Rama: Zgjedhje të parakohshme nëse opozita fiton më 30 qershor

​Kryeministri Edi Rama, në aktivitetin “Bashkia që duam” pjesë e sesionit të dytë të Kongresit të Partisë Socialiste, ka folur për ndryshimet në Tiranën që udhëhiqet nga Erion Veliaj duke deklaruar se “Tirana sot është mishërim i forcës sonë transformuese dhe pasqyrë e dëshirës sonë për ndryshimin”.

Rama ktheu në retrospektivë Tiranën e para 4 viteve, ndërsa ftoi qytetarët që të kthejnë kokën pas. Kryeministri tha se “kjo Tiranë nuk ka asnjë lidhje me atë që mund të shihet me sytë e kujtesës”.

Duke folur për zgjedhjet lokale të qershorit, Rama tha se do të mbahen edhe pa opozitën nëse është nevoja. Ai shkoi edhe më tutje, kur sfidoi opozitën, se nëse ata do të triumfonin në zgjedhje lokale, do të shkonin në zgjedhje të parakohshme.

“Nëse ju në zgjedhjet e 30 qershorit, do fitoni një bashki më shumë se ne. Jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. E di që ju s’do e pranoni këtë sfidë. Ju se mundni dot PS as në Kukës dhe as në Skrapar, dhe lerë pastaj në të gjithë Shqipërinë”, tha Rama.

Megjithatë, shefi i qeverisë shqiptare tha se PD ka frikë të hyjë në zgjedhje pasi nuk i fiton, duke shtuar se Basha do të dilte i humbur edhe nëse në garë do të ishte i vetëm.

“Lulzim Basha i ka tmerr zgjedhjet sepse nuk i fiton dot. Lulzim Basha nuk i fiton dot as në partinë e tij por të mos i vjedhë. Jo më t’i fitojë me xhelisin e madh të sistemit që kemi zgjedhur që as nuk do ta ndërrojmë dhe as nuk do ta përçudnojmë për hatër të Lulzimit. Madje unë kam një dyshim, por nuk e provoj dot, sikur ne të mos futemi në zgjedhje më 30 qershor dhe Luli të futet vetëm prapë nuk i fiton zgjedhjet sepse seriozisht mund t’i vjedhë, por nuk i fiton dot. Jo më ta votojnë”, tha Rama

Rama ftoi partitë opozitare që të ulen në tryezë për të diskutuar disa prej çështjeve të hapura, si reforma zgjedhore që përfshin numërimin elektronik.

Kryeministri shqiptar ka pasur mesazhe edhe për presidentin Ilir Meta, që ditë më parë deklaroi se është i gatshëm të sakrifikohet për vendin duke dhënë dorëheqjen.

“Po ta besojmë Monikën LSI nuk përfaqëson më as Ilir Metën. Ilir Meta ndihet kaq i pa përfaqësuar sa i duket sikur një juntë ushtarake do sulmojë pallatin Presidencial. Zoti president e di që më dëgjon rri i qetë. Jemi dhe do të mbetemi gjithmonë vend i NATO-s. Nëse nuk më beso mua beso Pandin. Të garantoj se sa të kemi Pandin ky vend nuk del nga NATO. Dhe në fund të ditës fundi politik i Lulit dhe i Monikës nuk duhet të jetë problemi im, i yti dhe i yni”, deklaroi Rama.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet