Gjatë një dite të marsit, një litër vaj u shit deri në 3 euro e 49 centë. Ky çmim u vendos nga disa markete, që vendosën ta shfrytëzojnë panikën e qytetarëve pas luftës në Ukrainë, duke e rritur çmimin brenda orës.Çmimin e rritën me arsyetimin se ka mungesë, por që dyshimet janë se shishet i largonin vetë nga raftet e i dërgonin në depo, për të krijuar bindjen se s’ka vaj.
Çmimi u ul në mbrëmje vetëm pas ndërhyrjes së Policisë dhe Inspektoratit, duke rënë në 2 euro e 20 centë.

Ky çmim ka ndryshuar sërish. Konsumatorët janë ankuar nëpër rrjete sociale se çmimi është rritur në 2 euro e 99 centë.
Krahasuar me mbi para një dekade, çmimi pothuajse është dysfishuar. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2010, një litër vaj mund ta bleje me 1 euro e 22 centë.
Nëntë vite më pas, çmimi ishte edhe më i lirë. Një shishe vaj kushtonte 1 euro e 2 cent. Në 2020’ën, çmimi i vajit ishte 1 euro e 6 centë, derisa në 2021’ën 1 euro e 54 centë.
Dy vendet ku Kosova blente vaj e ndalin eksportin
Dy shtetet prej të cilave vendi importon vaj më së shumti, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, kanë vendosur ta pezullojnë eksportin e këtij produkti.
Një vendim i tillë vjen pikërisht në një kohë kur Kosova po përballet me mungesë të këtij produkti në rezerva shtetërore, shkruan EO.
Se ka mungesë të këtij produkti e ka konfirmuar vetë kryeministri Albin Kurti, para gati një jave.
“Sa i përket rezervave të miellit, nuk jemi keq. Kemi mangësi sa i përket vajit të ushqimit. Vaji i lulediellit, lënda e parë e të cilit ka ardhur në masë të madhe nga Ukraina është brengë edhe për vendin tonë në javët e muajt në vijim. Por në raport me furnizimet që i bën në Evropë Federata Ruse, ne nuk jemi të prekur sepse edhe ashtu s’kemi pasur furnizim prej tyre as ndonjë shkëmbim tregtar”, është shprehur Kurti.
Bazuar në statistikat nga Dogana e Kosovës, vetëm këtë vit, nga këto dy shtete është importuar vaj luledielli në vlerë mbi 5 milionë e 300 mijë euro.
E vjet, vlera e importit të vajit nga Serbia e Maqedonia e Veriut ka qenë gati 20 milionë.
Kosova edhe e eksporton te to një sasi të vajit. Krahasuar me atë të importit, shumë më e vogël.
Bazuar në të dhënat e Doganës, këtë vit në Maqedoni të Veriut dhe Serbi, është eksportuar vaj në vlerë rreth 100 mijë euro.
Prej cilave shtete mund ta sigurojë importin që i nevojitet?
Vajin që deri tash e importonte nga këto shtete, Kosova mund ta zëvendësojë me importin nga shtetet e tjera prej të cilave blen vaj.
Viteve të fundit importi i këtij produkti është realizuar edhe nga Bullgaria, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Gjermania, Greqia, Hungaria, Austria e Italia.