Pronë e kujt është Kosova?!

Për dy ditë me radhë, opinioni publik, ka pasur rastin t’i shoh deputetët e angazhuar në kuvend. Në dy seanca, njërën prej tyre të jashtëzakonshme, disa nga të zgjedhurit e popullit kanë shprehur shqetësimin e tyre për sa i përket fenomenit të emigrimit, i cili sa vjen e po rritet – shkruan Gazeta  e Re.

Dy terme të cilat fjalori themelor i shqipes, janë lakuar këto ditë nga politikanët, shpesh pa ua ditur dallimin thelbësor.

A është duke u përballur Kosova me fenomenin e emigrimit apo imigrimit? Kësaj pyetjeje janë rrekur t’i përgjigjen të zgjedhurit e popullit. Ndër të tjera ata janë orvatur t’i identifikojnë edhe shkaqet që po i çojnë qytetarët që të ikin nga vendi.

Në fjalorët themelorë online, domethënia e nocioneve “imigrim/imigrant” është kjo:

IMIGRACION m.

  1. shih IMIGRIM,~I. Imigracion i gjerë. Imigracioni i popullsisë. Imigracion në masë.
    2. përmb. Njerëzit që kanë imigruar, tërësia e imigrantëve.

IMIGRANT m.

I huaj që ka ardhur në një vend tjetër për të jetuar e punuar përgjithmonë aty. Familje imigrantësh. Valë imigrantësh. Të drejtat (detyrat) e imigrantëve.

Po sipas këtyre fjalorëve, nocionet “emigrim/emigrant” kanë një dallim krejt periferik me fjalët paraprake:

EMIGRACION m.

  1. shih EMIGRIM,~I.
    2. përmb. Njerëzit që kanë emigruar. Emigracioni politik (ekonomik).

EMIGRANT m.

Ai që është larguar nga atdheu i vet për shkaqe politike, ekonomike etj. dhe është vendosur përkohësisht a përgjithmonë në një vend të huaj. Emigracion politik (ekonomik).

 

Nëse Kosova është duke u përballur me një imigrim masiv, atëherë pasojat mund të jenë shumë të rënda, ndërsa emigracioni, nuk duhet të jetë aq shqetësues, sipas njohësve të zhvillimeve. Kritikët më të zëshëm, fajin më të madh ia veshin qeverisë aktuale.

“Ata që mendojnë të presin fundin e mandatit të kësaj qeverie,  gjegjësisht  përmbysjen e këtyre strukturave korruptive me votë të “lirë”, do të zhgënjehen akoma më keq, ngase deri atëherë, këta liderë të korruptuar, do ta rëndojnë akoma më shumë jetën e qytetarëve, do ta ngulfatin vullnetin e shumicës shqiptare në Kosovë” – shkruan analisti politik Florim Zeqa, i cili e sheh shumë imediate largimin e menjëhershëm të kësaj qeverie. Sipas tij, ajo e ka humbur legjitimitetin tashmë dhe se zgjidhjet janë një hap i domosdoshëm për ta stabilizuar sadopak gjendjen, e për ta kthyer shpresën.

“Do të ishte absurde t’i lejohet kësaj qeverie të shkojë tutje me qeverisjen e shumicës shqiptare me 52 deputet dhe me votat e pakicës minoritare serbe, kësaj pakice e cila përveçse nuk e njeh Republikën e Kosovës, e saboton dhe shkatërron nga brenda ekzistencën e shtetit tonë” – shprehet ai më tej.

Problematike, sipas tij, është edhe çështja e bisedimeve, proces në të cilin disa nga krerët e shtetit kanë treguar gatishmëri për arritjen e kompromiseve të dhimbshme në kurriz të vendit. Po këta politikanë me mentalitet primitiv, ua rrënuan shpresat qytetarëve, ndonëse vendi është i pasur me “resurse natyrore dhe pasuri të shumta nëntokësore.” Vendi është bërë i pajetueshëm, pikërisht për shkak të destruktivitetit të tyre.

“Sipas logjikës qeverisëse të këtyre politikanëve, të drejtë punësimi në instiucione shtetërore të këtij vendi kanë vetëm familjarët e tyre dhe militantët partiak, ndërsa për qytetarët që nuk janë pjesë e partive në pushtet (shumica e popullatës), nuk ka shpresë dhe perspektivë për asgjë në këtë vend.”

Zeqa u  është bashkuar zërave opozitarë, të cilët janë duke bërë thirrje që vendi të ngitet kundër “PANhajnisë”. Aktualisht, Lëvizja Vetëvendosje është duke bërë fushatë të ngjeshur në këtë drejtim, ndërsa zyrtarët e LDK-së, nuk është që kanë treguar entuziazëm për ta përkrahur. /Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet