Ramazani kaloi, xhemati dështoi

Shkruan: Faik Miftari

Në  dy periudhat e kaluara  kohore, 1989-1999 dhe 1999-2014,  kemi pas një fluks të shtuar të prezencës së besimtarëve mysliman, të xhematit në xhamitë e Prizrenit, sidomos  gjatë namazeve javore të xhumasë dhe namazeve të teravive gjatë  Ramazanit. Nga viti 2014  e këndej kemi një ulje të prezencës së besimtarëve mysliman, xhematit në xhamitë e Prizrenit, me ç’rast  këtë vit arriti kulminacionin gjatë Ramazanit në namazet e teravive e besa edhe në namazin javor  të xhumasë, e të mos flasim më për namazet e rregullta ditore.

A thua cilët janë shkaqet që kanë ndikuar në këtë rrënje rapide të prezencës së besimtarëve mysliman në xhamitë e Prizrenit gjatë këtyre pesë viteve të fundit, apo kush janë faktor objektiv dhe subjektiv? Duke pas parasysh se Prizreni  tani  i ka 40 xhami, dhe se gjatë pesëmbëdhjet netëve të para  të Ramazanit nuk pata mundësi që të vizitojë xhamitë anembanë Prizrenit, pasi që isha i preokupuar me dhënien e provimit të jurisprudencsë, gjatë 15 netëve të fundit arita të vizitojë  12 xhami që gjenden jo vetëm në qendër të qytetit por edhe ato në periferi të qytetit.

Për dallim nga periudhat e mëparshme të cekura kur gjatë namazeve të teravive kishim prezencën e disa qindra besimtarëve mysliman në xhamitë e caktuara të Prizrenit, tani në këtë Ramazanin e sivjem prezenca e xhematit në namazet e  teravive ka ra në vetëm disa dhjetëra besimtar.

Në xhaminë qendore të Prizrenit, atë të xhamisë së Mehmet Pashës (Bajraklisë)  pran së cilës gravitoj, ku shërben imami Reshat ef. Mexhiti,  për dallim nga periudhat e mëparshme në të cilën  kishim prezencën e rreth 150-200 xhematlinjëve, tani në këtë vit ky numër  ka rënë në  vetëm 50 sosh, ndërsa prej 100-150 femra që kryenin faljen e teravive dikur , tani ky  numër në këtë Ramazan ka rënë në vetëm  10-15 femra.  Në xhaminë e Jenimahalllës, ku si imam shërben Mazllum ef. Mazllumi, e cila ka qenë xhami më e frekuentuar para dhe pas luftës në Prizren, me ç’rast në namazet e teravive merrnin pjesë rrejt 300-400 xhematlinjë tani sivjet ky numër ka rënë në vetëm 30-40 xhematlinjë prezent  në namazet e teravive. Hiq më mirë  nuk ka qenë edhe në xhamitë tjera të qytetit që i kam vizituar, në të cilët numri i besimtarëve sillej mesatarisht prej 50-100  xhematlinjë, sikurse në xhaminë e Sinan Pashës, Emin Pashës, Hz. Ebu Bekrit në Tuzsus, Hz. Alisë në Jaglenicë, e tjerë. Ndërsa më së paku  xhematlinjë ka pas në xhaminë e Sejdi beut, ku si imam shërben  Lutfi ef. Ballëku, natën që e vizitova këtë xhami ishim vetëm 12 besimtar  që falëm namazin e teravisë. Realiteti i hidhur por i vërtetë, Zot ruana! Kjo situatë shqetësuese  që ishte prezent në zonën urbane të qytetit gjatë këtij muaji të bekuar të Ramazanit, në zonat rurale ishte akoma  më dëshpëruese,  duke pas parasysh  vizitat e imamëve të caktuar të Prizrenit fshatrave të Prizrenit, nga pamjet e postimeve të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit në portalin e tij shihej se sa të paktë në numër ishte prezenca në namazin e teravisë.

Dikush do të mund të thoshte  se ky nuk mund të jetë parametër real i krahasimit të tillë, pasi që namazi i teravisë  është sunet, nuk është i obligueshëm, mund të falet edhe në shtëpi. Plotësisht  pajtohem me këtë, sa për mua kjo nuk është fare problem a i falë një besimtar 20 rekate teravi, apo 8 rekate, apo nuk i fal fare teravitë, bile sipas meje prej vitit tjetër do të ishte e preferuar  të falen vetëm 8 rekate teravi në xhami, pasi që edhe ashtu pas 8 rekateve gjysma e xhematit po braktis xhaminë, ashtu që nuk po ka efekt falja e 12 rekateve tjera nga neve që qëndronim në xhami për të vazhduar faljen e namazit të teravive.

Është me rëndësi primare që besimtarët  të falin dhe të marrin pjesë në namazin e përbashkët të jacisë në xhami, edhe po që dilnin pas 8rekateve të teravisë, nuk bëhet nami, por është shqetësuese tej mase dukuria prezente sivjet në Prizren. Para dhe pas namazit të teravive me mijëra të rinjë e të reja dalin në mbërmje në qytet, dhe pothuajse nuk ka vend në kafe, çajtore, ëmbëltore, për të të pirë nga një kafe , çaj, lëng, ëmbëlsirë apo akullore, dhe  nga ky numër nga mijëra të rinjë e të reja, për fat të keq vetëm disa qindra të rinjë e të reja kanë marr pjesë në faljen e namazit të jacisë dhe të teravive në  xhamitë e Prizrenit.

Në periudhën e monizmit  kanë qenë vetëm 20 xhamitë në Prizren dhe të gjithë ishin të mbushura, ndërsa tani  janë 40 xhami dhe pothuajse të gjitha janë gjysmë të zbrazura. Sa për ilustrim do të cek se,  para 30 vitesh kanë qenë 20 xhami në Prizren,  ndërsa numri i banorëve në atë kohë ka qenë vetëm 90.000 banorë, ndërsa tani janë  40 xhami, ndërsa Prizreni i ka 180.000 banor.

Faktorët kryesor për kët gjendje alarmante  të rrënjes rapide të prezencës së besimtarëve mysliman në xhamitë e Prizrenit  janë si objektive(Këshilli i Bashkësisë Islame të Prizrenit) ashtu edhe  subjektive(imamët e xhamive).

Qëllimi parësor i stafit menagjues të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, duke u nisur nga kryetari, kryeimami, sekretari, arkatari, e tjerë do të duhej të ishte organizimi dhe mbarëvajtja sa më e  suksesshme e jetës  fetare në Prizren, duke u nisur që nga dava (thirrja) në besim, ikre(leximi), ilmi(dija), mbajtja e mësim besimit me fëmijët, distribuimi i literaturës islame në xhamia, kërkimi i metodave të reja kundruall kohës të afrimit dhe tërheqjes  së  besimtarëve mysliman në xhamia, etj. Këtë detyrë primar  pothuajse e kanë anashkaluar   tërësisht zyrtarët e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit duke e shpërqëndruar veten në aktivitete tjera  sekondare dhe terciare, por që assesi  nuk mund të krahasohen me objektivin primar, organizimin e jetës fetare me xhemat në xhamia.

Këtë kur e them e kam parasysh gjithmon aktin më të lartë juridik të Bashkësisë Islame të Kosovës, Kushtetutës së saj, të cilën e parafrazojë: ”Këshilli i Bashkësisë Islame është organ themelor i Bashkësisë Islame në territorin e vet i cili kujdeset për të gjitha çështjet e jetës fetare dhe për të gjitha nevojat tjera të xhematit dhe bashkësisë islame”. Këshilli i Bashkësisë Islame: ”organizon  jetën e gjithëmbarshme fetare, kryerjen e ceremonive fetare dhe mësim besimin fetar, kujdeset ër ndërtimin dhe mirëmbajtjen e xhamive, mesxhideve, mektebeve, bibliotekave etj.Kujdeset  për ruajtjen e varrezave, tyrbeve, monumenteve të kulturës islame dhe pronës së Bashkësisë Islame, si dhe përdorimin e drejtë të tyre. Siguron mjetet për funksioninimin e Bashkëisës Islame duke grumbulluar anëtarësinë, kontributet dhe të ardhura tjera,….”

Stafi menagjues i Këshillit ë Bashkësisë Islame të Prizrenit tërë angazhimin e tij tani e ka përqëndruar në ofrimin e shërbimeve për të vdekurit, duke ofruar kushte më të mira në krahasim me periudhat mëparshme,  sigurimin e mjeteve financiare, përveç anëtarësive, zekatit, fitrave, kurbanave, tani përveç qirave nga dyqanet, me hapjen e Konakut siguron mjete shtesë financiare për financimin e tyre, pasi  që tani i kanë rritur në tejmasë   numrin e  të punësuarve administrativ  dhe teknik në selinë e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, ashtu që nga numri i personelit të dikurshëm që ka qenë përpara vetëm 5 , tani numëron 15, si dhe është bërë dyfishimi i imamëve dhe myjezinëve me shtimin e xhamive të reja në Prizren. Përqëndrimi tjetër  i stafit menagjues, e sidomos të  kryetarit i saj (Besim ef. Berisha), është në shpërndarjen e pakove  dhe ndihmave tjera të  varfërve dhe personave tjerë me nevojë, ashtu që lirisht mund të themi se ka ndodh  transformini i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit  nga një institucion fetar në një organizatë apo shoqatë humanitare bamirëse. Nuk është se ky aktivitet  nuk është i nevojshëm, porse roli i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit sipas aktit më të lartë juridik, është krejtëisht i karakterit tjetër, i cekur si më lartë.

Gjatë këtyre ditëve është emëruar  edhe kryeimami i ri Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, Orhan ef. Bislimaj, të cilin e përgëzoj dhe i dëshiroj sukses, dhe shpresoj që ai  të vejë në binar qëllimin parësor , atë të organizimit dhe mbarëvajtjes sa më të suksesshme të jetës fetare, duke marr pas parasysh gjithnjë Kushtetutën e Bashkësisë Islame të Kosovës, të cilën e parafrazojë: “Kryeimami është autoritet më i lartë në territorin e Këshillit të Bashkësisë Islame,njëkohësisht edhe personalitet kryesor fetar,i cili ka për detyrë të harmonizojë dhe të koordinojë punën e imamëve, të organizojë jetën fetare dhe të kujdeset për zbatimin e drejtë të normave të Sheriatit dhe të Bashkësisë Islame në territorine vet”.

Faktor subjektiv për këtë gjendje shqetësuse të humbjes apo largimit të  xhematit nga xhamitë e Prizrenit, janë imamët në xhamitë e Prizrenit, dhe sipas meje janë fajtor kryesor për këtë gjendej alarmante.

Kryeimami i ri do të duhej të riorganizojë  aktivitetin fetar ashtu që për një kohë të caktuar të pezullojë aktivitetin e  rregulltë ditor  të imamëve të caktuar, përveç  aktivitetit të tyre javor dhe vjetor, atë të udhëheqjes së namazeve të xhumasë dhe të dy Bajrameve, gjersa nuk e përmirësojnë veten dhe nuk arrijnë rezultate të duhura në përmirësimin e jetës fetare dhe tërheqjen e xhematit:

  1. Imamët, përveq pushimit të tyre të rregulltë javor dhe vjetor që i kanë, nuk janë të rregulltë në namazet e tyre ditore, ka raste që mungojnë  në gjysmën e vakteve të obliguara për të udhëhequr xhematin në faljet ditore;
  2. Imamët që për shkak të pasivitetit të tyre dhe mos aktivitetit të duhur, kanë arritur që numri i  xhematlinjëve në xhamitë e tyre të jenë vetëm disa sosh;
  3. Mosmbajtja fare e mësim besimit fetar për fëmijë, sikurse edhe mosafrimi  dhe mos prezenca  e fëmijëve  në xhami në namazet ditore apo javore;
  4. Hytbet(ligjeratat ) javore të imamëve janë  jashtë aktualitetit kohor, pothuajse të njëjta dhe që vetëm përsëriten gjatë periudhave të caktuara kohore;
  5. Mos leximi nga ana e imamëve dhe mos distribuimi dhe shpërndarja e revistave fetare  xhematit të tyre që botohen nga Institucioni(BIK-u), pjesë përbërse e të cilit janë, ashtu që në qoshet dhe dritaret e xhamive hasen me dhjetëra revista të pashpërndara të Diturisë Islame, Edukatës Islame dhe Takvimit vjetor.
  6. Mos pasja e sensit të imamëve me kohën në të cilin jetojnë dhe mos aftësia e tyre që të përballen  dhe të japin përgjigje ndaj risive të reja teknologjike, që nga telefonat e mençur, interneti e gjer te rrjetet sociale që po kanë ndikim marramendës edhe në xhematin e tyre në xhamia.

Në rast se imamët dhe kryeimami nuk ndërmarrin diq në përmirësimin e kësaj dukurie shqetësuese për momentin që është prezent, druaj se së shpejti  në një periudhe të afërtë  kohore, xhamitë e Prizrenit do të mbesin  të frekuentuara  nga besimtarët mysliman, xhematlinjë, vetëm për namazin javor të xhumasë dhe atë të  dy namazeve vjetore, të Bajrameve. Natyrisht, nuk janë fajtor vetëm kryetari, kryimami dhe imamët për këtë gjendje alarmuese, porse barra kryesore bie mbi ata, pasi që  në ditën e llogaridhënjes para Krijuesit Fuqiplotë, Allahut të madhëruar, do të japin përgjegjësi  për amanetin e marrë mbi supet e tyre për udhëheqjen dhe mbarëvajtjen e xhemateve dhe xhamive e Prizrenit.

     10.06.2019                                                                                                                                                                                                                                                                  Faik MIFTARI


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONE

Të ngjajshmet