Qeveria Mianmareze dënon regjisorët që dokumentonin gjenocidin e Arakanit

Qeveria Mianmareze dënon regjisorët që dokumentonin gjenocidin e Arakanit.

Regjisorët e filmit dokumentar që punonin për televizionin turk janë dënuar me nga dy muaj burg, njoftoi policia e Mianmarit, pasi u arrestuan dhe dolën para gjykatës për posedimin e një droni (flutu-kamerë).

Dy gazetarët e TRT World, Mok Choy Lin nga Malajzia dhe Lau Hon Meng nga Singapori, dolën para gjykatës në kryeqytetin e Mianmarit, Nepxhidou, së bashku me gazetarin lokal të pavarur Aung Naing Soe dhe shoferin e tyre Hla Tin.

Ata u përballën me akuzën e përbashkët për posedimin e një droni të palicensuar sipas ligjit të importit të Mianmarit, tha shefi i policisë Sann Aung në një bisedë telefonike për AA.

Megjithatë, në një zhvillim të papritur, ata u dënuan me dy muaj burg sipas ligjit të fluturimit të Mianmarit të mbetur nga epoka koloniale.

Ata do të paraqiten sërish në gjykatë më 16 nëntor për t’u përgjigjur edhe për akuzën e futjes së dronit pa leje, në kuadër të ligjit të importit, tha Sann Aung. Në qoftë se shpallen fajtorë, të pandehurit mund të dënohen me burgim deri në tre vite ose me gjobë.

Kjo ishte paraqitja e tyre e parë para gjykatës që kur u arrestuan më 27 tetor, ndërsa punonin rreth parlamentit të Mianmarit në Nepxhidou.

Nëna e Aung Naing Soe, Daw Thandar, tha se ajo nuk ka mundur ta vizitonte djalin e saj në burg.

“Akuza është qesharake. Unë jam e sigurt se asnjë dron në vendin tonë nuk është i licencuar. Së paku djali im dhe shoferi duhet të lirohen, pasi ata nuk janë pronarët e dronit”, tha ajo.

Shtëpia e Aung Naing Soe në Yangon u bastis nga policia pas arrestimit të tij, ndërsa pajisjet kompjuterike u konfiskuan. TRT tha se atij nuk iu lejua takimi me familjen dhe avokatët e tij.

Në një kumtesë të lëshuar katër ditë pas arrestimit, TRT World, servisi në gjuhën angleze i transmetuesit publik të Turqisë, tha se Ministria e Informacionit e Mianmarit ishte informuar paraprakisht për planet e filmimit të ekipit.

“Ekipi ynë donte të filmonte ndërtesën e parlamentit në kryeqytet me dron, pasi zhvilloi një intervistë me një anëtar të parlamentit”, thuhet në deklaratë.

“Ata u arrestuan nga zyrtarët e sigurisë përpara se droni të fluturonte”, thuhet mes tjerash.

Dy punonjësit e TRT-së arritën në Yangon më 21 tetor me viza të gazetarëve. Ata e kanë përdorur dronin në vende të ndryshme përpara arrestimit të tyre.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet