Pse po i çon ujë mullirit të LDK-së Ramush Haradinaj?

Në një kohë të tillë, të një fushate të parakohshme zgjedhore, spekulimet gëlojnë nga të gjitha këndet. Lufta ndërmjet subjekteve politike po karakterizohet edhe me përdorimin e mjeteve mjaft speciale. Deklaratat e krerëve të subjekteve, përkatësisht kandidatëve për kryeministra, duhen analizuar me kujdes, vënë në dukje njohësit e zhvillimeve – shkruan Gazeta e Re.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, të cilat janë mbajtur në vitin 2017-të, Lëvizja Vetëvendosje pat dalë partia e vetme, por me më së shumti vota të grumbulluara, kundër një koalicioni të gjerë, i cili vetëm kështu mund talente LVV-në në vendin e dytë.

Kështu koalicioni i njohur si PAN, i përbërë nga: Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nisma për Kosovën, Partia e Drejtësisë (PD), Lëvizja për Bashkim (LB), Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK), Partia Konservatore e Kosovës (PKK), Alternativa Demokratike e Kosovës (ADK), Republikanët e Kosovës, Partia e Ballit, Partia Socialdemokrate (PS), Balli Kombëtar i Kosovës (BK), ia dolën ta pozicionojnë LVV-në në vendin e dytë, duke grumbulluar më së shumti vota për vete dhe për rrjedhojë, duke e fituar të drejtën e mandatarit për ta formuar qeverinë. Sipas rezultateve të cilat janë certifikuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), diferenca ndërmjet këtyre dy subjekteve, ka qenë tejet e vogël: me 245.627 vota, ose  33,74% për koalicionin PAN; ndërsa   200.135 vota për LVV-në ose 27,49%.

Sipas njohësve të zhvillimeve, nga 2017-ta nuk ka kaluar shumë kohë dhe disponimi i qytetarëve nuk është se ka ndryshuar shumë. Përsëri pritet që LVV të korrë rezultate të mira, andaj rivalët mund të shpikin çfarëdo mekanizmash për ta eliminuar nga gara. Këtij subjekti i mungon një traditë bashkëpunimi me subjektet e tjera të cilat deri më tani e kanë provuar pushtetin qendror në një mënyrë, apo në një tjetër, andaj edhe ia kanë frikën nëse ia del të pozicionohet e para në zgjedhjet e 6 tetorit – thonë ata.

Kështu një deklaratë e Kryeministrit të dorëhequr Ramush Haradinaj, po komentohet si një taktikë e tij, për ta favorizuar LDK-në, qëllimshëm, meqë me të mund të merret vesh më lehtë për ta formuar koalicionin qeverisës.

«PDK-ja pa përkrahjen e LDK-së nuk do të kishte arrit me e legjitimu as Kadriun e as Hashimin. Kadrija ishte politikan i hijes, dhe LDK-ja e nxjerri prej aty duke e bërë kryetar të Parlamentit», është shprehur ai ndër të tjera në një intervistë për Kohën Ditore.  Me këtë deklaratë ai e ka faktorizuar LDK-në, e ndërsa nuk ka hezituar të çojë nota negative për LVV-në, duke e cilësuar si «ëndërruese të lëvizjeve të dikurshme të majta».

Hedhja e fajit te ish partneri, sipas analistëve, nuk e shkarkon Haradinajn aspak nga barra e fajit, por lavdërimi i LDK-së nuk është vetëm një taktizim i tij – thonë analistët. Mund të bëhet fjalë për një marrëveshje të fshehtë ndërmjet këtyre subjekteve që ndërlidhjet me ndonjë koalicion pas zgjedhor. Me gjithë që këto mbesin në nivel të spekulimeve, sinjalet bëjnë që të dyshohet rreth saj. E ndonëse në garë për kryeministër janë pesë kandidatë (Albin Kurti, Vjosa Osmani, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj e Milaim Zeka), vetëm dy shihen si favorit të mëdhenj dhe atë nga subjektet si LVV dhe LDK./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet