Reminitencat që po e shpëtojnë Kosovën

Ekonomia e vendit, sipas ekspertëve, mbetet e paqëndrueshme. Buxheti i republikës nuk ka qenë mbase i mjaftueshëm për t’i plotësuar nevojat emergjente të shoqërisë, e problemi nuk ndodhet aty megjithatë, por te keqpërdorimi i tij. Kësisoj, më shumë i ka kontribuar ngritjes së standardit diaspora nëpërmjet remitencave, se sa shpenzimet nëpër projekte – të ashtuquajtura kapitale, nga qeveritë qendrore – shkruan Gazeta e Re.

Diaspora vijon të luaj një rol krucial në ngritjen dhe zhvillimin e standardit të qytetarëve. Të ardhurat nga ky burim, kanë mundur të shfrytëzohen më mirë. Nga ana tjetër, me gjithë vullnetin e treguar të mërgimtarëve, qeveritë nuk u kanë bërë vend investimeve të tyre.

Duke e parë këtë vakum, Kryeministri aktual Ramush Haradinaj, ka takuar sot Kryetarin e Unionit të Bizneseve të Diasporës në Gjermani Nazmi Viqën, të cilit i ka bërë ftesë për të investuar në Kosovë.

«Prita në takim kryetarin e unionit të bizneseve të diasporës në Gjermani, Nazmi Viqa, dhe Vllaznim Kelmendin, drejtor për financa dhe marketing, me të cilët biseduam për mundësitë që afaristët kosovarë ta investojnë kapitalin e tyre edhe në Kosovë. Falënderues për sipërmarrësit e diaspores që po punojnë bashkë për një zhvillim dinamik të Kosovës dhe në këtë drejtim Qeverinë do ta kenë partner të përhershëm» – është shprehur Haradinaj, por mbetet të shihet se sa seriozisht e kishte këtë ftesë.

Nga ana tjetër, vlera e remitencave viteve të fundit ka qenë shumë e lartë. Mërgimtarët më shumë se 800 milionë euro i kanë dërguar vetëm vitin e kaluar. Në përgjithësi statistikat tregojnë një ngritje të vazhdueshme të vlerës së të ardhurave nga diaspora, që nga viti 2014-të e këndej.

Vetëm një vit më përpara vlera e tyre arrinte në 759.2.  Kështu ato kanë shënuar rritje vjetore prej 9.9%.

«Të gjithë tremujorët e vitit 2017 janë karakterizuar me rritje të theksuar të remitencave, ndërkohë që vetëm në TM4 2017, remitencat e pranuara në Kosovë arritën në 205.2 milionë euro dhe shënuan një rritje vjetore prej 19.0 për qind»  – vë në dukje raporti i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për Vlerësimin e Tremujorit të Ekonomisë.

Raporti shpjegon më tej se pjesa më e madhe e të ardhurave vjen nga Gjermania dhe Zvicra, ndërsa ngritja e vazhdueshme e vlerës së remitencave shpjegohet pikërisht me rritjen e aktiviteteve ekonomike nga këto dy vende.

Afërsisht 38%, përkatësisht 22.2% vijnë vetëm nga këto dy vende. Shuma ka ardhur duke u ngritur edhe nga vendet më të largëta si SHBA, të cilat arrijnë deri në gati 7% të të ardhurave. Megjithatë dy vendet Evropiane (Gjermania dhe Zvicra), përbëjnë 40% e pjesës së remitencave.

Përgjithësisht, përgjatë një dekade, vlera e remitencave përmes kanaleve bankare ka qenë mbi 6 miliardë euro.

Duke u nisur nga këto të dhëna, menaxhimi më i mirë i të ardhurave nga diaspora, do ta ndihte Bruto Produktin Vendor. Ndërsa nëse u bëhet vend investimeve nga ky burim, do ta ndihte ekonominë në përgjithësi. Qeveritë paraprake, duke e përfshirë edhe këtë të fundit, janë kritikuar mjaft për shpërfilljen e diasporës, e cila mbetet shpëtimtarja e republikës. /Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet