«Renault» do të nxjerrë nga puna 15.000 vetë

Kompania franceze e makinave «Renault» do të pushojë nga puna 15.000 punonjës, thuhet në një deklaratë të firmës.

Kompania ka vendosur që të reduktojë me 2 miliardë euro koston totale të firmës për 3 vitet e ardhshme dhe në kuadër të kësaj do të pushohen nga puna 15 mijë të punësuar.

Me këtë synohet ulja e kostove të punës që kompania realizon me firmat inxhinierike dhe nënkontraktorët. Sipas komunikatës, gjithashtu është vendosur për pezullimin e planeve të zgjerimit të firmës në Rumani dhe Marok.

Objektivi për kapacitetin global të prodhimit të automjeteve nga 4 milionë që ishte parashikuar më parë për vitin 2024, është ulur në 3,3 milionë, thuhet në vijim të komunikatës së «Renault», e cila momentalisht mbulon 4% të tregut global të automobilave.

Në suazën e planeve të uljes së kostos (me 2 miliardë euro), vetëm pushimi nga puna i 15 mijë njerëzve do të jetë e barabartë me 1,2 milionë euro.

Për momentin, «Renault» ka 179 mijë të punësuar në të gjithë botën.

Kategoritë
LajmeTë ndryshme

Të ngjajshmet