Qytetarët ndezin qirinj në ballkone në kujtim të viktimave të luftës

Në thirrjen drejtuar të gjithë qytetarëve të Kosovës, ishte shkruar se “përkujtimi i viktimave të kësaj tragjedie të madhe kombëtare është minimumi i asaj që duhet të bëjmë.

Disa familje prishtinase kanë ndezur qirinj në ballkonet dhe dritaret e banesave të tyre në kryeqytet mbrëmjen e 15 janarit për të kujtuar shqiptarët e vrarë në luftën e viteve 1999-98 në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në pamundësi të organizohen tubime përkujtimore për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia me COVID-19, thirrjen për këtë aksion simbolik e ka bërë Qendra “Gjenocidi në Kosovë- Plagë e Hapur”, e cila ka për mision “përhapjen e së vërtetës për gjenocidin në Kosovë dhe sensibilizimin e opinionit deri në arritjen e drejtësisë”.

Në thirrjen e kësaj qendre drejtuar të gjithë qytetarëve të Kosovës, ishte shkruar se “përkujtimi i viktimave të kësaj tragjedie të madhe kombëtare është minimumi i asaj që duhet të bëjmë në rrugëtimin për ndëshkimin e krimit dhe ngadhënjimit të drejtësisë”.

Më 15 Janar 1999, në fshatin Reçak të Shtimes, forcat policore-ushtarake, si dhe paramilitare serbe, vranë dhe masakruan 45 civilë shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve kishte edhe pleq, gra dhe fëmijë.

Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë 13.518 persona. Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, 10.794 të vrarë ishin shqiptarë, 2.197 serbë, ndërsa të tjerët u përkasin etnive të tjera.

Kategoritë
LajmeVendi