“Qeveria e skandaleve” e ka të sigurt qeverisjen deri në shtator

Atëherë pritet që të gjitha partitë të jenë të gatshme që ta sfidojnë qeverinë. Atëherë edhe përfundon procesi i brendshëm zgjedhor i LDK-së, anëtarët e së cilës e kanë konfirmuar se, nuk mund të luftojnë në dy fronte. Por Qeveria Haradinaj, e cilësuar si qeveri e skandaleve, nuk do të mund t’i rezistojë votës së mosbesimit, thonë opozitarët – shkruan Gazeta e Re.

Epitetin “qeveri e skandaleve” nuk ia ka dhënë vetëm opozita por edhe disa nga analistët e njohur politik në vend. Agron Demi, analist i njohur politik, vetëm pas 400 ditësh të qeverisjes, ia numëronte kësaj qeverie 100 skandale.

Duke i përfshirë edhe ato të analistit Demi, disa prej tyre, janë këto:

  1. Rritja e numrit të ministrive dhe përgjithësisht kabinetit qeverisës (përfshirë këtu vendimet për më shumë se 80 zëvendësministrave; 2) Miratimi i Marrëveshjes për Demarkacionin dhe premtimi i parealizuar se kjo çështje do të shqyrtohet pas vetëm gjashtë muajve; 3) Shpikja e pozitave të reja administrative, që kanë për detyrë të kryejnë funksione të ngjashme, me dikastere të tjera; 4) Emërimi në poste i zyrtarëve të ndryshëm, pavarësisht asaj se kanë pasur një të kaluar (për të mos thënë kriminale), të dyshimtë, në raport me respektimin e ligjit; 5) Përjashtimi i Kosovës nga EQAR (Regjistri Evropian për Siguri dhe Cilësi), i cili erdhi menjëherë pas ndërhyrjeve politike në Agjencinë Kosovare të Akreditimit; 6) Falja e borxheve të disa kompanive të ujit «veç pse iu ka tekë» – kryeministrit; 7) Emërimet nepotiste nëpër poste të rëndësishme; 8) 53 milionët «e falura» ndaj kompanisë Bechtel-Enka; 9) Rasti i prokurorit Elez Blakaj – të cilin kryeministri e kërcënoi dhe e fyeu publikisht; 10) Influenca e Haradinajt bëri që bordet në PTK e ZRRE të kenë të emëruar njerëz të afërt me të; 11) Milionat e shpenzuara nga qeveria për mbulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike, nga serbët e veriut; 12) Skandali me blerjet e jashtëligjshme të lejeve të vozitjes; 13) Skandali me provimin për noteri; 14) Marrëdhëniet e këqija ndërmjet partnerëve qeverisës, e për më shumë edhe me krerët institucional etj, etj.

Për të gjitha këto, dhe shumë të tjera, sipas opozitës, nuk ka dhënë e as po jep askush llogari. Disa nga deputetët kanë thënë që kjo qeveri e ka mbushur kupën, andaj është koha që të vihet seriozisht në sprovë. Por ky akt po zvarritet, në rend të parë, për shkak të procesit të brendshëm nëpër të cilin po kalon Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Sipas deklaratave të zyrtarëve të kësaj të fundit, pa e kaluar njëherë procesin e brendshëm zgjedhor, LDK-ja nuk ka mjaftueshëm energji për t’u përqendruar në një proces tjetër, siç është ai i zgjedhjeve nacionale.

Lutfi Haziri, zyrtar i lart i LDK-së, së fundi e ka bërë të qartë që janë duke punuar në dy binarë, në «binarin e parë me partitë opozitare. Ne jemi dakorduar në parim për një mocion mosbesimi, dhe na duhet edhe një besim shtesë i deputetëve të partive të ndryshme. Në binarin tjetër që e kem propozu me 24 maj të  vitit të kaluar, është marrëveshje me gjitha partitë politike, me u dakordu për një datë zgjedhore e cila u jep mundësi të gjitha partive politike që të hyjnë në proces të përgatitur. Edhe më tutje mund të konsiderohet edhe kjo, por mocioni është i pashmangshëm.»

Haziri, i cili këto përgjigje i ka dhënë për Gazeta Express, ia ka bërë të qartë opinionit që procesi i brendshëm i zgjedhjeve në LDK, do të përfundojë brenda pak javëve, dhe pas kësaj «gjithçka do të jetë e hapur».

Ngjashëm është shprehur edhe Anton Quni, deputet nga radhët e këtij subjekti. Sipas tij, edhe ashtu, me gjithë përpjekjet, numri i votave të deputetëve për çështjen e mocionit të mosbesimit kundër qeverisë, nuk është ende i mjaftueshëm.

«Kemi bërë përpjekje që t’i sigurojmë votat për rrëzimin e kësaj qeverie, si më të keqes që nga paslufta, por deri tani, përkundër dëshirës tonë dhe nevojës së madhe për ta nxjerrë vendin nga kjo gjendje dëshpëruese, ne nuk ia kemi arritur t’i kemi numrat e nevojshëm» – është shprehur ai për Express.

Mbetet të shihet, sipas tij, nëse kjo iniciativë do t’i motivojë më shumë deputetë kundër Qeverisë Haradinaj. Për pa e pasur të qartë se kush do ta vazhdojë LDK-në, as çështja e votës së mosbesimit – apo mocionit, nuk do të dihet mirëfilli, thonë njohësit e zhvillimeve politike në vend. /Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet