Republika jonë e vjedhur

Kur qëllim bëhet realizimi i ndonjë ideali të kamotshëm, pjesa më e madhe e punës ka të bëjë me përgatitjen rreth misionit. Prandaj Abraham Linkoln (A. Lincoln 1809 – 1865) kishte të drejtë kur thoshte: «M’i jepni gjashtë orë për të prerë një pemë, dhe unë do t’i kaloj katër orët e para duke mprehur sëpatën!». Po ne? A i kemi shpenzuar ato katër orët e përgatitjes për ta ndërtuar republikën?!

Shkruan: Imer Topanica

Shqiptarët e Kosovës, thënë në gjuhën e Ali Sheriatit, nuk jetojnë në këtë shekull. Në ndërdije shtetin ende e cilësojnë si një mekanizëm të huaj, që është i destinuar t’i shtypë vazhdimisht (bash ashtu siç i trajtonte sistemi jugosllav i cili degradoi në një hapësirë vetëm për shpërfaqjen e shovinizmit serb, në kohën kur filloi të shembej ngrehina socialiste federative e asokohshme). Andaj ky raport me shtetin, manifestohet edhe sot e kësaj dite, ani që janë të vetëdijshëm se po qeverisen nga banditë, artikulimi i vetëm publik i të cilëve vjen në shprehje nëpërmjet vjedhjeve e zhvatjeve sistematike, ndërsa nga ana tjetër, nuk reagojnë meqë vetëdija e tyre u thotë që: shteti, as nuk u takon atyre, e as nuk mund të përmirësohet prej tyre.

Nisur nga kjo, del që ne e kemi dështuar t’i socializojmë ata (qytetarët), me atë që quhet demokraci e vërtetë. Prandaj, edhe po dështojmë ta ndërtojmë republikën. Nuk është e çuditshme, andaj, kur shohim gra tek i shkulin lulet në parqet publike, për t’i mbjellë në kopshtet e veta. Nuk është e çuditshme aspak, kur fqinji e mëson fqinjin s’i ta manipulojë sistemin elektrik të shtëpisë, në mënyrë që aparati për regjistrimin e shpenzimeve të energjisë, të mos e regjistrojë gjysmën e shpenzimit. Njësoj abuzohet me ujë të pijshëm. Kështu, fundja, u degraduan resurset tona. Me kilometra të tëra janë shkulur shinat e hekurudhave nëpër linjat në të cilat që nga paslufta, trenat më nuk lëvizin. Merreni me mend, edhe sot pas dy dekadash çlirim, qytetarët vijojnë të hedhin mbeturina mbi lumenj, pranë parqeve, ose përgjithësisht në vende ku prona është e përbashkët – publike.

Për ta ilustruar më së miri këtë raport, mjafton t’i referohemi rastit të Grupit ‘Radari’ në Viber, i cili para pak kohësh u demaskua nga Policia e Kosovës. Ky grup, bashkë një tjetër të ngjashëm që numëronte mbi 16 mijë përdorues, kishte për “detyrë” t’i njoftonte qytetarët se ku janë vendosur pikat e kontrollit të policisë përgjatë rrugëve, në mënyrë që t’u shmangen kontrolleve rutinore, të kenë kujdes më shumë në ngasje, respektivisht t’i ikin përgjegjësisë. A e merrni me mend? Qindra, mijëra qytetarë të cilët i shfrytëzonin këto grupe, nuk e cilësuan të turpshme shfrytëzimin e këtyre grupeve për t’u informuar, për një kohë kaq të gjatë, e aq më pak të ju shkojë mendja t’i denoncojnë në polici.

Përfundimisht, së këndejmi rrjedh profili i politikanit, i cili kur vishet me pushtet, sillet si pronar i sektorit që e drejton dhe jo një shërbëtor i popullit. Pra, siç e thamë, nëse qytetari pronën publike e cilëson ende të shtetit, ndërsa shtetin si një mekanizëm shtypës, e për rrjedhojë edhe të huaj; nga ana tjetër pushtetari, i cili del nga gjiri i kësaj mendësie, ka ndjesinë që është bërë pronar i pronës publike, andaj edhe shpërfillës ndaj kërkesave dhe detyrave që ia parashtron ligji. Kur jemi këtu, mjafton t’i kujtojmë disa shembuj të qeverisë në ikje, brenda së cilës gurgullojnë modele të tilla politikanësh.

«Nuk mendoj se gjithë Kosova është dëmtuar pse janë punësuar 100 persona nga AAK-ja. Nuk ka ndonjë dëm të theksuar» – pat thënë para pak muajsh në një emision televiziv Daut Haradinaj, deputet i AAK-së, njëherësh edhe vëlla i Kryeministrit në ikje Ramush Haradinaj. Ndërsa ky i fundit, kur e mori mandatin si kryeministër, ndër vendimet e para kontroverse që i mori, qe edhe falja e borxheve të disa kompanive ambalazhuese të ujit. Kur u pyet pse, ai u përgjigj thjesht: «Veç m’u ka tekë!»

Ja këta dy shembuj tipik, ilustrojnë më së miri prototipin e politikanit tonë të zakonshëm. Pra ai nuk ka frikë nga ndëshkimi, nuk ka frikë nga presioni i shoqërisë, nuk jep llogari, sepse fundja ndërgjegjja , sipas vetëdijes së tij, është krejt e pastër.

Do të ishte mirë që qytetarit/votuesit të zakonshëm, subjektet e mëdha politike, t’ua servonin një tjetër profil politikani, por kjo është pak e gjasshme të ndodh tash për tash. Horra, kopukë, dallaverxhinj, të dyshuar për zhvatje të pasurisë publike, mashtrues të dëshmuar, njerëz që kanë grumbulluar pasuri marramendëse për një kohë shumë të shkurtër nëpërmjet metodave joligjore, matrapazë, injorantë, njerëz që mund të shantazhohen lehtë për shkak të së kaluarës së pistë,  do të “hidhen” në treg sërish dhe sërish, deri në ditën kur qytetari ynë të ndërgjegjësohet, pra t’i mësojë hapat e parë në një kulturë të re politike.

Ne, është e vërtetë, kemi kaluar nëpër një tranzicion politik, por ende nuk e kemi filluar tranzicionin kulturor. Brezat e rinj, e sidomos ata që e kanë përjetuar ish sistemin, kanë nevojë ta mësojnë leksionin e parë rreth demokracisë: prona publike, është edhe e tyre, andaj ta trajtojnë atë siç e trajtojnë pronën private. Ndërsa pushtetari për ta, nuk duhet të jetë një sundimtar, por një shërbëtor i tyre. Përvetësimi i këtij mësimi, do ta ngrit vetëdijen e qytetarit në një nivel tjetër, në një vetëdije kritike. Vetëm kjo vetëdije abuzimin e pushtetarëve me pasurinë e shtetit, e sheh si abuzim me pronën e qytetarit (meqë shteti në rend të parë i takon këtij të fundit dhe jo politikanit).

Kemi nevojë të dalim nga kjo lëvozhgë kolektive e vetëdijes. Kemi nevojë t’ua ndalojmë të tjerëve vjedhjen e shtetit. Nëse i lejojmë, në një mënyrë apo në një tjetër, të gjithë bëhemi fajtorë. Republika na takon të gjithëve, andaj duhet të fillojmë t’i çojmë në një tjetër nivel standardet e demokracisë.

 

 


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina

Të ngjajshmet