“Rahmeti” i muajit të Ramazanit në zgjedhjet e 11 qershorit

Kanë mbetur edhe pak ditë deri në fillim të muajit të shenjtë të Ramazanit, po ashtu edhe të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen me 11 qershor. Është hera e parë që në Kosovë fushata zgjedhore e procesi i votimit do të zhvillohen në muajin e Ramazanit.

Përderisa, ky muaj karakterizohet me agjërim, kjo për besimtarët musliman ka një rëndësi të veçantë. Nisur nga fakti se shumica e popullsisë së vendit i takojnë këtij besimi, në opinion ka filluar të diskutohet ndikimi që mund të ketë muaji i Ramazanit tek fushata zgjedhore. Mëdyshja më e madhe ka të bëjë me atë nëse do të zvogëlohet numri i qytetarëve nëpër këto fushata.

Sociologut Besim Gollopeni ka thënë për Gazeta e Re se është e lodhshme dhe e mundimshme për qytetarët  që njëkohësisht të jenë agjërueshëm dhe aktiv në fushatë zgjedhore.

“Këto zgjedhje të parakohshme për koincidencë kanë rastisur të jenë në muajin e Ramazanit edhe po të donim natyrisht që do të ishte e pamundur për t’i shtyrë sepse një gjë të tillë nuk e lejojnë ligjet dhe rregulloret e vendit dhe kjo ndoshta bie ndesh me dëshirat e atyre besimtarëve që janë shumicë në shoqërinë kosovare që e agjërojnë muajin e Ramazanit. Sigurisht që po të ishte mundësia për t’i shtyrë këto zgjedhje do të ishte një përparësi veçmas e madhe për besimtarët musliman, pra për shumicën e shoqërisë kosovare në veçanti për ata që agjërojnë. Për agjëruesit nuk do të jetë aspak e lehtë sepse të qenit agjërues edhe pjesëmarrës aktiv në fushatë zgjedhore natyrisht se ka efekt, është e mundimshme, është e lodhshme, është ngarkesë shumë e madhe” është shprehur Gollopeni duke shtuar se, e gjithë kjo ndodh për shkak se kategoria që e agjëron muajin e Ramazanit ka mungesë të ushqimit e ka gjumë jo të rregullt për shkak të zgjimit natën për syfyr. Veç kësaj, ai thotë se “temperaturat e larta natyrisht që ndikon tek në koncentrimin e mjaftueshëm për të bërë një fushatë të mirëfilltë pra për të qenë aktiv në fushatë ”

Mirëpo, pavarësisht sa e mundimshme është e gjithë kjo, Gollopeni beson se përderisa ekziston vullneti i dyanshëm për këtë kategori shoqërore, që në njërën anë të mbajnë agjërimin dhe në tjetrën të zhvillojnë fushatën elektorale sipas tij, ndoshta mund t’ia dalin me sukses.

Gollopeni, efektet e Ramazanit në fushatë zgjedhore i sheh më së shumti tek elektorati i pakënaqur me klasën politike, që sipas tij shkaku i agjërimit do të mund të mos i ndjekin këto fushata. Madje ai thotë se mund të ketë ndikim edhe në daljen e qytetarëve në votim.

“Kur flasim për këtë periudhë, ajo që shoh se më së shumti do të ketë efekte është pikërisht tek masa dhe votuesit e pakënaqur me klasën politike, e cila shumë me lehtësi ndoshta edhe mund të hiqet dorë nga pjesëmarrja, por edhe të qenit aktiv në ndjekjen e programeve të partive politike. Sigurisht në anën tjetër mund të ketë efekte edhe në daljen në votime, heqje dorë nga pjesëmarrja në votime gjatë Ramazanit”.

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike në vend Bajrush Morina, efektin e  muajit të Ramazanit e sheh tek subjektet politike. Sipas tij, ato do ta shfrytëzojnë këtë muaj për të ndikuar tek votuesit.

“Muaji i Ramazanit do të jetë muaj i “rahmetit” të partitë politike të cilat do të përpiqen që në emër të Ramazanit të vjedhin e të bëjnë dallavere me vullnetin e votuesve. Unë mendoj se është “mëkat” për partitë politike që të kërkojnë votën e atyre agjëruesve të cilët nuk hanë e nuk pinë 17 ore dhe në ndërkohe duhet t’i dëgjojnë “përrallat” e partive politike. Ramazani është muaj i paqes e mëshirës ndërkaq për partitë politike do të jetë muaj i “mëkatit”, ka thënë Morina.

E disa prej qytetarëve të cilëve edhe u drejtohen këto fushata e pranojnë se mund të jetë shkak agjërimi që do t’i shtyj ata të mos dalin për të ndjekur fushatat zgjedhore të partive politike.

Kujtojmë që kundër zhvillimit të një procesi zgjedhor gjatë muajit të Ramazanit ishte edhe Kryeministri në largim Isa Mustafa. Para shpalljes së këtyre zgjedhjeve ai pati deklaruar se derisa në Kosovë ka një komunitet të madh musliman i cili agjëron partitë nuk do të mund ta thërrasin  atë që të dalë në fushatë, ose sipas tij t’i kërkohet vota në kohën e agjërimit./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet