Qytetarët e pakënaqur me shërbimet…

Qytetarët e pakënaqur me shërbimet…

Institucionet private bankare, operatorët telefonikë, kompanitë e ndryshme, me shërbimet që i ofrojnë, e kanë ndryshuar edhe mënyrën e jetesës. Por qytetarët e Kosovës mendojnë që shumë shërbime të ofruara, lënë shumë për të dëshiruar. Ngritja e standardeve sipas tyre, është një nevojë në rritje. Vet sektori bankar, sipas disa raporteve, ka vazhduar të shënojë rritje të aktiviteteve, sidomos falë klimës së përshtatshme në eurozonë – shkruan Gazeta e Re.

Sipas disa raporteve të Bankës Qendrore Ekonomike, vetëm në tremujorin e dytë të 2017-tës, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, eurozona e ka vazhduar rritjen e përshpejtuar të aktivitetit ekonomik. Zgjedhjet në Holandë, Austri dhe Francë, kanë ndikuar në rritjen e besimit të konsumatorëve dhe bizneseve. Indikacion drejtpërdrejtë pritet të kenë edhe zgjedhjet në Gjermani, respektivisht kabineti i ri qeveritar i cili do të udhëhiqet nga Merkel.

Sipas raportit për vlerësimin tremujor të ekonomisë për vitin 2017, thuhet se për shkak të politikave <<ekspansioniste dhe masat jokonvencionale të ndërmarra nga Banka Qendrore Ekonomike (BQE), në kuadër të programit të lehtësimit sasior lehtësuan dukshëm kushtet e financimit në eurozonë, duke mbështetur kështu zgjerimin e aktivitetit ekonomik. Krahasuar me periudhën e njëjte të vitit paraprak, në tremujorin e dytë të 2017-tës, ekonomia e eurozonës shënoi rritje prej 2.2 %.>>

Por a ka ndikuar kjo atmosferë pozitive ekonomike e eurozonës në Kosovë, veçanërisht në sektorin bankar. Në tremujorin e dytë të këtij viti: ‹‹Sektori fiskal u karakterizua me rritje të të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore prej 4.1 përkatësisht 6.9 %. Rrjedhimisht, buxheti i Kosovës regjistroi bilanc primar buxhetor prej 2.8 milionë euro, krahasuar me bilancin prej 21.6 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit 2016›› – thuhet ndër të tjera në një raport të BQE.  Ndërsa: << asetet e sektorit bankar shënuan rritje vjetore prej 7.0 %, duke arritur në 3.67 miliardë euro. Rritja e aseteve të sektorit bankar vazhdon të mbështetet kryesisht në përshpejtimin e rritjes së aktivitetit kreditues. Zgjerimi i aktivitetit kreditues të sektorit bankar vazhdon të mbështetet nga ecuria e depozitave, rritja e të cilave paraqet burimin kryesor të financimit të kreditimit në vend. Në qershor 2017, stoku i letrave me vlerë i sektorit bankar shënoi ngadalësim të rritjes në 1.4 %, nga 2.1%  sa ishte në vitin e kaluar.>>

Por këto pasqyra të përgjithshme, ndryshe ndikojnë në gjepin e qytetarëve. <<Me shërbimet bankare nuk jam aspak i kënaqur>> – thotë Daut Ibrahimi, i cili me profesion është përkthyes. Për Gazeta e Re ai tregon se raportet me këto institucione i ka kufizuar në maksimum. <<Vetëm për transferim rroge>> – shprehet ai.  Sikurse Ibrahimi, të njëjtin opinion ndanë edhe Mërgim Rudari, një qytetar nga Prishtina.

<<Për sa u përket shërbimeve që i ofrojnë bankat që veprojnë  në vend, nuk jam aspak i kënaqur!>> – thotë Rudari. Edhe ky, sikurse Ibrahimi, tregon se raportet priret që t’i kufizojë sa më tepër me to. Pakënaqësia e qytetarëve ndërlidhet me kreditë ende të larta. Ndërsa rritja e aktiviteteve të këtyre institucioneve në vend, duket që ka të bëjë me investimet që janë bërë në sektorin privat, sidomos në sektorin e bujqësisë.

Por ndryshe mendojnë për shërbimet që i ofrojnë operatorët mobil. Dauti e Rudari janë kryesisht të kënaqur dhe nuk kanë vërejtje të mëdha për sa u përket operatorëve që veprojnë. Vala, Ipko, Z.Mobile duket që kanë vendosur, deri diku, standarde të kënaqshme për konsumatorët kosovarë. Natyrisht, ngritja e standardit të shërbimeve do të ishte e mirëpritur për ta.

Listës së institucioneve private, operatorëve e kompanive që ofrojnë shërbime të ndryshme, nuk mund t’i shpëtojë ajo e pastrimit. Efikasiteti i punëve të kryera nga këto kompani, është ende i ulët. Kryeqyteti vet, ka probleme të dukshme në këtë drejtim. Kandidati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, që udhëhoqi për një mandat qeverisjen në kryeqytet, para disa ditësh i dha 100 premtime, ndër të cilat radhiti edhe atë për një qytet të pastër. Kjo, veç tjerash, tregon se edhe kryeqyteti vazhdon të ketë probleme në menaxhimin e këtij sektori. Këto ditë, vet subjektet politike dhe kandidatët që po garojnë, kanë hyrë në një fazë më të intensifikuar fushate zgjedhore, duke shpalosur nevojën e ngritjes së standardeve të shërbimeve që ofrohen nga institucionet shtetërore e private për qytetarët. Këta të fundit, presin ditë më të mira./ImerTopanica/Gazetaere.com/

Kategoritë
EkonomiLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet