Qeveria italiane kufizon udhëtimet gjatë festave të fundvitit

Italianët po përballen me mundësinë e më pak bashkimeve familjare gjatë festës së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, ndërsa qeveria njoftoi kufizimin e udhëtimit për të parandaluar një rritje të re të infeksioneve të COVID-19.

Kabineti i kryeministrit Giuseppe Conte vendosi të ndalojë udhëtimin midis rajoneve italiane nga 21 dhjetori deri më 6 janar.

“Përjashtimet janë të mundshme për punë, për arsye shëndetësore dhe në raste të tjera urgjente”, tha qeveria, raporton ATSh.

Rregullat do të shtrëngohen më tej në 25 dhe 26 dhjetor dhe më 1 janar, kur njerëzit do të ndalohen të lënë qytetet e tyre të banimit, përveçse për punë ose situata urgjente.

Conte ka caktuar një konferencë shtypi më vonë sot në mbrëmje për të ilustruar përmbajtjen e tyre, por sipas drafteve të para nga agjencitë e lajmeve vendase, dekreti pritet të konfirmojë një shtetrrethim midis orës 22:00 dhe 05:00, i zgjatur deri në 07:00 në ditën e Vitit të Ri.

Kategoritë
BotaLajme