Qeveria e Xi Jinping Haradinajt

Qeveria e Xi Jinping Haradinajt

Prej 21 ministrave, 5 zëvendëskryeministrave dhe më shumë se 40 zëvendësministrave që e përbëjnë mega-kabinetin e ri qeveritar, mediat renditën mjaft emra të cilët kanë një të kaluar të dyshimtë. Mbi disa prej tyre, ende rëndojnë akuzat për krime ekonomike, e disa ende i kanë të freskëta ditët e përballjes me drejtësinë. Profilet e këtyre zyrtarëve të lartë, japin pasqyrën e një kabineti që vështirë do të funksionojë pa probleme, thonë analistët politikë – shkruan Gazeta e Re.

Qeveria e re ka në përbërje edhe milionerë (të prirë nga Pacolli me 300 milionë euro pasuri, listës së të kamurve të kësaj qeverie i shtohen edhe Beqaj, Lekaj, Gashi, Tahiri e Limaj. Sipas përllogaritjeve, anëtarët e kabinetit të ri qeveritarë posedojnë mbi 312milionë euro pasuri). Qeveria e re  në përbërje të saj ka edhe Listën Serbe, e cila deri më tani e ka ruajtur qëndrimin e saj kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës, ndërkohë që formalisht për shef e kanë një ish komandant të lartë të UÇK-së. Për kureshtje, qeveria e re, për nga numri i madh po i avitet edhe asaj të Republikës Kineze (Kosova me rreth 2 milionë banorë ka vetëm 4 ministri më shumë se Kina që ka 1.4 miliard banorë, apo rreth 800 herë më shumë se vendi ynë).

Kryeministri

Ramush Haradinaj i cili u lind më 3 korrik të vitit 1968 në Gllogjan, afër Deçanit u bë i njohur si njëri nga udhëheqësit ushtarak të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Fillimisht Haradinaj ishte komandant i UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit. Ndërsa pas luftës, me transformimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK), ai emërohet zëvendëskomandant i TMK-së. Në prill të vitit 2000 largohet nga jeta ushtarake dhe themelon partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Kryetar i së cilës është edhe sot.

Më 3 dhjetor 2004 në parlamentin e Kosovës u zgjodh kryeministër me shumicë votash. Më 8 mars të vitit 2005, Tribunali për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi publikoi aktakuzën për krime lufte ndaj tij dhe si rrjedhojë po atë ditë Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e Kryeministrit të Kosovës në mënyrë që të përballet me aktakuzën e ngritur nga Tribunali. Ai të nesërmen shkon vullnetarisht në Tribunalin e Hagës, ku me të mbërritur u burgos. Pas disa muajve në paraburgim ai u lirua përkohësisht deri në fillim të gjykimit të tij. Disa vite më vonë, ai u shpall tërësisht i pafajshëm nga kjo gjykatë, por në opinionin e gjerë, jo vetëm kosovar, ka zëra që mendojnë se ai nuk do të mund t’i shpëtojë Gjykatës Speciale, e cila me gjithë pretendimet, ende nuk e ka filluar punën e saj. Por për sa i përket një pjese të jetës së tij që ka të bëjë me luftën, shumica shqiptare e admirojnë, e për më shumë, e cilësojnë si një hero të gjallë. Por ish-gjenerali, sipas njohësve të zhvillimeve politike në vend, do ta ketë të vështirë ta udhëheqë një kabinet me njerëz që kanë pikëpamje aq të kundërta për çështjet më problematike si demarkacioni, ushtria dhe gjykata speciale.

Ndryshe ai ka jetuar për një kohë të gjatë në Zvicër. Ai është i martuar dhe ka tre fëmijë.

Zëvendëskryeministrat

Disa nga njerëzit më të ngushtë që e rrethojnë Kryeministrin Haradinaj, nuk kanë pasur shumë lidhje me të kaluarën e tij. I pari ndër ta është Behgjet Pacolli (1951), më shumë i njohur si biznesmen i suksesshëm se sa si politikan. Ai do ta drejtojë edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme (prandaj, biografinë më të zgjeruar do të mund ta lexoni në vijim). Pastaj Enver Hoxhaj (1969), i cili nga bota akademike iu rrek politikës dhe deri para këtij mandati ka udhëhequr disa pozita të larta shtetërore. Ai ka studiuar në Universitetin e Vjenës, ku ka marrë titullin e Doktorit të Filozofisë në Histori (1994-2000). Njëkohësisht ka qenë bashkëpunëtor shkencor në Universitetin e Vjenës, pranë Ludwig Boltzmann Institute.

Hoxhaj është Professor i Asocuar në Departmentin e Shkencave Politike të Universitetit të Prishtinës. Nga vitit 2003 deri në vitin 2004 ai ka qenë bashkëpuntor shkencor në London School of Economics, pranë Qendrës për Studimin e Qeverisjes Globale. Publikimet e tij përfshijnë studime dhe artikuj mbi konfliktin etnik, kombin e nacionalizimin, intervenimin dhe qeverisjen ndërkombëtare të botuara në revista dhe botime perëndimore në gjuhën angleze dhe gjermane.

Një tjetër zëvendëskryeministër i emëruar është Fatmir Limaj (1971). Ndryshe nga dy të mësipërmit, e kaluara e këtij të fundit, ka lidhje me të kaluarën e Haradinajt. Limaj u lind më 4 shkurt të vitit 1971 në Kosovë, është politikan, jurist shqiptar dhe ish luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ka qenë edhe ish Ministër i Transportit dhe i Postë-Telekomunikacionit gjatë viteve 2007 – 2010, periudhë kjo që i ka sjellë mjaft kokëçarje. Ish komandanti, përveç të kaluarës së përbashkët gjatë periudhës së luftës, ka gjithashtu një kohë të gjatë që i ka sinkronizuar veprimet me Haradinajn. Kurorëzimi i Haradinajt si Kryeministër i Republikës së Kosovës, është po ashtu pjesë e planit politik të Limajt, respektivisht mbështetjes së tij të pa-rezervë.

Zëvendëskryeministër tjetër është Dardan Gashi (1969). Ai i ka përfunduar studimet në Shkencat Politike dhe Komunikimit në Universitetin e Vjenës. Karriera e tij ka nisur si mbikëqyrës i zgjedhjeve me OSBE-në, Misioni në Bosnje e Hercegovinë. Por karriera e tij politike në Kosovë, nuk ka filluar keq. Ai postin e ministrit po e shijon për herë të dytë, pasi që edhe njëherë ka qenë Ministër i Planifikimit Hapsinor.

I fundit ndër ta është Dalibor Jevtiq (1978). Jevetiq, një serb që karrierën politike e filloi me Partinë e Pavarur Liberale në Shtërpcë, sikurse vet Lista Serbe, gjeti momentumin e duhur politik, për ta kërkuar një karrige më shumë në kabinetin e gjerë të kryeministrit të sapozgjedhur të Kosovës. Ende nuk dihet se ç’qëndrim do të ndajë për sa u përket çështjeve të ndjeshme me të cilat është përballur Kosova si shtet, por kjo mbetet të shihet.

Përbërja aspak unike e qeverisë në fjalë, bie në sy edhe lista e ministrave. Disa prej tyre janë të njohur, e me emrat e disa të tjerëve lexuesit mund t’i mësojnë sytë për herë të parë këto ditë. Emrat e Kujtim Gashit, Uran Ismajlit etj, ishin më të diskutueshmit edhe në rrjetet sociale. E për disa të tjerë, ndonëse të emëruar ministra, s’mund t’i gjesh dy rreshta biografi. Kritikat e para nuk e “shigjetuan” kabinetin e Haradinajt vetëm për faktin se emëroi emra të panjohur, por edhe për numrin e madh të ministrave…(Vijon). /ImerTopanica/Gazetaere.com/

_________________

*Xi Jimping nuk është Kryeministër i Republikës Kineze, por posti i tij është analog me atë të Kryeministër të Kosovës, duke qenë njeriu më i fuqishëm, më i pushtetshëm…

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet