e komenteve.

  1. Xhemajli, një komentues, e vë në pikëpyetje konstatimin e presidentit, duke thënë që edhe ajo pjesë që ka mbetur po <<mundohet me e lëshue vendin>>. T. N. Bykygbashi, një tjetër komentues, pasi i drejtohet me një ton fyes e përçmues, e akuzon rëndë se ai dhe politikanët e tjerë i detyruan të rinjtë: <<me ikë prej vendit…>>.

Të ngjashme ishin komentet edhe te postimi i kryeministrit. A.Hamidi, duke ironizuar me fjalët e kryeministrit, i është përgjigjur këtij me këto fjalë: <<Rinisë së Kosovës veç ëndrrat i kanë mbet!>>.

<<Rinisë po ja nxini jetën. Po ju vjen me vjell prej vendit të vet. Medet për ju!>> – ka shkruar A. Brahimi. G. S. Xhemajli, një qytetar tjetër, e ka siguruar kryeministrin, të paktën për diçka: <<Me ju kryeministër nja 20-20 mijë të rinj, do ta lëshojnë të shkretën Kosovë.>>

Në këto komente negative, në këto kritika, asnjëri nga liderët, përkatësisht kujdestarët e faqeve zyrtare të tyre, nuk janë përgjigjur. Padyshim, ky është një imazh krejt i kundërt me atë që synojnë ta përçojnë liderët./ImerTopanica/Gazetaere.com/  

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet