Rama: Procesi i rindërtimit ka impakt në ekonomi

Kryeministri Rama theksoi se procesi i rindërtimit ka një impakt në ekonomi dhe sipas tij disa aspekte të ekonomisë lidhen drejtpërdrejt me rindërtimin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë për mediat ka deklaruar se procesi i rindërtimit në vend është edhe një proces i rimëkëmbjes ekonomike, sipas tij, të konkretizuar nga një rritje ekonomike e konsiderueshme, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e tij, Rama u fokusua tek impakti në ekonomi i procesit të rindërtimit të banesave për familjet që u prekën nga tërmeti shkatërrimtar i vitit të kaluar.

Kryeministri Rama theksoi se procesi i rindërtimit ka një impakt në ekonomi dhe sipas tij disa aspekte të ekonomisë lidhen drejtpërdrejt me rindërtimin.

“Deri një ditë para tërmetit projeksionet e 2020 për ekonominë shqiptare ishin shumë optimiste dhe pozitive, duke iu referuar shifrave zyrtare dhe të konfirmuara nga institucionet financiare me shkrim në raportet dhe konkluzionet përkatëse”, u shpreh Rama.

“Aktualisht janë 70 projekte të rindërtimit që janë në zbatim në Bashkinë e Tiranës, në zbatim apo në prag të fillimit të zbatimit me një vlerë të përgjithshme 80 milionë euro dhe këtu hyjnë banesa, qendra shëndetësore dhe shkolla, etj, projekte të cilat në fazën e tyre të zbatimit të plotë do të gjenerojnë rreth 15 mijë vende pune”, tha Rama.

Kryeministri Rama u ndal edhe në masat që ka marrë Qeveria e Shqipërisë për ripunësimin e personave që humbën vendin e punës gjatë karantinës. “Sot ne kemi një shifër të saktë, kemi 13 mijë persona ende të pa ri-integruar nga rreth 33 mijë që e humbën vendin e punës si pasojë e karantinës. Duam t’i ripunësojmë sa më shpejt ata që ishin në punë të regjistrua”, theksoi Rama.

Ministri i Rindërtimit i Qeverisë së Shqipërisë, Arben Ahmetaj, i pranishëm në konferencën për media me kryeministrin Rama tha se në procesin e rindërtimit në vend janë 175 kompani të angazhuara. Ai tha se janë 2.065 të punësuar më shumë në sektorin e ndërtimit në gusht 2020 krahasuar me shkurt 2020.

Në Shqipëri po vazhdon procesi i zbatimit të projekteve të rindërtimit për familjet që u prekën nga tërmeti i nëntorit të vitit të kaluar, mes tyre edhe projekti i Qeverisë së Turqisë.

Kujtojmë se projekti i financuar nga Turqia përfshin ndërtimin e 524 apartamenteve dhe zhvillohet nga Autoriteti Shtetëror i Zhvillimit Strehimor të Turqisë (TOKI) me udhëzim të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ndërsa punimet në Njësinë Administrative Laç, në Bashkinë e Kurbinit, po realizohen nga kompania Albayrak.

Tërmeti shkatërrimtar i nëntorit të vitit të kaluar me magnitudë 6,3 ballë në Shqipëri, shkaktoi dhjetëra viktima, plagosi qindra të tjerë, si dhe zhvendosi nga banesat e dëmtuara rreth 17 mijë njerëz.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet