Ramush Tahiri: Elitat politike janë me inate e koncepte ballkanike

Ramush Tahiri është njëri ndër analistët më të njohur politik në vend. Ndonëse ka diplomuar, si politikolog në Fakultetin e Shkencave Politike në Zagreb të Kroacisë, karriera e tij profesionale ka qenë e larmishme. Ai ka punuar edhe si gazetar për një kohë të gjatë, ndërsa në vitet e pasluftës, ka qenë edhe këshilltar politik në disa prej institucioneve më të larta në vend.

Tahiri, së voni, është përfshirë në një varg debatesh rreth krizës politike dhe mënyrave se si do të duhej të dilnim nga kjo situatë.  Për Gazeta e Re ai ka thënë se ekziston çelësi për të dalë nga kjo situatë, vetëm po mungon gatishmëria. Ai është nisur nga ajo që zgjedhjet e fundit ishin për çdo lëvdatë duke i cilësuar madje si <<të lira, të drejta dhe të ndershme>>, duke thënë që përkundër krizës, variantet për ta nxjerr vendin nga kriza, nuk janë shterur.

GeR: Zotëri Tahiri, siç e dini me zgjedhjet e fundit u fitua përshtypja që elita vendore është pjekë politikisht, a ka qenë i ngutshëm ky perceptim sipas jush?

Tahiri: Zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit shkuan pa asnjë ekses dhe pa keqpërdorime dhe si të tilla u pranuan nga të gjitha partitë politike pjesëmarrëse në garë. Pra ishin të lira, të drejta dhe të ndershme. Rezultatet treguan se asnjë grupacion politik, apo asnjë koalicion parazgjedhor, nuk fitoi më shumë se sa një të tretën e votave, një të tretën e vendeve të deputetëve, nga 120 sa janë gjithsej. Populli vendosi se qeveria mund të bëhet vetëm në koalicion paszgjedhor ndërmjet subjekteve të mëdha. Kjo është e kuptueshme dhe deri diku normale në shtetet edhe me një demokraci të zhvilluar. Menduam se zgjidhja do të gjendej në një platformë të përbashkët qeverisëse e cila do të ndihmonte që të ketë një plan akcional të veprimeve dhe një transparencë në punën e qeverisë.

PAN, si koalicion fitues me 39 deputetë sipas kushtetutës e ka të drejtën ekskluzive ta propozojë e para mandatarin për formimin e qeverisë, i cili pa asnjë mëdyshje, do të duhej të dekretohej nga Presidenti i Republikës së Kosovës dhe ky mandatar brenda pesëmbëdhjetë ditëve duhej të dilte për votim në kuvend dhe nëse merr së paku 61 vota qeveria, pra kabineti i ministrave do të jetë i zgjedhur dhe do ta ketë mandatin katër vjeçar për të qeverisur vendin.

Të krijohet përshtypja se elitat politike nuk janë të pjekura por janë me inate e koncepte ballkanike dhe nuk dinë të bëjnë e të ndërtojnë kompromise, e aq m pak nuk dinë të bëjnë programe qeverisëse transparente, të matshme dhe të prekshme. Përvoja qeverisëse ndërmjet LDK-së dhe PDK-së në mandatin e kaluar, sidomos fundi i saj, me votëbesim nga partneri i koalicionit bashkë me akuza të ndërsjella, sikur e prishi imazhin e një qeverisjeje të ndershme dhe me mirëkuptim ndërmjet partnerëve. Edhe koalicioni parazgjedhor PDK-AAK-Nisma, krijoi pakënaqësi të madhe brenda koalicionit PAN sepse derisa AAK deri diku është e kënaqur e edhe Nisma me vendet e fituara, PDK -ja ka shënuar rënien më të madhe të saj me 22-23 deputetë dhe për këtë është shumë e frustruar, aq më shumë me faktin se vendin e kryeministrit nuk e ka për vete por duhet t’ia jap AAK -s, e e cila ka vetëm dhjetë deputetë.

GeR: A mund të shmangej kriza? Duket sikur janë shterur variantet për ta nxjerr vendin na kjo situatë, a mendoni që ka humbur gatishmëria e subjekteve politike për ta tejkaluar krizën?

Tahiri: Variantet nuk janë shterur. Por si duket partitë politike, si brenda ashtu edhe jashtë koalicioneve, nuk janë të kënaqura me rezultatin e arritur në zgjedhje, pra me numrin e deputetëve e aq më pak janë të kënaqura me ndarjen e pushtetit në Kuvend e sidomos në Qeveri. Kishte një marrëveshje të brendshme në PAN që pasi kryeministri i shkon AAK atëherë PDK të merrte gjashtëdhjetë për qind të ministrive, gjë që tash duket e pamundshme nëse zgjerohet koalicioni dhe hyjnë subjektet e tjera si Lista Serbe ashtu edhe AKR.

Qeveria mund të bëhet në këto forma:

– PAN -39, grupet e minoriteteve -20, Teuta Rugova-1 dhe AKR -3, që gjithsejtë bëjnë 63 deputetë, apo dy vota më shumë se është e nevojshme për të zgjedhur qeverinë. Mangësitë e kësaj qeverisje janë se është e brishtë dhe jostabile se ka gati minimumin e nevojshëm të votave, mandej se varet nga hiret e deputetëve të Listës Serbe e cila pothuajse për çdo vendim konsultohet me Beogradin dhe me Presidentin Vuçhiq. Tash është mëdyshja e Pacollit a të bëjë një koalicion të tillë apo jo, sepse deputeti Korab Sejdiu ka refuzuar ta përkrahë, mandej nëse Pacolli bëhet Ministër i Punëve të Jashtme, vendin e tij e zë një deputet i LDK-së, kështu që AKR mbetet vetëm me dy deputetë në Kuvend, që e votojnë qeverinë… e nëse kjo në ndërkohë dështon dhe vendi  shkon në zgjedhje atëherë Pacolli e ka të vështirë t’i bashkohet cilësdo parti të madhe në koalicion, sepse askush më nuk do t’i zinte besë, e si i pavarur në kushtet e krijuara vështirë se do ta kapërcente pragun zgjedhor. Gjithashtu kjo qeveri do të kishte për ballë një opozitë shumë të fortë me VV-në e LDK-në, të bashkuara ose të ndara, që është pak e rëndësishme, por që konsiderohet shumë e fortë edhe politikisht edhe profesionalisht, gjë që  qeverinë do ta bënte shumë të ndjeshme përball çdo mocioni mosbesimi që mund të ngritet kundër saj sa herë mblidhen dyzet nënshkrime, a kjo është e mundur gjithmonë duke pasur parasysh që VV e LAA, pa Pacollin, i kanë 57 deputetë.

– Qeveria mund të bëhet  me AAK -10 , Nisma-6 , VV- 32 dhe minoritetet- 20, pra gjithsejtë  68 deputetë a nëse del edhe Pacolli me katër deputetë atëherë 72 gjithsej, ose 74 me Alternativën, që janë të mjaftueshme për një qeveri stabile duke lënë në opozitë PDK-në dhe LDK-në , që do të ishte e fortë por asnjëherë opozitë e bashkuar. Kjo është e mundur nëse ndodhin apo rriten mospajtimet brenda koalicionit PAN, ose nëse vonohet të emërohet Ramush Haradinaj kandidat për kryeministër nga PAN-i, gjë që për çudi deri tash zyrtarisht nuk është bërë dhe as që ekziston një shkresë e tillë nga PAN.

– Një variant tjetër është nëse arrihet koalicioni ndërmjet VV-32 dhe LAA-29 dhe minoriteteve -20, pra një Qeveri shumë stabile prej 81 deputetësh. Kjo tash për tash duket e pamundshme, sepse me gjithë kërkesën e insistimin e liderit të AKR-së Begjet Pacolli, kontradiktat dhe mospajtimet ndërmjet VV-së e LDK-së janë shumë të mëdha, për shkak të akuzave dhe kundërakuzave, si dhe me hapje të lëndëve nëpër gjykata. Një qeveri e tillë mund të bëhej nëse arrihet një marrëveshje me shkrime publike ndërmjet VV-së dhe LDK-së për bashkë qeverisje katër vjeçare, si në nivelin qendror ashtu edhe në nivelin komunal. Kjo nuk është e pamundshme, sepse secili duke qëndruar në parimet e veta dhe duke harmonizuar qëndrimet mund të ndërtojnë koalicione të suksesshme nëpër komuna. Një variant do të ishte që Kryetarin e komunës së Prishtinës ta merrte LDK-ja, kuptohet, me bashkimin e votave me VV-në, ndërsa kryeministrin ta merrte VV-ja.

– Mund të bëhet edhe një Qeveri teknike me një mandat një vjeçar, me detyra shumë të qarta e konkrete, të afatizuara, e cila do ta kishte përkrahjen e të gjithë spektrit politik dhe të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Kjo Qeveri nuk do të duhej të ishte me përfaqësues politik por me njerëz që janë ekspertë të fushave të ndryshme, profesionalisht të aftë, të pakorruptuar, dhe të pa njollë në të kaluarën e tyre. Kjo Qeveri do të kishte edhe përkrahje të plotë ndërkombëtare dhe nuk do të kishte borxhe ndaj askujt, as politike as klienteliste, as ndaj partive, as ndaj bizneseve e as ndaj qendrave të vendosjes. Ky opsion duket më i pa zbatueshmi, sepse nuk ka nga askush as më të voglin vullnet të shprehur politik që kjo të bëhet realitet. Të gjithë e duan pushtetin për vete dhe asnjeri në shërbim të qytetarëve dhe për popullin e vendin.

– Opcioni më real është që Kosova të shkojë edhe njëherë në zgjedhje të reja parlamentare. Kjo mund të bëhet vetëm me vet-shpërndarje të kuvendit me më së paku 80 vota të deputetëve, ose me një vendim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ku konstatohet se deputetët dhe grupet parlamentare nuk i kanë kryer detyrat dhe të drejtat e veta për të propozuar kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, duke mos e zbatuar kështu vullnetin e popullit dhe mandatin për të cilin janë zgjedhur, pra për të krijuar institucionet dhe organet e Republikës së Kosovës.

Tash mbetet a do të kemi dy palë zgjedhje me 22 tetor të këtij viti, pra zgjedhjet komunale dhe zgjedhjet nacionale. Kjo do të ishte shumë e rëndësishme dhe shumë e dobishme dhe efikase, sa i përket mobilizimit dhe organizimit të zgjedhjeve por edhe sidomos shpenzimeve e kostos së tyre, që do të ishte dukshëm më e vogël sikur këto zgjedhje të mbaheshin veç e veç.

Nëse Kuvendi arrin të konstituohet deri më 12 shtator atëherë evitohen zgjedhjet dhe bëhen të panevojshme sepse krijohen një Qeveri, sado e brishtë që të jetë ajo. Gjithashtu nëse arrihet mirëkuptim dhe Kuvendi vet-shpërndahet deri më 12 shtator atëherë i lihet presidentit që zgjedhjet t’i shpallë më 22 tetor duke respektuar afatin kushtetues që thotë se zgjedhjet e jashtëzakonshme dekretohen nga presidenti të mbahen brenda 40 ditësh nga dita e shpërndarjes së Kuvendit.

Nëse edhe java e parë e shtatorit kalon kot, atëherë i vetmi opsion mbetet të priten zgjedhjet komunale, dhe të shihet kush sa po fiton dhe kush me kënd po bënë koalicion. Atëherë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare do të mbaheshin dikund në muajin dhjetor të këtij viti. Është shumë e sigurt se atëherë partitë e mëdha VV, LDK, PDK do të garojnë të vetme dhe pa partitë satelite që tash fitojnë pak vende, disa në kurriz të partive të mëdha, ndërsa marrin shumë hise në pushtet.

GeR: Cili është fajtori kryesor sipas Jush?

Tahiri: Ai që nuk po zbaton kushtetutën dhe ligjin. Pra PAN është fajtor sepse nuk po e propozon kandidatin për kryeparlamentar dhe një tjetër për nënkryetar të kuvendit. Pra nuk po e kryen obligimin kushtetues dhe ligjor, si koalicion që ka dalë i pari sipas rezultateve të zgjedhjeve. Pa e bërë këtë nuk mund të vazhdoj mbledhja kunstituive e Kuvendit e as nuk mund të vazhdohet me pikat e tjera. Ndërsa po të propozohen kandidatët dhe nuk marrin numër të mjaftueshëm të votave, atëherë, le të themi, topi mbetet te deputetët dhe grupet politike që nuk votuan dhe te shpjegimet e institucionit, te parimi i votimit formal për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të të pestëve dhe të shihet se poenta ligjore është te e drejta e kandidimit që fitohet sipas fuqisë së votës së fituar në zgjedhje, e jo te e drejta e votimit

Arsyetimi i PAN se nuk i kanë bërë numrat nuk qëndron dhe nuk është ligjor. I njëjtë do të ishte sikur të thoshin: I kemi numrat por na nevojitet kohë të harmonizohemi për emrat e kandidatëve. Edhe ashtu duket se nuk është arritur marrëveshja se nënkryetari a do të jetë nga radhët e PDK-së apo të AAK-së, prandaj edhe nuk është bërë publik deri tash emri i tij krahas emrit të Kadri Veselit.

GeR: A do të ketë pasoja afatgjata për vendin sipas jush një krizë e tillë?

Tahiri: Gjithsesi se do të ketë pasoja edhe afatgjata edhe afatshkurta, që ishin krejtësisht të panevojshme. Së pari humbet kredibiliteti në sytë e popullit, por edhe te partnerët ndërkombëtar, sepse tregojmë se s’dimë të respektojmë procedurat, se s’kemi vullnet për kompromis në suaza ligjore, se s’kemi vullnet dhe s’dimë të qeverisim. Tjetër mbesim prapa shumë proceseve në bashkëpunimin ndërkombëtar edhe bilateral edhe multirateral. Serbia me qëndrimin e saj avancon karshi Kosovës. Mandej ne vonohemi në të gjitha reformat e brendshme tonat, në të gjitha lëmitë. Mandej ngecim në politikat zhvillimore, në infrastrukturë, në investime, në tërheqje fondesh e grandesh, në nënshkrim të marrëveshjeve ndërkombëtare në anëtarësim në organizata ndërkombëtare, në shërbime, etj. Kriza institucionale  prodhon bllokadë të funksionimit të shtetit./Gazetaere.com/

 

 

Kategoritë
INTERVISTA JAVORELajmet Kryesore

Të ngjajshmet