Pse Kryetarja e Gjykatës Speciale nuk i takoi liderët e Kosovës?

Kryetarja e Gjykatës Speciale për Kosovën, Ekaterina Trendafilova sot bëri vizitën e parë në Kosovë. Por përveç me Ministrin e Drejtësisë dhe shoqërinë civile, njeriu që ka rolin kryesor në Gjykatën Speciale nuk ka në agjendë takimin me udhëheqësit shtetëror. Arsye zyrtare nuk ka, por njohësit e çështjeve politike në vend kanë opinione të ndryshme për këtë shkruan Gazeta e Re.

Në fakt, Zyra e Kryeministrit Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se kryeministri nuk ka pranuar ftesë për takim nga ana e gjyqtares. Edhe Zyra e Presidentit Hashim Thaçi ka bërë të ditur se as ata nuk kanë pranuar ndonjë ftesë për takim nga ana gjyqtares.

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, në vizitën e saj të parë zyrtare në Kosovë, përveç takimit me përfaqësues të shoqërisë civile, ka folur për strukturën, zhvillimet më të fundit ligjore dhe punën e Dhomave të Specializuara. Ajo tha se do të japë informata të hollësishme për Specialen. Ngjarja e sotme, sipas saj, është e një rëndësie të madhe që të vendoset besimi në proceset që do t’i marrë Dhoma e Specializuar, pa ndonjë ndërhyrje apo favor ndaj dikujt.

“Dhomat e specializuara janë krijuar që të hetojnë krimet e luftës për të siguruar gjykime të drejta, pra të ndiqen dhe gjykohen individë dhe jo organizata. Dhomat e Specializuara e respektojnë barazinë për të drejtat e viktimave”, ka thënë Trendafilova.

Trendafilova ka thënë se dhomat e specializuara janë të pavarura dhe nuk do të ketë ndërhyrje politike.

“Gjyqësori nuk shkon me politiken. Nëse mendon dikush që mund ta bëjë këtë atëherë nuk e ka adresën e duhur. Do të jemi në mbrojtje për dëshmitarët dhe viktimat. Nuk ka aktakuza aktualisht. Jemi duke pritur prokurorin që të kryejë detyrat e tij”, është shprehur ajo.

Profesori universitar Muhamet Kelmendi, në një prononcim për Gazeta e Re thotë se vizita e Trendafilovës në kohën kur priten aktakuzat e para është shumë domethënëse.

“Vizita e kryetares së Gjykatës Speciale në Kosove tash në prag të hapjes së aktakuzave është domethënëse. Ajo kështu tregon se kjo gjykatë do të fillojë punën dhe se do të jetë shumë e dhimbshme. Më vjen shumë rënd, por kjo gjykatë është anormale dhe ka tendenca antishqiptare”, thotë Kelmendi.

E sipas njohësit të çështjeve politike në vend Selam Hajrizit, Trendfilova qëllimisht nuk i takoi liderët shtetëror.

“Zonja Trëndafilova nuk do të takojë tre liderët e Kosovës se juridikisht ajo e din që ata potencialisht mund të jenë të akuzuar dhe në mesin e disave kanë dhënë kritika të forta ndaj Gjykatës Speciale duke e quajtur tragjedi juridike Specialen. Ky është një imazh juridik negativ për Kosovën dhe liderët e saj, të cilët janë në një pozitë të vështirë politikike ku kredibiliteti i tyre politik dhe opinioni publik është kundër tyre”, thotë Hajrizi.

Sipas tij, Gjykata Speciale dhe kryetarja e saj do ta ketë të vështirë ta sjellë ligjin dhe drejtësinë në një Kosovë të “tensionuar politikisht”. Megjithatë, Hajrizi thekson se liderët tanë herdokur do ta kenë obligim që ta takojnë Kryetaren e Speciales sepse ata e kanë votuar Specialen në Parlament prandaj duhet respektuar BE- në dhe institucionet juridike të saj.

Sipas njohësit të çështjeve politike në vend, Florim Zeqa, fakti që nuk pati një takim mes udhëheqësve shtetëror të vendit dhe kryetares së Speciales, shpërfaq edhe një herë papërgjegjësinë e institucioneve tona shtetërore karshi faktorit ndërkombëtar.

“Për më tepër se kaq, është kjo një tendencë për ikje nga përgjegjësitë dhe obligimet ndërkombëtare që ka pranuar mbi supet e tyre klasa e papërgjegjshme politike kosovare lidhur me krijimin e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale. Jo vetëm kaq, për liderët shtetëror, Gjykata Speciale paraqet edhe obligim ligjor, për faktin se dokumenti për Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale është miratuar edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Çështje tjetër mbetet fakti pse liderët shtetëror, partiakë dhe deputetët e legjislaturës së kaluar nuk e kanë studiuar si duhet dokumentin e sipërpërmendur të Gjykatës Speciale. “Zgjimi” i vonuar i disa liderëve partiakë dhe deputetëve të caktuar për zgjerimin e kompetencave të Gjykatës Speciale është zgjim 10 minuta pas orës 12.00 nga agonia e gjatë e fjetjes në Parlamentin e Kosovës. Përfundimisht, mostakimi i liderëve shtetëror me kryetaren e Gjykatës Speciale Ektarina Trendafilova, do të jetë një goditje e radhës për Kosovën, e cila do ta përkeqësoj akoma më tepër pozicionin e vendit tonë në raport me bashkësinë ndërkombëtare. Me një veprim të tilë të papërgjegjshëm, liderët shtetëror dhe partiakë jo vetëm se nuk do mund ta pengojnë procesin e fillimit të punës së “Speciales”, do të rëndojnë akoma më tepër situatën e Kosovës karrshi kësaj gjykate, se gjoja po tentohet të fshihet diçka nga ana e tyre!!!”, thotë Zeqa.

Ndryshe, Trendafilova është emëruar më 14 dhjetor 2016 si Kryetare e Dhomave të Specializuara. Ndërsa, Rregullorja e Procedurave për Dëshmi ka hyrë në fuqi më 5 korrik dhe prej kësaj date dhomat e specializuara janë funksionale dhe janë të gatshme nëse ngriten aktakuzat. Këto Dhoma deri tani kanë dy gjyqtarë nga Franca, dy nga Holanda, dy nga Italia, katër nga Gjermania dhe një nga Norvegjia.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet