Qashif Bakiu: Populli shqiptarë në Maqedoni ua mori të drejtën liderëve, për t’i dhënë të drejtë bashkimit

Qashif Bakiu është i lindur 08. 09. 1978 në Strugë. Është politolog, doktor i shkencave në fushën e mendimit politik dhe juridik – historisë dhe teorisë së shtetit dhe të drejtës. Nga viti 2006 është pedagog në Fakultetin Juridik – Shkenca Politike, në Universitetin e Tetovës me titull docent. Ndërsa, si profesor vizitor ka qenë i angazhuar në disa universitete të rajonit si në Shqipëri, Kosovë, Bullgari etj. Ka botuar dhjetëra artikuj shkencor në revista të ndryshme ndërkombëtare, ndërsa analizat e tija janë publikuar në shumë media rajonale dhe ndërkombëtare.

Në këtë intervistë për Gazeta e Re Bakiu fletë për zhvillimet e fundit në Maqedoni, rolin e faktorit ndërkombëtar dhe pozicionin e shqiptarëve. Gjithashtu ai fletë edhe për pengesat që u shkaktuan nga VMRO-DPMNE e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski në formimin e qeverisë së re si dhe zgjedhjet lokale të cilat duhet të mbahen gjatë këtij viti.

Ndër të tjera ai thotë se “një krize brenda etnike maqedonase iu mvesh petku ndëretnik, ku si gjithmonë shqiptarët duhej të ishin fajtorë”. Tutje ai shtonë se “Partitë shqiptare mendoj se tashmë duhet të kalojnë në një nivel tjetër”.

GeR: Z. Bakiu, skena politike në Maqedoni është duke përjetuar kriza të njëpasnjëshme, ku gjinden shqiptarët në këtë kontekst?

Bakiu: Është krijuar një traditë, që i ka rrënjët shumë të hershme, mbase edhe para periudhës komuniste, me të cilën shqiptarët kanë qenë fajtorë kujdestar për çdo situatë. Sikurse në rastin e krizës së fundit, kur një krize të pastër politike ndërmjet partive maqedonase, me prapaskena kriminale, abuzive dhe korruptive, u tentua t’i jepet nuanca etnike. Respektivisht, një krize brenda etnike maqedonase iu mvesh petku ndëretnik, ku si gjithmonë shqiptarët duhej të ishin fajtorë. Shkak për këtë u bë Deklarata e përbashkët e partive shqiptare. Dhe për këtë “faj” akuzuesit u kujtuan dy muaj pasi ishte publikuar. Unë gjithnjë kam qenë kritik ndaj kampit politik shqiptarë, por nëse ka një moment pozitiv në jetën politike të shqiptarëve të Maqedonisë, ai është harmonizimi i qëndrimeve të tyre kundrejt pjesëmarrjes në koalicion qeverisës. Për herë të parë u shënuan vijat e kuqe nën të cilat nuk mund të shkohet. Këtë mbase e solli edhe rezultati zgjedhor, me ç’rast populli nuk i dha shumicën asnjërës nga partitë politike. Populli ua mori të drejtën ekskluzive liderëve të partive politike, për t’i dhënë të drejtë bashkimit. Dhe a mund të jenë fajtorë për këtë?! Kjo është si historia e qenit që lehte pas hënës. E rëndësishme është se veprimi i partive shqiptare në gjithë këtë situatë ka qenë në vijë me faktorin ndërkombëtar, respektivisht SHBA-në, NATO-n dhe BE-në, dhe veprimet kyçe janë përshëndetur nga këto faktor.

GeR: Duke marr parasysh zhvillimet e fundit, a ka gjasa të përmirësohet gjendja e tyre?

Bakiu: Nëse do të flisnin dy qytetarë nga një shtet me demokraci funksionale do të kishin thënë se në Maqedoni nuk ka krizë. Problemi është shumë i thjeshtë, njëra palë VMRO-DPMNE-ja nuk lejon bartjen e pushtetit në mënyrë të qetë shumicës së re parlamentare. Kjo parti ka arritur që të uzurpojë të gjitha shtyllat e shtetit, duke filluar nga pushteti ekzekutiv, për të përfunduar te pushteti gjyqësor i cili është nën ndikim të plotë të tyre. Maqedonia nuk është më në udhëkryq por është në një rrugë ndarëse e cila ka vetëm dy drejtime: perëndim apo lindje. Nëse elitat politike në Maqedoni nuk do të respektojnë rregullat e pluralizmit, si vlerë e shtetit liberal bashkëkohor, atëherë vendi orientohet në kahen e kundër, ku integrimi në NATO dhe në BE do të ngelet vetëm si një ëndërr e parealizuar.

GeR: Kush po e pengon formimin e qeverisë?

Bakiu: Tashmë është shumë e qartë se tendenca e VMRO-DPMNE-së dhe liderit të saj Nikolla Gruevski është me çdo kusht të mos lejohet formimi i qeverisë së re. Por mendoj se nga dita në ditë po harxhohen të gjitha mekanizmat për ta pamundësuar këtë. U harxhuan protestat – këshilli protestues paralajmëroi se i ndërpret protestat, u vandalizua dhe u terrorizua Parlamenti, përkrahja nga faktori ndërkombëtar është nën zero. U bllokua Parlamenti, por deputetët e zgjodhën kryetarin, ndërsa faktorët më të rëndësishëm ndërkombëtarë e pranuan dhe menjëherë e përshëndetën. Mendoj se edhe “letra” e fundit që pamundëson formimin e Qeverisë, mosdhënia e mandatit nga Presidenti Ivanov, brenda këtyre 10 ditëve do të harxhohet. Nuk mund të ndalohet formimi i Qeverisë me akte jo-kushtetuese. Para vullnetit të popullit kanë rënë edhe diktatorë shumë të mëdhenj.

GeR: Zgjedhjet lokale pritet që të ndodhin këtë vit po ashtu, cilat janë mësimet që duhet t’i nxjerrin shqiptarët nga përvoja e fundit?

Bakiu: Partitë shqiptare mendoj se tashmë duhet të kalojnë në një nivel tjetër. Zgjedhjet parlamentare treguan se fragmentarizimi i opozitës bëri që të humben rreth 10 mandate. Mendoj se varësisht nga ajo si do të rrjedhë procesi, partitë shqiptare duhet të grupohen së paku në dy grupime – koalicione, për të mos thënë në dy parti, të cilët në raste të veçanta do të duhej të bashkëpunojnë ndërmjet veti – për komunat e Kërçovës, Strugës dhe Dollnenit. Në këtë mënyrë do të nxirrej rezultati maksimal, por që është më e rëndësishmja do të valorizohej vullneti i votuesit shqiptarë.

GeR: Për fund, ju keni propozuar që zgjedhjet të mbahen me 30 korrik ose 6 gusht, duke i renditur disa arsye, a ka vërtetë gjasa që të ndodhin kaq shpejt?

Bakiu: Unë e kam hedhur këtë ide për tu menduar në këtë drejtim. 30 korriku apo 6 gushti mendoj se janë data të cilat do të ishin të arsyeshme, nga fakti se të gjitha partitë kryesore kërkojnë data të afërta. Gjithmonë vetëm për zgjedhje lokale. Megjithatë, duke u nisur nga rasti i vitit 2004 kur zgjedhjet lokale u shtynë për më shumë se gjashtë muaj, edhe 24 dhjetori do të ishte datë e pranueshme për shqiptarët. E gjithë ideja ishte se mbi një e treta e shqiptarëve të Maqedonisë, por edhe një pjesë e popullatës së bashkësive të tjera etnike, punojnë jashtë vendit, ndërsa këto janë data kur ata kthehen në vendlindje. Për këto shqiptarë ky shtet nuk bën asgjë, e vetmja gjë që bën është se mbush arkën nga të ardhurat e tyre. Të dhënat zyrtare flasin se remintancat nga mërgata (që në shumicë absolute janë shqiptarë) janë mbi 800 milion euro, ndërsa mjetet financiare që vijnë në vijë jo formale kalojnë shumë më tepër se kjo. Dhe ky shtet nuk kryen asnjë detyrim ndaj tyre. Ata investojnë këtu, ndërtojnë jo vetëm në pronën e tyre por edhe në projekte me interes publik, si në rrugë, ujësjellës, shkolla etj. Mërgata jonë ka më shumë të drejtë se ne që jetojmë këtu që të zgjedh, të zgjedh se kush do të menaxhoj me taksat që paguajnë ata këtu, të zgjedh se kush dhe si do të harxhoj buxhetin që e mbushin në masë më të madhe ata. Ndërsa partitë shqiptare ia kanë këtë borxh mërgatës tonë./gazetaere.com

Kategoritë
INTERVISTALajmet KryesoreRajoni

Të ngjajshmet