Ragip Luta: Në ato fusha që janë mvarë direkt p’ej politikanëve kryesisht âsht bâ regres

Ragip Luta, njëri prej themeluesve të FLO-së (Festivali i Letërsisë në Orllan), tash e sa kohë jeton dhe vepron në Londër. Pikërisht atje, për dy dekada rresht ka punuar për BBC World Service, fillimisht si realizator programesh e më pas si redaktor (përgjegjës për korrespondentët online).

Ai ka përvojë pune edhe me programet Newshour, World Update, Europe Today dhe World Have Your Say si dhe me Departamentin e Trajnimit të Shërbimit Botëror të BBC-së.

Në këtë intervistë për Gazeta e Re, ai shprehet i bindur që shoqëria kosovare ka ç’ka t’i dhurojë botës dhe kjo veç është dëshmuar sipas tij, në disa fusha, me përjashtim të politikës.

GER: Z. Luta, çka po ndodh me FLO-në (Festivali i Letërsisë, Orllan). E patët filluar me entuziazëm këtë punë?

  1. Luta: Entuziazmi edhe ma tutje âshtë ai elementi që ma së paku na mungon sa i përket FLO-së por ka kohë që vështirësitë janë shtu nga viti në vit. Tue qenë nji festival jofitimprurës – e kam fjalën në aspektin financiar, se pasunimi shpirtnor âsht i pamohueshëm; – pa bileta, âsht e natyrshme që organizimi i tij mvaret nga sponsorët. Në rastin e edicionit të fundit psh kemi qenë ngat anulimit po të mos ishin fondet për të cilat u kualifikuem në konkursin e programit të BE-së, Culture For All, dhe nga Ambasada amerikane. Tri vjetët e fundit të organizimit të festivalit, në kohën kur FLO po fitonte reputacion në skenën kulturore ndërkombëtare si nji organizim i rrallë i tillë në Ballkan (provë për këtë janë edhe artikujt e botuem në mediume ndërkombëtare të letërsisë), Ministria e Kulturës e Kosovës vendosi që çdo vit të shkurtonte buxhetin me nga 30%, psh nga €4500 në €1500 vitin e fundit. Sa i përket institucioneve vendore, më duhet me thanë se cilësinë e organizimeve nuk e kanë si kriter simbas të cilit vendosin me nda mjete. Duhet me plotësue ndonji kriter tjetër, jashtëorganizativ, jashtëletrar, jashtëkulturor… që t’mos bâj naj akuzë ma t’randë. Shkurt, jemi tu bâ përpjekje m’e gjetë naj model financimi që kish me na ndihmu mos me u mvarë p’ej institucioneve të tilla.

GER: Komuniteti letrar në Kosovë, por besoj edhe ai shqiptar në përgjithësi, e ndanë mendimin se: ky festival ka pasur një jehonë të madhe edhe ndërkombëtare. Sipas jush, a janë tejkaluar pritshmëritë në këtë aspekt?

  1. Luta: Të drejtën me thanë kur kemi mendu me nisë festivalin e vetmja gjâ që kemi pasë në mendje ka qenë veç qysh me i ofru publikut kosovar nji manifestim kulturor të nivelit e cilësisë që mbahen këtu në Angli, nji manifestim me letërsi cilësore t’shoqnueme me muzikë cilësore e kulturë të mirëfilltë, në nji mjedis frymëzues siç âsht Liqeni i Batllavës. Përveç autorëve e artistave të shumtë të përzgjedhun shqiptarë nga t’gjitha trevat që kemi mbërri me i tubue në Orllan, kemi sjellë edhe autorë, artista e muzikantë të mirënjohur ndërkombëtar. Veç tjerash, që në edicionin e parë, me 2011, e kemi sjellë n’Orllan koleksionin ma t’madh e ma t’pasun privat të librave t’vjetër mbi Skenderbeun, atë koleksion që publiku në Prishtinë pati rastin me e pa tek vitin e kaluem (7 vjetë pas publikut të FLO-së), kur u shënue 550 vjetori i vdekjes së Skenderbeut. Bashkë me atë koleksion ishte edhe nji botim i parë i Fjalorit të Frang Bardhit, i vitit 1635. Pastaj me ndihmën e British Library (Bibliotekës Britanike) kemi sjellë audio inçizime të Edith Durhamit të fillimit të shekullit të kaluem, mbase audio inçizimet ma t’vjetra të gjuhës shqipe, përfshi edhe zanin e saj, që ka qenë hera e parë që âsht dëgjue tek ne. Gjithmonë kemi pasë muzikë të përzgjedhun të artistave ma t’mirë kosovarë ndërsa dy vjet me radhë kemi sjellë edhe bendin britanik Public Service Broadcasting që tash performojnë në sallat dhe festivalet ma t’njoftuna botnore. Qysh brenda pesë viteve të para festivali mbërrijti me u prezantu dy herë në media ndërkombëtare… Ndalëm!

GER: Haha, e marr me mend që lista është e gjatë… Para tri vitesh patët dhënë një intervistë për  prestigjiozen World Literature Today. Ndër të tjera patët theksuar që skena letrare kosovare përshkruhet nga një energji e re artistike. Ende besoni që kemi diçka për t’i dhënë botës?

 

  1. Luta: Jam shumë i sigurtë për këtë, sikur me fusha të tjera si sporti e muzika, pa dyshim që poetë e prozatorë nga Kosova shumë shpejt kanë me fillu me lanë gjurmë edhe në letërsinë botnore. Festivalet si FLO-ja ish desht me qenë nji vend ku përqëndrohet ajo energji dhe gjen nji derë a dritare me shpërthy në skenën ndërkombëtare… përmes këmbimeve të drejtëpërdrejta kulturore. Nji muzikant dhe artist i famshëm britanik, Brian Eno, e ka shpikë nji fjalë, “scenius”, që e përdorë si kundërvënie termit “genius (gjeni)” për me përshkru nji skenë, hapësirë ku frekuentojnë e përqëndrohen shkrimtarë, artista, koleksionarë, kuratorë, mendimtarë, teoricient, etj, “e krijojnë njifarë ekologjie të talentit, nga e cila lindin pastaj vepra të mrekullueshme.”

GER: Çka ju lidh përfundimisht me letërsinë? Po hamendësoj; ajo që thuhet se edhe gazetaria është njëfarëlloj arti, ndonëse i destinuar që të vdes brenda ditës?

  1. Luta: Gjithmonë m’ka pëlqy letërsia. Edhe kam qenë i rrethum me njerëz që po ashtu e dojnë letërsinë e edhe shkrujnë. Bashkëthemeluesja dhe bashkëorganizatorja e FLO-së, Valbona, ka botu shkrime e poezi edhe para se të njiheshim, ashtu si edhe Faiku që shkruen drama/komedi. Unë vetë e kam studju letërsinë – kam diplomu (në fund të tetëdhetave) në gjuhë dhe letërsi angleze – dhe kjo në nji mënyrë edhe ma ka hapë rrugën me fillu m’u marrë me gazetari kur fitova në konkursin e organizum p’ej BBC-së në 1992-tën kur po e rihapnin Seksionin shqip të Shërbimit Botnor. Përmes anglishtes, dhe kur jeton në nji metropol si Londra, ke mundësi të panumërta me përcjellë krijime të mirëfillta kulmore (të vjetra e të reja) të letërsisë botnore, e tash edhe përmes internetit kjo âsht ba lehtë për të gjithë kudo që janë. Gjatë punës si gazetar, përveç zhvillimeve politike (që njikohësisht kanë qenë edhe historike), gjithmonë kam bâ përpjekje me mbulu edhe zhvillime kulturore.

 

GER: Ju keni shërbyer për një kohë të gjatë edhe në disa media të njohura ndërkombëtare, andaj edhe kjo pyetje e pashmangshme: Si ju duket standardi i gazetarisë në Kosovë?

  1. Luta: Në fakt, krejt përgatitjen teme profesionale dhe përvojën gati 20 vjeçare si gazetar e redaktor e kam marrë në BBC në Londër dhe kushtet në të cilat kam punu nuk muj me i krahasu me kushtet në të cilat punojnë gazetarët te na n’Kosovë. Tu i pasë parasysh këto gjithmonë kam ngurru me folë për punën e kolegëve te na. Shpresoj që t’mos keqkuptohem, ka gazetarë individual të shkëlqyeshëm që bâjne çmos me kry punen e vet si duhet në rrethana jashtëzakonisht të pafavorshme, dëshpëruese, kisha me thanë. Gjitha kritikat u shkojnë pronarëve të mediave dhe drejtuesve të tyne, përfshi kryeredaktorët e redaktorët, për të gjitha lëshimet që bâhen në media te na. Çka mundesh me pritë prej nji mediumi kur psh drejtori i tij del në program “t’vetin” dhe paralajmëron për minutat në vazhdim ‘material ekskluziv’ për të cilin thotë (si lloj justifikimi paraprak) se nuk e di saktësisht se çfarë përmban dhe nuk e di nëse âsht në rregull që po transmetojnë diçka të tillë, s’e din “çka thotë ligji për këtë”… por është “ekskluziv”! Nji gjâ e tillë mundet me ndodhë në internet – si psh kur vrasësi në Christchurch ka transmetu direkt sulmin e tij – por në nji medium serioz, në nji medium që pretendon t’jetë nji prej ma t’mdhejve në vend?! Në skenën mediale në Kosovë ka shumë improvizime. Shumë p’ej tyne nuk e kanë mision primar informimin. Ka anshmëri t’hapta për partitë apo figurat politike në pushtet, e nga ana tjetër ka media që e luejnë rolin e opozitës! Nuk ka ndamje t’qartë mes lajmit edhe komentit. Nji mungesë e madhe që vërehet âsht konteksti; shkruhen lajme me dy rreshta (shpesh me deklarata p’ej facebook-ut) e pa kurrfarë konteksti. Mungojnë analiza të mirëfillta, gjithçka âsht koment. Mos t’flas për mungesën e plotë të redaktimit të materialeve që botohen në internet, me gabime elementare, ku synimi kryesor janë click-at.

GER: Ndoshta nuk jeni lexues i rregullt i mediave online, por për zhvillimet në Kosovë, duket që jeni mjaft i informuar. Të gjithë jemi kritikë karshi klasës politike në vend (e cila ka marrë tipare oligarkike), e në këtë pikë edhe ju mjaft shpesh e keni shfaqur karakterin jokonformist të cilin ua ka latuar publicistika. Por për dallim nga politikanët, artistët e sportistët po tregojnë që ne jemi shoqëri me potenciale të larta. Ju mbase e shihni më ndryshe këtë çështje nga Londra, a ka vend për optimizëm këtu?

  1. Luta: Në fakt, i ndjek zhvillimet në Kosovë edhe rajon online me kogja shumë vëmendje. Jo veç artistat e sportistat që tashma janë dëshmu, po të gjitha shtresat e shoqnisë vazhdimisht t’bâjnë me u krenu ndërsa politikanët, nuk e di, s’di p’ej kah na kanë ra hise këta që i kemi! Po edhe sportistat e artistat duhet me u ndërgjegjësu e mos me leju me u shfrytëzu nga politikanët. Kështu që kish me qenë mirë me i mbajtë sa ma larg e mos me u njollosë p’ej tyne. Vërej nji shpërfillje absolute të standardeve të cilave do të duhej t’u përmbahen personat që kanë poste publike. Nuk i japin llogari askujt. Sa e sa skandale e afera korruptive janë zbulu deri tani e politikanët e përfshirë në to jo që vazhdojnë të jenë të pranishëm në skenën politike, po bâhen edhe ma arrogant e ma t’fuqishëm! Padyshim, ka në mesin e tyne të ndershëm po janë aq të pakët – mujn me u numru n’gishta – saqë e kanë nji barrë gjigante e u duhet të bâjnë çmos me e rikthy besimin e qytetarëve, nëse âsht e mundun nji gjâ e tillë.

 

GER: Krejt për fund, ç’pamje do të ketë republika jonë pas dhjetë vitesh?

  1. Luta: Âsht shumë vështirë me bâ naj parashikim për dhetë vjet e ardhshme. Në shumë drejtime për këto dy dekada mbas lufte janë bâ ndryshime aq të mëdha e prapë ka fusha në të cilat kemi ngec shumë. Në ato fusha që janë mvarë direkt p’ej politikanëve kryesisht âsht bâ regres. Shpresoj shumë që të vendoset nji llogaridhanje për çdo veprim që bâjnë politikanët e që po shkon në dam jo veç të shoqnisë aktuale po edhe të gjeneratave të ardhshme. Nëse kjo ndodhë, s’ka kush me na ndalë!/Gazetaere.com/

 

Kategoritë
INTERVISTAKulturëLajmeLajmet Kryesore

Të ngjajshmet