Remitencat nga jashtë ndikojnë në uljen e varfërisë në Maqedoni

Në Shkup sot u mbajt forumi ekonomik “Paratë e mërgimtarëve janë të rëndësishme për zhvillimin social të Ballkanit Perëndimor”, në organizim të Institutit për hulumtim ekonomik dhe politik-Shkup.

Sipas hulumtimit të pjesëmarrësve në forumin e sotëm ekonomik, Maqedonia fiton së paku 400 milionë dollarë në formë të remitencave të parave të gatshme në vit, që sipas tyre paraqet rreth 4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Shuma mesatare e remitencave të marra arrin në 12.903 denarë në muaj, gjegjësisht diçka më shumë se 200 euro, ndërsa pjesëmarrja e remitencave në konsum është më shumë se gjysma.

Bllagica Petreski, ekonomiste dhe drejtore ekzekutive në ‘Finance Think-Shkup’, e cila e zbaton hulumtimin thekson se mesatarisht familjet marrin remitenca nga 2.500 euro në vit megjithatë ajo që është me rëndësi është se remitencat kanë rolin e mbrojtjes sociale të pranuesve të ndihmës sociale.

“Familjet që marrin remitenca kanë më pak probabilitet që të jenë të varfër për 27 për qind. Remitencat ndikojnë përmes indikatorit financiar, gjegjësisht pakësimi i varfërisë është indikatori më i rëndësishëm që ulë ndjeshmërinë e pranuesve të remitencave”, tha Petreski, duke rekomanduar deri tek bartësit e politikave që politikat e remitencave të përshtaten në një politikë përkatëse ku do të shfrytëzohen në mënyrë më adekuate.

Sipas hulumtimit, tha Petreski, remitencat në Maqedoni në të shumtën e rasteve vijnë nga vendet e zhvilluara, vendet e BE-së, megjithatë edhe nga vendet tejoqeanike si Amerika dhe Australia.

Në krahasim me rajonin, përkujtoi ajo, Maqedonia shënon një nivel të mesëm të pranimit të remitencave. Shumë më të madhe të remitencave pranon Kosova, duke mos saktësuar për çfarë shume bëhet fjalë. Pjesëmarrës në forumin e sotëm ishte edhe Marko Vladisavleviq nga Fondacioni për zhvillim të Shkencës së ekonomisë nga Beogradi.

Ai tha se në Serbi remitencat arrijnë në 8.5 për qind të PBB të këtij vendi. “Në Serbi remitencat arrijnë 8.5 për qind të PBB-së që është më shumë se Maqedonia, kjo përqindje është më e madhe se investimet e drejtpërdrejta të huaja dhe atë që rezultatet tona e tregojnë është se këto para përdoren për disa gjëra më thelbësore siç janë ushqimi, pagesa e faturave dhe ngjashëm”, deklaroi Vladisavleviq.

Duke folur për rëndësinë e remitencave në standardin jetësor, ai tha se remitencat ulin varfërinë.

“Remitencat në masë të madhe ndikojnë në standardin jetësor dhe të mos ishin remitencat amvisëritë do të ishin në situatë edhe më të keqe”, konsideron Vladisavleviq.

Kamalbek Karimshakov nga Universiteti Manas i qytetit kirgiz Bishkek, tha se vendet e Azisë qendrore, siç është Kirgistani dhe vendet ballkanike kanë tendenca të ngjashme në aspektin e migracioneve, si dhe se Kirgistani është vendi kryesues lidhur me remitacionet për kokë banori.

Konstatimi nga forumi i sotëm është se remitencat në Maqedoni si dhe në vendet e rajonit luajnë rol të madh social për amvisëritë që i marrin, duke ulur shkallën e varfërisë dhe ndjeshmërisë.

Kategoritë
Rajoni

Të ngjajshmet