Reçica i vendosur për njohjen e stazhit të punës së punonjësve të dëbuar me dhunë nga puna nga regjimi serb

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka takuar sot Sindikatën e ish Policëve të Kosovës të viteve 90-ta, në krye me Fatmir Tashollin, për të diskutuar lidhur me njohjen e stazhit të punës së punonjësve të dëbuar me dhunë nga puna nga regjimi serb i asaj kohe.

Ministri Reçica i njoftoi Sindikalistët se Ministria e Punë dhe Mirëqenies Sociale tashmë ka proceduar për miratim në qeveri Projektligjin për Plotësim-ndryshimin e Ligjit 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti dhe është në diskutime me Zyrën e Kryeministrit për të shtyrë para këtë projektligj.

Ministri Reçica siguroi sindikalistët se është duke bërë përpjekje të mëdha që ky projektligj të miratohet në Qeveri këtë vit, me ç’rast do të eliminohej një padrejtësi e madhe që iu është bërë kësaj kategorie të shoqërisë me vite të tëra.

Kategoritë
LajmeVendi