“Qytetërimi osman” në shqip, kontribut për dritëhedhje të vyera

Vera është stina e diellit, detit, pushimit të plotë… Meraku i vetëm për shumë njerëz gjatë kësaj periudhe të vitit është se në ç’bregdet do t’i kalojnë ditët. Ama ka të tjerë për të cilët ndalesa është e huaj, puna është më e dashur, edhe me synimin për ta nisur shtatorin sa më rrëmbyeshëm.

Të tillë janë ata që kanë sjellë për lexuesin me fillimin e këtij muaji një vepër voluminoze, “Qytetërimi osman”. Në vështrim të parë, tek e merr në dorë, në dy vëllime, vepra ka rëndesë në përmbajtje, siç ka dhe peshë në kuptimin e fjalëpërfjalshëm.

Botimi ka mbyllur një cikël të gjatë përpjekjesh për të ardhur gjer këtu; mbi tre vite e gjysmë punë në përkthim nga anglishtja e përgatitje për shtyp. Ndërkohë, cilësia e botimit është tejet e lavdërueshme, faqe pas faqeje. Përpjekja për ta sjellë në shqip këtë vepër është e Fondacionit “ALSAR”, tashmë i mësuar të bëjë përzgjedhje titujsh të këtij niveli.

Vetë iniciativa për përgatitjen e këtij libri është shumë më e hershme, siç na bëhet e ditur në parathënien e tij, që diçka më herët se të nisë shekulli në të cilin jetojmë. Si një kontribut i mirëfilltë shkencor nën kujdesin e institucioneve përkatëse të shtetit turk, objektivi për t’iu drejtuar si lexuesve në Turqi, por po ashtu dhe lexuesit të huaj, është përmbushur sa ka të bëjë më së paku me botimin në shqip.

Për të shuar kureshtjen, ky libër është nisur nga përgatitësit e tij si një vëllim i vetëm. Përballja me një material të gjerë e ka bërë të detyrueshëm një vëllim të dytë, dhe gjithçka është sjellë në turqisht dhe anglisht. Falë përkushtimit të Fondacionit “ALSAR”, ne tani e kemi atë në duar dhe në shqip.

Mbi tridhjetë autorë e ekspertë kanë punuar për përgatitjen e këtij libri, na thotë parathënia, por në krye të tij, si përgatitës kryesorë, si autorë, lexohen dy emra, Halil İnalcık dhe Günsel Renda, shkrues dhe të parathënies. I pari, i ndarë nga kjo jetë dy vite të shkuara, është tejet i mirënjohur, një historian turk i jashtëzakonshëm, një shkrues veprash të shumta studimore mbi Perandorinë Osmane, me njohje të gjerë ndërkombëtare, në të gjallë të tij dhe lektor në universitetet më me prestigj të botës. Koha e zhvillimit të aktivitetit promovues në kryeqytet, në Tiranë, të botimit në shqip të veprës “Qytetërimi Osman” është e kushtëzuar pikërisht nga ardhja e së bijës së historianit të ndjerë, që ka premtuar pjesëmarrjen. Günsel Renda po ashtu është një historiane e njohur, e specializuar për artin osman, me botime të shumta si autore dhe bashkautore.

Trashëgimia osmane mbetet e fuqishme edhe njëqind vite pas fundit të perandorisë falë atij qytetërimi, të shtrirë në një pjesë të mirë të botës. Siç nënvizohet dhe në hyrje të kësaj vepre, 40 për qind e popullsisë së botës dhe mbi 76 shtete gjenden sot në hapësirën ku ka sunduar kjo perandori. Studime të panumërta ka mbi atë periudhë historike, të risjellë dendur në ditët e sotme në vëmendje dhe në analizë për shkak të spikatjes së Turqisë së kësaj dekade në arenën gjeopolitike dhe ekonomike globale. Diskutimet dhe ligjërimet mbi otomanizmin, neotomanizmin, mbi qytetërimin osman, janë herë-herë tendencioze nga qarqe të caktuara, me ngjyrime keqësuese. Duke e parë në këtë pikëpamje, duhet t’i jemi mirënjohës botuesit në shqip të veprës në fjalë, si një pasqyrë e gjerë e një qytetërimi mbresëlënës, të pasur, që ka vënë vulën në historinë botërore.

“Pa dyshim që Perandoria Osmane është një prej qytetërimeve më të shkëlqyera në historinë e botës… Procesi i transformimit të kësaj principate turke… në një perandori edhe sot e kësaj dite vazhdon të tërheqë interesimin jo vetëm të historianëve, por edhe të intelektualëve, politikanëve dhe studiuesve të ndryshëm. Aspektet politike, ushtarake, sociale dhe ekonomike të historisë osmane janë bërë objekt studimesh të panumërta në Turqi e jashtë saj, dhe ky interes shkencor vazhdon të rritet. Por, si në Turqi, ashtu dhe jashtë saj, aspektet kulturore dhe qytetërimore ende nuk janë diskutuar, parashtruar dhe ekspozuar aq shumë sa aspektet e tjera… Është e kuptueshme që shteti osman, me të gjithë elementët e tij, do të vazhdojë të tërheqë interesimin e botës edhe në të ardhmen…” Kështu shkruhet në hyrje të librit, në ca fjalë të thëna nga një ish-ministër turk i Kulturës. Mes këtyre rreshtave qëndron dhe thelbi i rëndësisë së botimit të kësaj vepre madhore, e posaçërisht i përkthimit të saj në gjuhën tonë.

Përpjekje të ngjashme për të sjellë në shqip vepra të së njëjtës temë ka patur dhe më herët. Ka mbizotëruar përgjithësisht një punë serioze, por qoftë cilësisht, qoftë nga këndvështrimi, nga tematikat, qoftë dhe nga përmasat e trajtesës, “Qytetërimi osman” është krejt diçka tjetër, tepër më kontribues për hedhjen dritë mbi atë qytetërim.

“Qytetërimi osman” ka nëntë kapituj, shkruar nga ekspertë në fushën e tyre të kërkimit. Veprës i paraprin një hyrje nga Halil İnalcık, për të vijuar me vëllimin e parë, ku ka trajtesa të historisë dhe shkencës, dhe vëllimin e dytë, në të cilin vendin e zënë kultura dhe arti. “Shteti, shoqëria, ekonomia”, “Feja dhe mendimi”, Shkenca dhe edukimi”, “Jeta e përditshme dhe komunikimi”, “Gjeneaologji, kronologji”, “Letërsi”, “Arkitektura dhe artet e bukura”, “Të performosh në art dhe muzikë”, “Europa dhe osmanët”, janë titujt e kapitujve, të ndarë brenda tyre dhe në nënzëra, si punime studimore të autorëve të ndryshëm. Fotografitë e shumta i japin larmi tërë veprës, duke ilustruar aktivitetin e gjerë qytetërimor osman.

Çdo fjalë që të thuhet për veprën do të sjellë sidoqoftë një përshkrim të mangët, të shmangshëm vetëm nëse lexuesi i pasionuar pas këtij qytetërimi, apo i interesuar për të, do thellohet mes faqeve, shkronjë më shkronjë. Në mbarim do duhet të ketë dhe një ndjesi të mirë për praninë tonë të dikurshme në atë qytetërim.

Një tjetër citim nga rreshtat e para të veprës së sapobotuar do të ishte me vend në këtë kontekst: “Është e domosdoshme për ne që të shqyrtojmë dhe të vlerësojmë të gjitha aspektet e së shkuarës ‘osmane’ dhe të përvojës qytetëruese…”

Dy fjalë në fund të kësaj paraqitjeje i meriton, sigurisht, dhe botuesi. Fondacioni “ALSAR” i ka vënë vetes si qëllim prej kohësh të krijojë një kolonë botimesh të veprave autoritare, me peshë e cilësore, të zgjedhura me shumë kujdes e të publikuara po kaq kujdesshëm. Mjafton të përmendim mes të tjerash botime të tilla si, “Historia osmane dhe institucionet”, “Vdekje dhe dëbim”, “Muslimanët e Ballkanit”, “Letrat turke”, “Çështja e paqenë e detit: një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”, “Kalendari kombiar”, për ta çmuar këtë përpjekje. Po prej këtij fondacioni pritet të dalë këto ditë një përmbledhje dyvëllimëshe e revistës “Diturija” të Lumo Skëndos, e viteve 1909-1929.

“Qytetërimi osman” na pret ndërkaq për t’u lexuar…/tesheshi.com/  

Kategoritë
Kulturë

Të ngjajshmet