Qeveria e Xi Jinping Haradinajt (Vazhdim + Foto)

Qeveria e Xi Jinping Haradinajt
Qeveria e Xi Jinping Haradinajt

Njëri është komentuar për lidhjet e tij me Kremlinin, tjetri për lavdet që ua ka thurur liderëve. Njëri njihet më shumë për aferat për korrupsion, e tjetri për debatet që nxitën reagime deri në fyerje e kërcënime. Si përfundim, biografitë e zëvendëskryeministrave janë vërtetë për t’u analizuar. Ode-ja e njohur e Enver Hoxhajt, të cilën e pat thurur për liderin e dikurshëm të partisë së tij Hashim Thaçin me fjalët: <<…një ditë trupi juaj dhe i imi do të shndërrohen në pluhur, Republika e Kosovës do të jetojë përherë, përherë do të jetojë emri i Hashim Thaçit>>, qe komentuar kësisoj nga gazetari dhe publicisti Veton Surroi: <<Si mund të interpretohet një paraqitje e këtillë, që i afrohet më shumë ushtrimit të seksit oral se sa kompozicionit racional të fjalive prej një historiani me doktoratë në Vjenë?>>. As puna e tij si kryediplomat, nuk është lavdëruar, duke u konsideruar si dështim total. E kur jemi te biografitë, as ato të ministrave, sikurse të zëvendëskryeministrave, s’janë aspak më të pasura. Disa prej tyre shquhen për varfëri, disa të tjera për skandale e disa me suksese në fusha që s’kanë të bëjnë me politikën – shkruan Gazeta e Re.

Ministrat

  1. Bedri Hamza – Ministër i Financave

Ka qenë Guvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. Emërimi i tij qe bërë me 26 mars të vitit 2013. Ndërsa nuk është për herë të parë në krye të kësaj ministrie. Më 22 shkurt të vitit 2011 ka qenë i emëruar si Ministër i Financave i Republikës së Kosovës, e përpara këtij posti, nga viti 2008 deri në vitin 2011 ka mbajtur postin e Zëvendësministrit në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave. Nga viti 2000 deri në 2003, ai shërbeu si Drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Kuvendin e Komunës së Suharekës. Ka qenë po ashtu shef në KXMK Trepça gjatë viteve 1987 deri në vitin 1990. Në vitet e 90-ta, biografia e tij thotë se e ka ushtruar profesionin prej ekonomisti në një veprimtari private biznesore.

Ai është i martuar dhe ka tre fëmijë.

  1. Besim Beqaj – Ministër i Inovacionit dhe Ndërrmarrësisë

Ai ka qenë Ministri i parë për Integrime Evropiane. Qe emëruar në prill të vitit 2010. Më parë, ai mbante postin e Kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës që nga viti 2005. Ka shërbyer si Këshilltar Politik në Zyrën e Kryeministrit në Qeverinë e Kosovës dhe Koordinator Kombëtar i Kosovës për Paktin e Stabilitetit për Evropën Juglindore. Në dy mandate është zgjedhur kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës. Ministri Beqaj ka fituar titullin e B. Sc. dhe MSc. në Universitetin e Zagrebit në Kroaci. Ai ka kryer Programin Europian të Doktoraturës në Administrimin dhe Menaxhimin e Bizneseve të Vogla në Univeristat Autonoma de Barcelona, Spanjë dhe Vaxjö University, Suedi. Përveç kësaj, ai ka kryer studimet e Doktoraturës në Universitetin e Zagrebit në Kroaci dhe temën e Doktoraturës në Zhvillimin dhe Menaxhimin e Produkteve të reja në Kosovë, në Universitetin e Prishtinës…

Por mbi Beqajn qëndrojnë si hije disa akuza mjaft të rënda. Ai është njëri prej të përfshirëve në aferën e njohur PRONTO dhe po ashtu është nën hetime për <<faljen e disa hidrocentraleve publike konsorciumit Çalik-Limak.

  1. Abelard Tahiri – Ministria e Drejtësisë

Ka qenë këshilltari i Presidentit Hashim Thaçi. Ndryshe nga Beqaj, ky nuk dyshohet për ndonjë aferë apo skandal. Ai është pjesë e listës së zyrtarëve të lartë shtetëror, më të kamur. Ai pat deklaruar se ka pasuri të përbashkët në vlerë mbi një milionë euro.

  1. Uran Ismaili – Ministria e Shëndetësisë

Uran Ismaili ka një background të pasur akademik. Studimet universitare ai ndoqi në Universitetin Graceland të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për psikologji ndërsa studimet Master në Administratë Publike në Universitetin e Harvardit.

Për sa i përket karrierës së tij politike, ai ka dalë nga “akademia” e PDK-së, parti në të cilën është i angazhuar që nga viti 2007. Ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Kadri Veselit duke punuar prej vitit 2013 si shef I stafit të tij, ndërkohë që më herët gjatë mandatit të parë dhe të dytë të qeverisjes së PDK-së, ka qenë shef i kabinetit dhe këshilltar në Ministrinë e Bujqësisë dhe atë të Transportit.

Ismaili gjatë të kaluarës gjithashtu ka punuar me organizata ndërkombëtare dhe projekte të rëndësishme me DIFID, OSBE dhe Physicians for Human Rights. Gjatë qëndrimit të tij në SHBA në vitin 2015 i është dhënë rasti të punoj në rekomandime të politikave me emra eminent si Michael Ignatieff apo të organizoj projekte në terren me Marshal Ganz, veteranin e organizimeve në Harvard.

  1. Dhurata Hoxha – Ministre e Integrimeve Evropiane

Profili i saj politik nuk është i panjohur. Ajo deri para këtij mandati ishte Ministre e Drejtësisë. Në këtë post ajo u emërua në korrik 2016. Para se të emërohej në këtë pozitë, znj. Hoxha ishte Këshilltare Politike e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli, ku përgjegjësitë e saj mbulonin politikat e sigurisë dhe sundimit të ligjit.

 

Por suksesi i saj në krye të Ministrisë së Drejtësisë, është për t’u vënë në pikëpyetje.

Dhurata është nga Mitrovica, dhe jeton në Prishtinë me bashkëshortin Visarin dhe dy fëmijët e tyre Malin dhe Hanën.

  1. Kujtim Gashi – Ministria e Kulturës

Pothuajse i panjohur është emri i Kujtim Gashit. Ai vjen nga radhët e PDK-së dhe është nga Prizreni. Ai e ka të përfunduar Fakultetin e Edukimit, degën e Programit Fillor. Në biografinë e tij figurojnë edhe përfundimi i Akademisë Diplomatike Shqiptare – Marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci dhe Universitetit i Evropës Juglindore – Leadership and Developmental Community. Ai ka arritur të diplomojë në nivelin Master, në Fakultetin e Edukimit në, në degën Udhëheqje në Arsim. Emërimi i tij në këtë pozitë u kritikua ashpër nga komuniteti artistik.

  1. Pal Lekaj – Ministria e Infrastrukturës

Lekaj ka ndërtuar një karrierë prej politikani, si deputet dhe si kryetar komune. Me profesion ai është doktor i mjekësisë së përgjithshme, respektivisht magjistër i menaxhimit në mjekësi. Ka qenë drejtor i drejtorisë së shëndetësisë në nivelin komunal, pastaj, këshilltar komunal, kryeshef ekzekutiv (Gjakovë), kryetar komune dhe deputet.

Ai ka qenë në qendër të kritikave të shumta, jo vetëm gjatë kohës sa ishte kryetar komune, por edhe si deputet. Deklaratat e tij shpeshherë kanë qenë kundërthënëse. Gjatë krizës politike që u shkaktua për shkak të mospajtimeve rreth proceseve të demarkacionit, ai ishte njëri prej deputetëve që hodhi gaz lotsjellës në kuvend.

  1. Rrustem Berisha – Ministër i FSK-së

Berisha ka një të kaluar prej ushtaraku. Ai ka qenë edhe deputet, por aktivitetet e tij nuk kanë rënë aq shumë në sy. Ai vjen nga radhët e AAK-së, ndërsa e ka të përfunduar shkollën ushtarake (Akademia për oficer këmbësorie). Gjatë luftës, ka qenë komandant brigade i UÇK-së dhe shef i shtabit të Zonës Operative të III-të. Paslufte, ka qenë Komandat i Akademisë së Mbrojtjes së TMK-së, e më vonë edhe Zëvendëskomandat i Brigadës së Reagimit të Shpejtë të FSK-së.

  1. Shyqëri Bytyqi – Ministra e Arsimit

Biografia e Bytyqit është inekzistente. Atë nuk mund ta gjesh nëpërmjet rrugëve virtuale, ndonëse në NISMA, parti prej të cilës vjen – ka mbajtur pozitën e Sekretarit për Zhvillim Ekonomik. Sa do të jetë i aftë ta udhëheqë një ministri kaq të ndjeshme, mbetet të shihet.

  1. Bajram Hasani – Ministria e Tregtisë

Edhe Hasani mund të renditet ndër emrat më pak të njohur të skenës politike. CV-ja e tij pasqyron një përvojë ende modeste. Përvoja e tij e deritanishme ka pasur të bëjë vetëm me disa institucione private.

Përndryshe ai është ekonomist me profesion dhe ka studiuar Magjistër i Shkencave Ekonomike – Menaxhment dhe Marketing në Universitetin e Tiranës.

  1. Skender Reçica – Ministër i Punës

Përveç lajmeve të fundit që flasin për pranimin e pozitës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale nga ana e Reçicës, nuk mund të gjesh artikuj që ndërlidhen me emrin e tij. Edhe Reçica nuk është një emër që njihet, ndonëse do ta drejtojë një ministri mjaft të rëndësishme.

  1. Behgjet Pacolli – Ministria e Punëve të Jashtme

Karriera e bujshme prej biznesmeni nuk i korrespondon aspak asaj politike. Ai ende njihet më shumë si themelues i Mabetex-it, një kompanie të njohur edhe ndërkombëtarisht. Ndryshe Pacolli ai ka kryer masterin në marketing dhe menaxhment në Institutin Mösinger Zurich.

Boris Jelzin dhe Behgjet Pacolli

Boris Jelzin dhe Behgjet Pacolli

Ai ka qenë në qendër të kritikave për lidhjet e tij të mëhershme me Kremlinin. Figura e tij megjithatë është më komplekse. Ai njihet edhe për veprimtari humanitare, por si politikan, nuk ka pasur ndikim aq të madh e rrjedhimisht as sukses, përkundër përpjekjeve dhe investimeve të mëdha në këtë drejtim. Posti më i lartë të cilin e ka mbajtur ndonjëherë eshte ai i Presidentit te Republikës, por vetëm për një kohë shumë të shkurtër.

  1. Albena Reshitaj – Ministria e Mjedisit

Reshitaj, që me profesion është mjeke, respektivisht stomatologe, do të sprovohet për herë të parë me politikë në një nivel kaq të lartë. Ajo e ka kryer Magjistraturën në Universitetin e Tiranës. Ndërsa ka edhe një pasion për artin.

  1. Flamur Sefaj – Ministria e Punëve të Brendshme

Është një figurë tërësisht e panjohur. Për aq sa kanë raportuar mediat, veprimtaria e tij duket se ndërlidhet me bizneset e Pacollit.

  1. Valdrin Lluka – Ministria e Zhvillimit Ekonomik

Lluka u bë i njohur pas skandaleve që shpërthyen në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në vitin 2014. Atëbotë AKK (Agjencia Kundër Korrupsionit), pat hetuar rastin, ndërkohë që Lluka ishte Drejtor për Promovimin e Investimeve në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI). Dyshohej për korrupsion. Në një artikull të asaj kohe të njëres prej të përditshmeve tona, ish drejtori i AKK-së Hasan Preteni pat deklaruar se << AKK-ja ka hapur rastin nën dyshimin për korrupsion, por edhe për konflikt të interesit. Në bazë të gjërave që mund të gjenden gjatë hetimeve mund të ngrihet kallëzim penal ndaj kryeshefit të Agjencisë për Promovim të Investimeve, Valdrin Lluka>>. Por e kaluara e Llukës duket që nuk i ka lënë përshtypje shefit të tij.

Ndryshe Lluka me profesion është ekonomist.

  1. Dardan Gashi – Ministria e Diasporës

Gashi ka qenë mjaft shpesh në qendër të vëmendjes për shkak të debateve rreth identitetit, Skëndërbeut, Nënë Tërezës dhe figurave të tjera historike. Ndërsa kohën e fundit, sikur la përshtypjen që po shndërrohej në një figurë mediatike, duke qenë edhe drejtues i disa emisioneve.

Ndryshe Gashi ka kryer studimet në fushën e Shkencave Politike dhe Komunikimit në Universitetin e Vjenës. Ai nuk është për herë të parë në një pozitë të tillë. Edhe në janar të 2011-tës qe emëruar Ministër të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Ai ka mbetur në radhë me disa prej figurave më kontradiktore të skenës politike.

  1. Ministria e Pushtetit Lokal- Ivan Todosijeviç

Ivan Todosijeviq ka qenë kryetar paralel i komunës se Zveçanit i emëruar direkt me vendim të Qeverisë së Aleksandër Vuçiqit. Emri i tij është lakuar edhe ndër iniciatorët e një prej projekteve më të përfolura të Serbisë në Kosovë, të ashtuquajturës <<Lugina e Diellit>>.

Kur në qershorin e vitit të kaluar në Mitrovicën e Veriut kishte nisur ndërtimi i 300 shtëpive me një fond të ndarë nga Qeveria e Serbisë, në një luginë ndërmjet Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit,  Todosijeviq, kishte dalë përkrah Shefit të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë dhe kreut të kishës ortodokse për të vënë gurthemelin.

Pra sipas medieve vendore, Todosjeviq edhe më parë kishte dalë kundër Qeverisë së Kosovës.

  1. Dalibor Jovetiç – Ministria për Kthim

Karrierën politike e filloi në Partinë e Pavarur Liberale, ku ai së pari mori pjesë në zgjedhjet lokale në Shtërpcë, kur partia mori pjesë për herë të parë dhe menjëherë fitoi rezultate të rëndësishme. Ai filloi të punojë si këshilltar dhe kryetar i Kabinetit të Kryetarit të Komunës. Në shkurt të vitit 2010 ai u bë zyrtar i lartë i Partisë së Pavarur Liberale, kur edhe u zgjodh Drejtor i Partisë. Për disa vite ai e ka drejtuar me mjaft sukses këtë parti.  Për shkak të mosmarrëveshjes me politikën e SLS-së në vitin 2014, u largua nga ky subjekt dhe së bashku me kolegët e  shokët e tij, në shtator 2015, u bashkua me Partinë Progresiste Serbe.

  1. Nenad Rikalo – Ministria e Bujqësisë

Qe emëruar si anëtar i KQZ-së, ky është informacioni i paktë që mund ta sigurosh rreth tij.

  1. Mahir Jagcilar (Yagcilar)- Ministria e Administratës Publike

Yagcilar ka vite që është në skenën politike. Ai për pesë mandate me radhë ka qenë deputet në Parlamentin e Kosovës.

Në vitin 2007 është emëruar Ministër në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, më pas në 2011 është emëruar Ministër i Administratës Publike për t’u ri-emëruar përsëri Ministër i Administratës Publike në Dhjetor 2014.

Nga viti 2000 është Kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP).

  1. Rasim Demiri – Ministria e Zhvillimit Rural

I fundit nga lista e ministrave, ka një profil që ta nxitë kureshtjen. Ai vjen nga radhët e 6+, ndërsa formimi i tij kulturor (lex. arsimor), ka të bëjë tërësisht me teologjinë. Ai ka të kryer medresen dhe Fakultetin Teologjik, por për skenën politike, është një emër tërësisht i panjohur.

Fund

Pra në Qeverinë Haradinaj ka ministra të panjohur, shumë të njohur, ministra të dyshuar, ministra me dosje të pastër, të atillë që nuk kanë pasur shumë sukses në udhëheqjet e mëparshme dhe ministra që e në të kaluarën e kanë mohuar Republikën e Kosovës. Ndonëse Haradinaj e ka filluar vrullshëm mandatin e tij si kryeministër, nuk dihet ende se si do të arrijë t’i menaxhojë brenda kabinetit pikëpamjet aq të kundërta të ministrave të tij. Demarkacioni, Ushtria e Kosovës dhe Gjykata Speciale janë tri sprovat më të mëdha të tij në rrafshin e betejave politike, por pa i lënë anash problemet e mëdha në arsim, shëndetësi, ekonomi dhe punësim. Analistët politik, prandaj, mendojnë se kjo qeveri nuk do të arrijë ta përmbyllë mandatin e saj të plotë./ImerTopanica/Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet