Rexhep Hoti: MKRS të jap llogari nëse nuk arrijmë me kohë ta kemi stadiumin

Rexhep Hoti është autor i disa librave, themelues e drejtues i të përditshmëve InfoPress, Tribuna Shqiptare, gazetës sportive Sporti dhe i revistës IPmagazinë. Ai ka një karrierë të gjatë edhe në politikë. Ishte këshilltar politik pranë zyrës së Kryeministrit të Kosovës. Më pas edhe deputet i Kuvendit të Kosovës. Aktualisht është Zëvendësministër në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Republikën e Kosovës.

Në këtë intervistë për Gazeta e Re Hoti flet për angazhimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit në rimëkëmbjen kulturore në vend, duke përfshirë librin, teatrin, sportin etj, respektivisht vështirësitë me të cilat përballet kjo ministri. Veç kësaj ai e përmend edhe projekti për ndërtimin e Kompleksit Sportiv i planifikuar të ndërtohet në Bernicë, me një sipërfaqe prej 80 hektarësh.

Ndër të tjera Hoti thotë se “teatri i Kosovës që prej pasluftës së fundit e gjer më sot ka dështuar të jetë në shërbim të publikut të gjerë”, duke vijuar të komentojë kësisoj: “Teatri ynë është një viktime e politikave kulturore gjithashtu”.

GeR: Z. Zëvendësministër Hoti, herë pas here dalin në opinion pakënaqësitë e artistëve, të cilët thonë, përkrahja institucionale mungon, ç’mendoni, a ka bërë mjaft MKRS-ja për kulturën gjatë këtyre viteve?

Rexhep Hoti, Zëvendësministër në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Republikën e Kosovës.

Hoti: Do të ishte e panatyrshme të mos kishim pakënaqësi të artistëve. Po, Kosova ka bërë shumë për artistët kur është në pyetje mbështetja materiale. Por pyetja duhet të shtrohet në këtë rast edhe në këtë mënyrë: a kanë bërë artistët mjaft për Kosovën?! Ndajfolja «mjaft» është fjalë që nuk ka ndonjë peshë për botën e veçantë për të cilën po flasim. Kosova e vogël mban gjallë një barrë shumë të rëndë kur janë në pyetje institucionet kulturore që janë për punën dhe krijimet e artistëve. Personalisht nuk jam i pajtimit me politikat kulturore që zhvillohen në Kosovë që nga viti 2002 e gjer më sot. Ato janë shumë të kushtueshme, stereotipe, në shumicën e rasteve janë gërmadha që prej monizmit, jo kreative, jo novatore, pa garë, pa konkurrencë, pa sistem dhe pa përjashtime, pa autonominë e individualitetit dhe pa filozofinë e opinionit, me natyrë «emergjente», OJQ-iste dhe pa komunikim real me filozofinë e publikut. Ka më shumë se një dekadë e gjysmë që ka mbetur kjo politikë e pasuksesshme kulturore si një relikt nga ministrat pararendës kur është krijuar e gjerë më sot kur po flasim. Ajo, pra, politika dhe politikat kulturore, kanë mbetur në derë të kulturës sonë me kuisje të mërzitshme, bajate e të pasuksesshme, fal mediokriteteve ekskluzive që i kanë drejtuar ato, fal mosdijes, papërgjegjësisë dhe mos përkushtimit të atyre që kishin mandate dhe përgjegjësi ligjore e Kushtetuese për ta çuar përpara këtë procese me peshë kapitale për individin dhe kolektivitetin e shoqërisë sonë. Politika  drejtuese e MKRS-së dhe ajo që mund të quhet ‘punë krijuese në Kosovë’, është duke u drejtua, që prej qeverisjes së Bajram Rexhepit e gjer më sot, kryesisht nga një mendje e paformësuar, në thelb, e korruptuar dhe e paverifikuar kurrë. Ajo është një bar i keq që vjen qysh prej viteve të ’90, të kohës ‘së shkollës së lisave’ e gjer më sot, kujtoj?! Në të vërtetë në këtë pikë shoqëria jonë e arrin majën e korruptimit më të thellë të saj e më pas vjen korruptimi i kuletës, thënë me figurë.

GeR: Le t’i qartësojmë disa gjëra më mirë, buxheti që u është ndarë asociacioneve të ndryshme, shoqatës së botuesve, revistave letrare etj, shpeshherë ka ngritur debate. A favorizohen grupe të caktuara, respektivisht a ka ndarje të padrejtë të buxhetit? (Si në rastin kur MKRS është akuzuar se e ka favorizuar botuesin e vet Abdullah Zenelin…)

Hoti: Nuk kam informacion për këto gjëra që po flisni prandaj edhe nuk mund të përgjigjem. Besoj ju do ta gjeni mundësinë t’i drejtoni pyetjet saktë, aty ku duhet për të qenë i informuar saktë.

GeR: Jeta teatrale nuk ka qenë aspak në rrjedhat normale të saj. Siç e dini, ka pasur denoncime publike kundër Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës, e për rrjedhojë edhe dyshime mbi konflikte interesi të disa pjesëtarëve të këtij këshilli, si i ka menaxhuar ministria këto kriza?

Hoti: Sa unë kam informacione nuk ka pasur asnjë «denoncim» me shkrim. Në lidhje me konfliktin e interesit është përgjegjësi e AAK-së dhe prapë nuk mund të them asgjë. Por mund t’ju them se teatri i Kosovës që prej pasluftës së fundit e gjer më sot ka dështuar të jetë në shërbim të publikut të gjerë. Ai më tepër u ka shërbyer individëve të papërgjegjshëm që e kanë sjell tetarin në këtë çështje ku ndodhet edhe sot. Ky institucion kulturor nuk është funksionalizuar në raport me publikun, ‘produkti’ i tij ka mbetur i vdekur, pa publik, shterp. Mendoj ashtu siç e meriton. Teatri ynë është ‘komedi’ në vete! Teatri ynë është një viktime e politikave kulturore gjithashtu. Ai nuk po arrin tash e sa vite të jetë i publikut. Sa për të qenë i atyre që duan të bëjnë shfaqje për një grup të caktuar se jetojnë prej tij dhe vetëm për këtë, atëherë nuk kemi çfarë të themi më shumë sepse në këtë pikë duket me qenë ashtu! Nuk di ndonjë vend në botë të krijohet një teatër në nivel vendi (kombëtar) për të punësuar njerëz dhe ky të jetë qëllimi final i tij?!

GeR: Le të dalim te sporti, sipas disa informatave, përveç kompanive nga Turqia edhe nga Holanda ka pasur oferta për renovimin ose ndërtimin e stadiumeve të futbollit, a ka ndonjë të re në këtë drejtim?

Hoti: Sa unë kam informacione nuk është fjala për Holandën, por për Hungarinë, e cila ka ofruar një kredi të butë për ndërtimin e stadiumit. Sa unë kam informacion, përkatësisht është duke u zhvilluar faza e vlerësimit të fizibilitetit. Por atë që mund të them për herë të parë, mbase, ndërlidhet me Kompleksin Sportiv që është folur aq shumë se do të ndërtohet në Bernicë. Ky është një projekt gjigant dhe brenda atij kompleksi pritet të jetë pallati olimpik, stadiumi, pishina olimpike, administrata e sportit, fakulteti i edukatës fizike e sektorë tjerë përcjellës. Hapësira që parashihet për këtë hapësirë duhet të jetë mbi 80 hektarë. Ekziston një vlerësim i specialistëve të jashtëm që për një kompleks të tillë sportiv gjigant vendi më i përtashëm është hapësira poshtë Goleshit, ana përballë Parkut Industrial, e jo Bernica. Arsyetimi është se atje është hapësira e nevojshme. Por mbi të gjitha, vendi atje shihet dhe vlerësohet si më i mirë, duke qenë që edhe rrejti rrugor që të shpie atje është më i përshtatshëm dhe nuk ka rrezik se krijohen tollovi, siç ndodh në raste të tilla. Atje është kryqëzimi i akseve kryesore të Republikës edhe nga drejtimi i lindjes, nga drejtimi i perëndimit e edhe nga drejtimi i jugut. Madje atje ndodhet edhe porti ajror. Atje është edhe kryqëzimi më i përshtatshëm për mbarë hapësirën kombëtare shqiptare, si dhe për hapësirën rajonale e të shteteve fqinje. Natyrisht, ne, edhe si PDK, jemi duke e shqyrtuar intensivisht edhe këtë propozim të eksperteve ndërkombëtar dhe me kohë do të dalim edhe me qëndrim në lidhje më këtë. Për investime të tilla të mëdha, nuk mund t’i lejojmë ndikimet dhe dëshirat e politikave elektorale të askujt. E as të PDK. Një është e sigurt: ne si PDK nuk do të lejomë të sakatohet, duke u gjymtuar e izoluar ky projekt gjigant sportiv, siç ka ndodhur me kryeqytetin ku, që nga paslufta e deri më sot, nuk mund të merr njeriu dot frymë. Duket sikur një qytet i hedhur prej aeroplani, si thotë një miku im. Me rëndësi është interesi i njeriut të Republikës se si do të jetë me mirë e më lehtë për të komunikuar e për t’u ndierë rahat në këtë kompleks gjigant sportiv.

GeR: Kush duhet të jap llogari nëse nuk arrijmë me kohë ta kemi një stadium që i plotëson normat ndërkombëtare dhe nëse edhe njëherë skuadrat tona nuk mund t’i zhvillojnë ndeshjet këtu?

Hoti: Mendoj, MKRS-ja.

GeR: Nuk mund ta mohojmë që sportistët kosovarë e kanë promovuar vendin tonë më shumë se sa kushdo tjetër, por institucionet si KOK-u, vazhdojnë të përballen me probleme të mëdha. Së fundi Kryetari Besim Hasani, dyshohet që është zgjedhur jashtëligjshëm, si u është përgjigjur këtyre zërave MKRS-ja?

Hoti: Absolut nuk mund të përzihet MKRS-ja te KOK dhe atë që ju pyesni nuk është përgjegjësi e MKRS-së. Politika nuk ka çfarë kërkon, as çfarë thotë për KOK. Në këtë drejtim mund të marr një shembull tjetër që ndoshta do të ofronte diçka prej nënteksti të pyetjes që ju keni dëshiruar. Po them në mënyrë kushtore. Ndihem jo mirë dhe e vlerësoj gabim se si ‘vrapon politika’ pas Majlindës. Duhet të lihet e qetë Dama Legjendë e Xhudos dhe politika të mësohet pak të ketë dinjitet. Kjo do të thotë të di se si të përkulet para një vajze të madhe shqiptare e jo të vrapojë pas saj për interesa thjesht politike. Më e bukura është, ajo, kampionia e të gjitha kohërave për xhudo, ka mendim të bukur kur flet dhe më të avancuar sesa krejt kabineti qeveritar i përtashëm, veçmas më shumë sesa opozita. Do të thosha politikanët e përtashëm duhet t’i mësojnë përmendsh deklaratat e saj, sidomos ato që i dha pasi ajo e mori të artën në olimpiadë. Dorën në zemër, e vetmja pamje që nuk i shkon Majlindës është fotografimi i saj me politikanët e Kosovës.

GeR: Z. Hoti ju falënderojmë edhe një herë për kohën dedikuar kësaj interviste.

Hoti: Faleminderit./Gazetaere.com

Kategoritë
INTERVISTALajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet