Pse i shmangemi distancimit social?

Përhapja e pandemisë së koronavirusit në botë ka rritur nevojën për altruizëm dhe sjellje më të kujdesshme nga njerëzit për të ulur shkallën e infeksionit. Por faktorë të ndryshëm bëjnë që disa individë të mos i përmbahen normave të reja.

Vendosja e kufizimeve dhe e masave të distancimit social për shkak të pandemisë së Covid-19 kanë krijuar norma të reja shoqërore dhe kanë ndryshuar konceptin e lirive të njeriut.

Sociologët vërejnë se faktorët politikë, demografikë dhe psikologjikë po bëjnë që disa njerëz t’i devijojnë rregullave të autoriteteve shtetërore.

Devijimi si një fenomen social shihet tashmë nga ta me rrezik për shëndetin e publikut të gjerë, tregon profesori i psikologjisë, Xhej Van Bavel, nga Universiteti i Nju-Jorkut.

“Një nga faktorët kulturorë kryesorë që dallon nëpër botë është individualizmi dhe kolektivizmi. Në vendet si SHBA-ja, Britania apo Kanadaja, njerëzit e shprehin më shumë identitetin e tyre si individ dhe janë më pak të prirë ta ndjekin rrymën. Ndërsa në vendet si ato të Azisë Juglindore, njerëzit janë të kolektivizuar, priren të ndjekin shembullin e njëri-tjetrit dhe më të mirën e grupit.”

Detyrimi apo jo me ligj i maskave për qytetarët mbetet një debat i nxehtë në Shtetet e Bashkuara, dhe vazhdon të kundërshtohet nga grupe të caktuara.

“Ku e gjeni autoritetin të rregulloni frymëmarrjen e njerëzve, të më reduktoni mua oksigjenin? Ju pyes sepse bëni si doktorë kur jeni të tillë dhe dilni kundër Zotit që na ka falur frymën,” deklaroi para Senatit amerikan një qytetare e shtetit të Floridës.

Për profesorin Van Bavel, instinktet tona të njeriut të mbrujtura që nga vegjëlia luajnë një rol kryesor në vendimmarrje në këtë periudhë pandemie.

Në shoqëritë me ndasi më të mëdha politike, gjasat janë më të ulëta që njerëzit të ndjekin këshillat e një pale politike kundërshtare, dhe priren të formohen në kampe pro dhe kundër.

“Trupi dhe truri ynë janë modeluar për të pasur raporte dhe pandemia në shumë kuptime na privon nga instinktet tona. Kjo është një nga arsyet pse shohim vatra të koronavirusit shpesh kur njerëzit mblidhen në ceremonira, martesa ose festa apo bare, pasi nuk i rezistojmë dot tendencës për lidhje shoqërore dhe grupore.”

Në botë raportohen deri tani mbi 20 milionë persona të infektuar dhe rreth 750 mijë viktima nga koronavirusi, ndaj ekspertët e shëndetit apelojnë respektimin e udhëzimeve të autoriteteve vendëse për të mos i rritur në mënyrë më tragjike përmasat e pandemisë.

Kategoritë
FamiljeShëndetësi

Të ngjajshmet