Rama mbi projektin e Turqisë për banesat: Shprehje e një angazhimi shumë vëllazëror

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, projektin e Qeverisë së Turqisë për ndërtimin e banesave për familjet e prekura nga tërmeti i vitit të kaluar, e vlerësoi si shprehje e një angazhimi shumë vëllazëror

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka realizuar një vizitë në Njësinë Administrative Laç, në Bashkinë e Kurbinit, ku po zbatohet projekti i financuar nga Turqia për ndërtimin e banesave për familjet e prekura nga tërmeti i vitit të kaluar, duke inspektuar punimet së bashku me zyrtarë të tjerë, raporton Anadolu Agency (AA).

Së bashku me kryeministrin Rama gjatë inspektimit të punimeve ishin edhe ministri i Rindërtimit i Qeverisë së Shqipërisë, Arben Ahmetaj, kryetarja e Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara dhe Servet Birgören, drejtori i projektit dhe përfaqësuesi i kompanisë Albayrak që realizon punimet, duke shikuar nga afër ecurinë e zbatimit të projektit.

Rama: Është një punë shembullore dhe shprehje e një angazhimi shumë vëllazëror

Në një deklaratë për AA, kryeministri Rama e vlerësoi projektin e Qeverisë së Turqisë si shprehje e një angazhimi shumë vëllazëror.

“Jemi shumë të kënaqur me angazhimin, me seriozitetin, me cilësinë e punës dhe patjetër me ritmin e punës. Është një punë shembullore, shprehje e një angazhimi shumë vëllazëror, shumë serioz dhe ne jemi shumë mirënjohës. Projekti do të kalojë në disa faza normalisht, por duke filluar nga fundi i marsit, shpresoj me ndihmën e Zotit, ne do të kemi të disponueshme një pjesë të apartamenteve dhe pastaj në gusht gjithë lagjja e re do të jetë e kompletuar”, tha kryeministri Rama.

Bashkëpunimin me Qeverinë e Turqisë, sa i përket edhe ndihmave pas tërmetit të vitit të kaluar, Rama e konsideroi “perfekt”.

Drejtori i projektit dhe përfaqësuesi i kompanisë Albayrak që realizon punimet, Servet Birgören, për AA tha se në muajin mars të vit të ardhshëm do të dorëzohen një pjesë e apartamenteve.

“Para një muaj e gjysmë kemi filluar punimet. Si fillim fare bëmë studimet gjeologjike duke hapur 28 pika për formacionin e tokës, një punë që do mbaronte për gjashtë muaj e bëmë për 25 ditë. Sipas formacionit të tokës që është bërë nga studimet gjeologjike, doli që të bëjmë përforcimin e tokës. Për 20-25 ditë fillojmë hedhjen e betonit. Me ndihmën e Zotit në muajin gusht do mbarojmë komplet projektin si firma Albayrak”, u shpreh Birgören.

Projekti që përfshin ndërtimin e 524 apartamenteve zhvillohet nga Autoriteti Shtetëror i Zhvillimit Strehimor të Turqisë (TOKI) me udhëzim të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ndërsa punimet po realizohen nga kompania Albayrak. Ndërkohë, kujtojmë se pas tërmetit të vitit të kaluar, ekipet e institucioneve të ndryshme nga Turqia mbërritën në Shqipëri për ndarjen e ndihmave dhe për operacionet e kërkim-shpëtimit.

Tërmeti shkatërrimtar i nëntorit të vitit të kaluar me magnitudë 6,3 ballë në Shqipëri, shkaktoi dhjetëra viktima, plagosi qindra të tjerë, si dhe zhvendosi nga banesat e dëmtuara rreth 17 mijë njerëz.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet