Rama paralajmëron PS-në: Rritni shërbimin ose njerëzit humbin durimin me ne

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kërkuar sot nga anëtarët e Asamblesë Socialiste të rrisin vëmendjen dhe shërbimin ndaj qytetarëve.

“Niveli i shërbimit ndaj qytetarëve jo vetëm që nuk mjafton, por duhet të na shqetësojë”, theksoi ai.

Rama paralajmëroi se nëse anëtarët e PS nuk e kuptojnë këtë fakt, atëherë njerëzit do të humbasin durimin me mazhorancën dhe nuk do t’i mirëkuptojnë gabimet e saj.

“Nëse nuk e kuptojmë këtë sa më parë, aq më shpejt, njerëzit pas 30 qershorit do të humbasin durimin me ne. Do të jenë shumë më pak të pritur të mirëkuptojnë gabimet tona dhe nuk do të kenë asnjë gatishmëri të na falin kusuret që na i kanë falur deri më 30 qershor”, tha Rama.

Ai edhe një herë bëri të ditur qëndrimin e tij se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme.

“Tani 30 qershori është histori, ndërsa dy vjetët e mbetur të qeverisjes dhe katër vjetët e qeverisjes lokale që fillojnë, janë një borxh i shumëfishuar ndaj gjithë atyre që i dhanë Shqipërisë fitoren e 30 qershorit”, tha Rama. /tch

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet