Qerim Ondozi: Për të mbijetuar, përkthyesit letrar i duhet të merret edhe me zdrukthëtari (me krim të organizuar kurrsesi), kopshtari, e të ngjashme

Qerim Ondozi (Rahovec, 1982) ka mbaruar studimet pasdiplomike në fushën e përkthimit dhe të interpretimit. Flet serbisht (ose boshnjakisht, kroatisht, malazezisht), anglisht dhe spanjisht dhe përkthen prej këtyre gjuhëve. Deri më tani ka përkthyer disa drama, tregime, ese, prozë e poezi të cilat janë botuar në përmbledhje të ndryshme e në revista letrare e kulturore në Kosovë dhe jashtë saj. Nganjëherë e merr guximin dhe shkruan. Jeton në Prishtinë.

Në këtë intervistë për Gazeta e Re, ai ka reflektuar rreth vështirësive të përkthyesit, sfidave të përkthimit, nevojës së madhe për t’i “ekspozuar” vlerat letrare shqipe, në gjuhët e huaja dhe çështjeve që ndërlidhen me librin.

 GER: Z. Ondozi, sa është sfidues përkthimi?

Ondozi: Besoj se përkthyesi është gjithmonë në humbje, gjithmonë është humbës, e ky nuk është konstatim pesimist. Një përkthyes para së gjithash është lexues shumë i vëmendshëm i një teksti, zbërthyes dhe pastaj sakrifikues i tij në çastin kur atë e kthen nga origjinali në gjuhën e synuar. Ky është një aspekt i sfidës. Aspekti tjetër ka të bëjë me mjetet të cilat ai i ka në dispozicion që kjo humbje të jetë më pak e dhimbshme. E kam fjalën për korpusin e fjalëve, për sinonimet e për antonimet, për frazat e për frazeologjizmat të cilat një përkthyes i ka në dispozicion kur përkthen, sidomos kur këtë e bënë nga një gjuhë që konsiderohet ‘më e pasur’ në një gjuhë që konsiderohet ‘më pak e pasur’. Këtu qëndron thelbi i punës së përkthyesit, optimizmi i një humbësi se me aktin e përkthimit ka bërë ç’është e mundur për me humbë më të paktën e mundshme, dhe me i qëndru besnik autorit i cili (me shpresë) ta falë atë humbje.

GER: Në këtë periudhën e tranzicionit (në dy dekadat e pasluftës nëKosovë), përkthyesit e mirë, u ngjajnë “specieve” të rrezikuara, pse?

Ondozi: Nuk e di sa dhe nëse ka devalvuar profesioni i përkthyesit. E di se përkthimi letrar nuk paguhet sa duhet. E di se ka prirje që përkthimet në gjuhën shqipe të mos lexohen, sepse (mbase paragjykohet se) janë të cilësisë së dobët, pastaj nuk e di se sa përkthimet i nënshtrohen ndonjë kontrolli të rreptë e të denjë lektorësh e redaktorësh kompetentë, nuk e dimë si qëndron puna me të drejtat e autorit, me pagesën e këtyre të drejtave nga shtëpitë botuese…. Janë një varg çështjesh për të cilat nuk kemi informacione dhe vetëm mund të spekulojmë. Ajo çka dimë është se përkthyesi i mirë i cili dëshiron të merret vetëm me këtë zanat dhe të jetojë prej tij në ditët tona duhet të punojë edhe diçka tjetër. Të merret me zdrukthëtari, (me krim të organizuar kurrsesi), kopshtari, peshkatari, e të ngjashme…

 GER: Përse zgjodhët ta përktheni librin ‘T’i kthehemi Krijuesit’ të Sulejman Bugarit? Çka të tërhoqi në hydbet e tij?

 Ondozi: Sulejman Bugari është mësues modern dhe shembull i një dijetari të ditëve tona (filozofi në kuptimin zanafillor të fjalës) –  shembull i një kërkuesi dhe dashamiri të dijes, dhe mbi të gjitha shembulli i një optimisti të pashoq e që, sipas meje, është sinonim për besimtarin. Ligjëratat e tij janë të thukta dhe të shkurta, aktuale, gjithëpërfshirëse dhe koncize, konkrete dhe shumë përmbajtjesore. Ligjëratat e e këtij lloji i mungojnë diskursit fetar, sidomos në kohën moderne, në kohën kur besimi është tkurrë në përcjellje të verbër të formës, është tkurrë në një përmbledhje normash, dogmash, dispozitash, derisa raporti me tjetrin as që bëhet temë. Hafiz Sulejmani merret me raportin me tjetrin, me të ndryshmin, dhe e paraqet besimin si diçka të natyrshme, njerëzore dhe mbi të gjitha, universale. Ligjërata e të premtes në ditët tona është shansi i vetëm i cili i jepet një ligjëruesi fetar që një herë në javë t’i drejtohet komunitetit (shanset tjera janë ligjërata interneti, por nuk të flas për to). Dhe nëse një ligjërues e nëpërkëmb këtë shans që i jepet një herë në shtatë ditë, dhe nuk investon mund gjatë gjithë javës që porosia e asaj ligjërate të jetë aktuale, koncize, e thuktë, konkrete, paqësore, dashamirëse, atëherë ai ligjërues duhet ta shqyrtojë seriozisht profesionin e tij, thirrjen e tij, si dhe raportin e tij karshi tjetrit dhe karshi Krijuesit.

GER: A konsideroni që ende kemi nevojë për përkthime të së ashtuquajturës ‘literaturë shpirtërore’ (siç e dini, ka tekste interesante në gjuhët e tjera të autorëve klasikë muslimanë si Ghazali, Al Arabiu, Ibn Khaldun, Al Kindi etj, të cilat janë të panjohura për lexuesit shqiptarë)?

Ondozi: Gjithsesi. Në Kosovë në veçanti kemi një ndarje të poshtër ndërmjet literaturës shekullare dhe asaj fetare. Mund të flasim me ditë të tëra për mijëra arsye për këtë ndarje në Kosovë, por le të themi këtu se ‘shekullarja’ po përpiqet të shkundet prej çdo elementi fetar, dhe ‘fetarja’ po përpiqet të shkundet prej çdo elementi shekullar. Këto dy koncepte i vendosa në thonjëza ngase nuk besoj që njëra apo tjetra përfaqësojnë denjësisht (apo qind për qind) kategorinë në të cilën thirren. Në libraritë jofetare (cilësim i pavend) nuk mund të gjesh literaturë fetare përpos asaj e cila disi ka arritur të kontrabandohet duke u veshur me rroba spiritualiteti properëndimor (!?), derisa libraritë fetare (prapë cilësim i pavend) nuk mbajnë libra ‘qafirësh’, ‘të pafesh’, ‘të pabesësh’ – thuajse ata janë autoriteti i cili vendos kush është besimtar e kush jo, duke i marrë kësisoj ca role të rrezikshme të cilat kurrë s’ju kanë takuar e as që mund t’ju takojnë ndonjëherë. Të them kalimthi se librin e Sulejman Bugarit kanë refuar ta shesin dy librari të tilla, t’i quaj kushtimisht fetare, derisa po ky libër mund të blihet në librarinë Buzuku dhe Dukagjini. Libri është përmbledhje hutbesh. A ka nevojë për koment tjetër?!

GER: Cili është libri i radhës, të cilin e keni përkthyer ose jeni në proces të përkthimit, a mund të na flisni sadopak rreth tij?

Ondozi: E kam në dorëshkrim librin “Shpërngulja” të filozofit, kritikut dhe dramaturgut boshnjak Xhevad Karahasan. Libri është një perspektivë shumë e thellë, personale e intelektuale, e rrethimit katërvjeçar të Sarajevës, e shpërnguljes së një qyteti të tërë. Xhevad Karahasani në mënyrë mjeshtërore prek aspektet thelbësore të një lufte të egër, të një vrasjeje sa fizike aq edhe intelektuale e kulturore të një qyteti, të Jerusalemit të Evropës. Ai flet për natyrshmërinë e dëshirës për vdekje në një rrethanë kur realiteti bëhet pasqyrë e përmbysur, flet për djegien e bibliotekës, flet për dy/pafytyrësinë e botës e cila bën sehir karshi egërsisë së atyre përmasave. Është një perspektivë shumë e dobishme sidomos për ne që kemi kaluar nëpër luftë. Një perspektivë njerëzore e cila mjeshtërisht arrin të mos jetë patetike.

GER: A është përkthimi i poezisë, një ndër zejet më të vështira për zanatçinjtë e kësaj fushe?

 Ondozi: Jo, nuk mendoj ashtu. Besoj se përkthimi i poezisë është ndër aktivitetet që përkthyesi i mirë e bën me më së shumti dëshirë. Unë besoj fuqishëm se çdo përkthyes i mirë është poet me mungesë guximi.

GER: Për fund, ndonëse cilësia e përkthimeve letrare nga gjuhët e huaja në gjuhën shqipe, është e diskutueshme, ajo megjithatë është e bollshme. Por anasjelltas, nga gjuha shqipe në gjuhët e huaja përkthehet fare pak letërsi. A mendoni që ka “brum cilësor” për një ndërmarrje më serioze në këtë drejtim?

 Ondozi: Gjithsesi, ka brum. Popujt e vegjël shpeshherë kanë shumë tregime të hatashme të cilat mund t’i rrëfejnë pjesës tjetër të botës. Këtu ekziston një problem. Zakonisht praktika është që përkthyesi të përkthejë nga gjuha e huaj në gjuhën e tij, atë amtare. Kjo do të thotë se për përkthimin e veprave shqipe në gjuhë të huaja nevojiten anglezë, gjermanë e spanjollë, arabë e kinezë, boshnjakë, kroatë e serbë të cilët e kanë mësuar shumë mirë shqipen sa ta përkthejnë atë në gjuhët e tyre gjegjëse. Ose të ketë përkthyes që mësojnë dy a më shumë gjuhë që nga vegjëlia. Të tillë ka më shumë në raportin shqip-serbokroatisht, e shqip-boshnjakisht, por shumë më pak në relacionin shqip-anglisht. Por, kjo s’do të thotë që shumë shpejt edhe mund të kemi njohës të shkëlqyer të anglishtes të cilët janë kompetentë t’i përkthejnë veprat shqipe në atë gjuhë./Gazetaere.com/

 

 

Kategoritë
INTERVISTALajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet