Qeveria ndan 6 milionë euro për bizneset, ulë shtesat edhe për pensionet

Qeveria e Kosovës ka ndarë 6 milionë euro për bizneset që janë prekur nga masat e fundit nga 7 deri më 18 prill për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë me këtë rast se subvencionimi do të bëhet deri në 50%.

“ Ndahen 6 milionë euro për subvencionimin e pagave dhe qirave të bizneseve që janë prekur nga disa prej masave të vendosura nga Qeveria për periudhën 7 prill deri 18 prill. Subvencionimi i pagave dhe qirave bëhet deri në 50 për qind. Në vendim janë të detajuara llojet e bizneseve”, ka thënë Murati.

Sipas tij, subvencionimi do të bëhet në bazë të aplikimit të dorëzuar nga bizneset ku janë të vendosura kufizimet dhe kriteret për të përfituar nga ky subvencionim.

“Detaizimi i kritereve për të fituar nga këto masa do të bëhet me një vendim të veçantë të Ministrisë”, ka thënë ministri Murati.

Qeveria e ka ndarë po ashtu mbi 5 milionë euro për sektorin e shëndetësisë dhe sigurisë për muajt prill-maj .

“Përmes këtij vendimi ndahen mjete shtesë për sektorin e shëndetësisë dhe sigurisë në vlerë totale mbi 5 milionë për muajin -prill-maj me shtesa prej 100 euro për teknikë, 150 euro për mjekë dhe infemrierët dhe 100 euro për policë”, tha ministri Murati.

Për sektorin e shëndetësisë janë 4 milionë e 6 825 euro, ndërsa për atë sigurisë janë mbi 1 milion euro.

Në mbledhje e saj Qeveria ka ndarë 8.5 milionë euro për përfituesit e skemave sociale. Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se deri në qershor asnjë pension nuk do të jetë nën 100 euro në muaj.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi