Qytetarët kërkojnë nga shteti t’iu sigurojë ekzistencë ekonomike në këtë kohë pandemie

Përkundër shpalljes së gjendjes emergjente për shëndetin publik dhe infektimit të 91 personave me koronavirus në Kosovë, qytetarët gjatë kohës së lëvizjes nëpër rrugë sipas orarit të lirisë së kufizimit, nuk po i respektojnë rekomandimet e institucioneve shëndetësore për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

IKSHP dhe MSH kanë rekomanduar qytetarët të qëndrojnë në distancë sociale deri në dy metra, të mos dalin më dy shumë persona në grupe, por këto të fundit sikurse edhe bartja e maskave dhe dorëzave shumë pak po gjejnë zbatim.

Të shumtë ishin ata qytetarë që thonë se vendimet e qeverisë për kufizim të lëvizjes dhe për shpallje të gjendjes emergjente, nuk janë të duhura.

Sipas tyre kur një shtet vendos të kufizojë lëvizjet e qytetarëve, duhet t’ia sigurojë edhe një ekzistencë minimale ekonomike. Por kishte edhe nga ata që masat e qeverisë i konsideroj në efikase dhe kërkojnë respektimin e plotë të tyre.

Pensionisti Bajram Kastrati thotë se vendimet e qeverisë nuk janë adekuate, sipas tij qeveritarët që kanë dhënë këtë vendim kanë pagën 2 mijë euro, andaj nuk iu pengon ndalimi apo kufizimi i lëvizjes. Ai thotë se qeveritarët nuk e kanë hallin e sigurimit të ushqimit të popullit.

“Këto vendime mos gabofsha unë janë pak të dëmshme, sepse i gjalli duhet të lëvizë, askush nuk del në shesh për qejf, as të bëjë biznes, por për të siguruar mbijetesën. Në këtë krizë humanitare si pasojë e pandemisë globale, jemi lodhur prej çështjeve politike dhe sinqerisht jemi lodhur nga çdo gjë…Unë e kam pensionin 90 euro, e zotërinjtë që bien urdhër e kanë 2 mijë euro rrogën. Me një pension 90 euro duhet të dalë të sigurojë mbijetesën…Ky popull është në krizë humanitare, materiale dhe me virus, edhe u bë krejt kiamet për ne. Nuk e di ku është qëllimi, po me të vërtetë pak duhet disa gjëra, sepse kur e kufizon qytetarin atëherë duhet t’ia sigurosh një ekzistencë minimale sepse asnjë ministër asnjë deputet, nuk e ka hallin a ka vaj, sheqer në shtëpi, atyre iu shkojnë gratis, e ne në tërë sheshin shohim se ku pe gjejmë më lirë 10 cent, 50 cent”, u shpreh Kastrati.

Qytetari tjetër Agim Shala kritikon partitë politike se nuk po bëjnë sa duhet për popullin në këtë kohë pandemie. Ai thotë se udhëheqësit e shtetit të Kosovës edhe po të jenë në dijeni se populli vdes nga uria, nuk do të ndërmarrin asgjë.

“Sa i përket kësaj sëmundjes koronavirusit ndoshta kanë të drejtë, por në anën tjetër, unë jam një qytetar i thjeshtë dhe asnjë parti nuk ka punuar për shtet por veç për veti për xhe pa të vet, kanë vjedh sa kanë mundur, korrupsion, që korrupsioni më i madhi në botë është… Po shteti nuk është hiq, po te themi shtet, edhe me ditë që po vdesin nga uria fshatarët, ata nuk e kanë gajle, sepse e kanë ndërmend me i ndreq vilat e veta, për t’ua siguruar jetën brez pas brezi të vetëve dhe nuk duan të dëgjojnë për popull dhe as për fukara”, thotë Shala.

Ndërsa, Viktor Rexhepi thotë se po mundohet si qytetar të respektojnë vendimet e qeverisë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

“Po besoj që janë duke i respektuar, mbas orës 17:00 nuk ka aq lëvizje, nuk po shoh ashtu shumë…Po, duhet të jetë efikase besoj, ndoshta. Shqipëria ka marrë masa më drastike, vetëm një person në familje një orë, në krahasim me ata, ne kemi më shumë lëvizje, por duhet kujdes të kemi pasi virusi mbyt njerëz”, tha Rexhepi.

Edhe Bajram Sylejmani, thotë se rekomandimet e institucioneve shëndetësore për parandalimin e përhapjes së COVID-19 po i respekton, ndonëse e pranon se mbyllja në shtëpi është bërë e mërzitshme.

“Ma merr mendja se po, se tash prej 07:00 në mëngjes deri në 17:00 kanë thanë me dalë, se edhe nuk po rrihet veç brenda”, tha Sylejmani.

Ndryshe, Qeveria në detyrë e Kosovës ka vendosur që masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të mbeten në fuqi deri më 6 prill.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi