Republika mirënjohje ndaj komunitetit turk

Komuniteti turk në Republikën e Kosovës, si asnjë tjetër, është mjaft i integruar në strukturat e shtetit. Atyre nuk u është nevojitur asnjë shtysë e veçantë për t’u bërë pjesë e jetës politike, sociale e kulturore në vend. Kontributi i tyre në ndërtimin e kapaciteteve shtetërore, edhe sipas krerëve të shtetit, është për çdo lëvdatë – shkruan Gazeta e Re.

Ditën e Komunitetit Turk, krerët më të lartë të shtetit, kanë shprehur mirënjohje të thellë për kontributin e këtij komuniteti, në dobi të ndërtimit dhe forcimit të Republikës së Kosovës. Presidenti Hashim Thaçi, për hir të kësaj dite ka shkruar në faqen e tij zyrtare në facebook se:

“Sot, në Ditën e Komunitetit Turk, shpreh mirënjohje time për kontributin e vazhdueshëm të tyre në të gjitha fazat e shtetndërtimit, forcimit të institucioneve, bashkëjetesës dhe besimit në shtetin e Kosovës.

Integrimi i tyre është shembulli më i mirë se Republika e Kosovës është atdhe i të gjithë qytetarëve saj. Përmes komunitetit turk në Kosovë, ne do të vazhdojmë t’i kultivojmë edhe më tej marrëdhënie strategjike me Turqinë. Urime të gjithëve!”

Edhe Kryeministri Ramush Haradinaj, veç që i ka uruar qytetarët e këtij komuniteti për këtë ditë, sikurse presidenti, e ka kujtuar rolin e tyre krucial në forcimin e raporteve me partnerin strategjik të Kosovës, Turqinë:

“Komuniteti turk gjithmonë ka luajtur rol konstruktiv dhe ishte në krah të përpjekjeve tona të përbashkëta për shtetndërtimin e Kosovës, si dhe është urë lidhëse shumë e fuqishme e vendit tonë me Turqinë.

Në shënim të Ditës së Komunitetit Turk të Kosovës, me praninë e tij na ka nderuar edhe zëvendësministri i Jashtëm i Turqisë, Faruk Kaymakci, të cilit i shpreha mirënjohjen për përkrahjen e shtetit turk për konsolidimin e Kosovës.

Bashkë me urimet e mia, bashkëqytetarëve turq, si pjesë e pandashme e shoqërisë sonë, ua përcolla gatishmërinë dhe vullnetin për bashkëpunim në avancimin e vazhdueshëm të mirëqenies së tyre dhe në sendërtimin e mëtejmë të shtetit tonë dhe të ardhmes së lirë e të sigurt të Kosovës.”

Ndërsa Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, pas takimit me Zëvendës Ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë z. Kaymakci, njoftoi opinionin publik me këto fjalë:

“Pata kënaqësinë ta pres sot për takim Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Ambasadorin Faruk Kaymakcı, me të cilin diskutuam për marrëdhëniet bilaterale në mes të Kosovës dhe Turqisë, si dhe bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar në rritje.”

Sipas zëvendëskryeministrit, vendi ynë është i interesuar edhe më tej që t’i kultivojë marrëdhëniet e mira me shtetin turk, veçanërisht në “fusha të interesit të përbashkët”.

Ai, sikurse zyrtarët e tjerë të lartë të shtetit, është shprehur mirënjohës, për siç ka thënë: “përkrahjen e vazhdueshme të Turqisë për Kosovën”.

Kjo ditë, sipas njoftimeve të Ambasadës së Turqisë në Kosovë si dhe organizatave të ndryshme joqeveritare, do të shënohet me aktivitete të ndryshme, në shumë qytete të vendit, aty ku komuniteti turk punon dhe vepron./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet