Qytetarët frikësohen se këtë dimër mund të mos ketë energji elektrike

Problemet me energji elektrike në disa lagje të kryeqytetit kanë vazhduar edhe të martën. Në lagjen “Mati 1” ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike gjatë tërë ditës. Në mëngjes ndërprerje të energjisë elektrike ka pasur për disa orë edhe në lagjen “Bregu i Diellit”.

Gani Bardheci, banor i lagjes “Bregu i Diellit”, dyshon se reduktimet e energjisë, mund të jenë pikënisje për dimër të vështirë pa rrymë. “Nuk e di ku është problemi, por unë jam pagues i rregullt i energjisë elektrike dhe nuk kam borxhe. Mendoj se ka edhe reduktime shkaku i mosfurnizimit me energji të mjaftueshme të energjisë elektrike”, ka thënë Gani Bardheci.

Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike – KEDS, ka bërë të ditur se gjatë ditës së martë, përveç Prishtinës, në komunat e tjera të Kosovës nuk ka pasur reduktime të energjisë elektrike. Ka njoftuar vetëm për një prishje në qytetin e Kaçanikut, e që është rregulluar.

Por, KEDS nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e KOHË-s se a do të jetë ky një fundvit i vështirë për sigurimin e energjisë dhe se a është duke blerë Kosova mjaftueshëm energji elektrike që qytetarët të mos mbesin pa drita e ngrohje gjatë këtij dimri.

Ndërkaq, në Korporatën Energjetike të Kosovës – KEK kanë thënë se për aq sa i takon kësaj korporate, qytetarët nuk do të mbesin pa energji elektrike, meqë kapaciteti i KEK-ut aktualisht është 800 megavat orë të energjisë elektrike.

“Janë bërë edhe përgatitjet e pajisjeve për dimër dhe ka edhe thëngjill të mjaftueshëm. Sa i përket prodhimit të energjisë elektrike, KEK i siguron të gjithë qytetarët që nuk do të ketë problem edhe gjatë sezonit dimëror”, ka deklaruar Skënder Bucolli, zëdhënës i KEK-ut.

Bucolli ka shtuar se vetëm në 3-mujorin e fundit TC Kosova A, ka realizuar planin konform bilancit energjetik me 107 %, ndërsa Kosova B me 116 %.

Kategoritë
LajmeVendi