Promovim Shqipërisë para investitorëve të huaj

Promovimi i Shqipërisë para investitorëve të huaj dhe vendosja e shërbimit të jashtëm në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit objektiv ambicioz i qeverisë shqiptare.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mori pjesë sot në punimet e ditës së tretë të takimit me ambasadorët e Shqipërisë në botë, mbi sfidat e diplomacisë ekonomike shqiptare.

Tërheqja e investitorëve të huaj në sektorët e ndryshëm prioritarë të ekonomisë dhe promovimi e zgjerimi i eksporteve dhe njohja e Shqipërisë si destinacion turistik gjatë të gjithë vitit ishin në fokus të këtij takimi.

Lidhur me ridimensionimin e diplomacisë ekonomike, kryeministri Rama shprehu bindjen se janë të gjitha arsyet për të qenë të inkurajuar dhe optimistë në funksion të një përfshirje shumë sistematike të shërbimit të tyre të jashtëm për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe domosdoshmërinë e rritjes së investimeve të huaja, por edhe për të mbështetur sektorë të ndryshëm të ekonomisë, qoftë në nivelin qendror, por edhe në nivelin vendor”.

Ridimensionimi i diplomacisë ekonomike, sipas Kryeministrit Rama, nuk është një objektiv që mund të përmbushet thjesht dhe vetëm nga trupa e diplomatëve, por kërkon kalimin në një nivel tjetër të koordinimit me ministritë, që janë të përfshira drejtpërdrejt në funksion të zhvillimit ekonomik dhe rritjes së investimeve të huaja.

Sipas Ramës, “këtë nivel të ri koordinimi, Shqipëria dhe institucionet e saj nuk e kanë pasur më parë, por pa të, është e pamundur të planifikohet dhe implementohet një program suksesi në këtë drejtim”.

Lidhur me këtë objektiv ambicioz, kreu i Qeverisë kërkoi nga ambasadorët që të kuptojnë rëndësinë e madhe të rolit të tyre për të ndihmuar, duke këmbëngulur në kalimin sa më të shpejt dhe me sukses të kësaj faze tranzicioni të vetë institucioneve, që duhet të vihen në shërbim të diplomacisë ekonomike.

“Ne sot kemi një bazë të rëndësishme për të komunikuar me fakte në dorë, me të gjithë ata që janë të interesuar, apo për të nxitur më tutje interesin e të tjerëve, lidhur me potencialet dhe oportunitetet që ofron vendi ynë. Ka një rritje të ndjeshme të interesit për të investuar në vendin tonë, posaçërisht në turizëm, dhe në sektorin e energjisë dhe naftës. Ne duhet të fokusohemi fort tek turizmi, manifaktura, zhvillimi rurual, dhe këtu kam parasysh zhvillimin e industrive përpunuese, ku kemi ende një boshllëk shumë të madh. Por, duke u nisur nga shifrat shumë inkurajuese të eksporteve të prodhimeve bujqësore dhe duke parë interesin real të tregjeve evropiane të këtyre eksporteve, besojmë se është plotësisht e arsyeshme që edhe në këtë aspekt të kërkojmë të përfshijmë aktorë që vijnë nga tregje të tjera për të shfyrtëzuar potencialin e vendit tonë”, shtoi Rama.

Kryeministri vuri theksin te qasja e re që po krijon qeveria në raport me diasporën shqiptare.

“Një theks i munguar në vite në dimensionin ekonomik dhe politik, por që ne do ta vendosim shumë fort, është theksi te diaspora. Jo rastësisht dhe as thjesht për të pasur një pozicionim formal në raport me këtë element kaq të rëndësishëm të shoqërisë tonë, por pikërisht për të krijuar një qasje të re, ne kemi sot një ministër Shteti për Diasporën”, tha Rama.

Ai theksoi se “ka një plan konkret për të zhvilluar marrëdhëniet me diasporën, duke pasur parasysh edhe kompleksitetin e diasporës shqiptare, që përbëhet nga disa gjenerata dhe shkon nga gjenerata e vjetër apo tradicionale, deri te gjenerata më e re, ata që kanë lëvizur jashtë Shqipërisë pas shembjes së komunizmit”. Në aspektin e interesit të madh kombëtar, për Ramën, diaspora është një burim i jashtëzakonshëm dhe i pashfrytëzuar, si përsa i përket përfshirjes në jetën ekonomike të vendit, por edhe kapaciteteve të jashtëzakonshme akademike dhe intelektuale.

“Të dyja këto ne i shikojmë të pandara nga njëra-tjetra sepse kemi mësuar se diferencën mes vendeve që zhvillohen dhe vendeve që përpiqen të zhvillohen, nuk e bën ajo që vendet kanë në kuptimin e pasurive natyrore, por ajo që vendet dinë në kuadër të kapaciteteve për të arritur objektiva të paarritshëm”, theksoi kryeministri.

Në këtë drejtim, kryeministri Rama hoqi një paralele mes Shqipërisë dhe Izraelit në sektorin e ujërave, për të kuptuar pikërisht diferencën që ekziston mes dy vendeve, dhe që në rastin konkret nuk varet nga pasuritë natyrore.

“Shqipëria është vendi i dytë më i pasur me ujë në Evropë dhe një nga problemet prej një çerek shekulli është uji. Izraeli është vendi me sistemin më ekselent të ujësjellësit në botë edhe pse nuk ka asnjë pikë uji si pasuri natyrore. Aftësitë janë ato që përcaktojnë edhe mundësinë reale të rritjes së një vendi dhe arritjes së objektivit për rritjen e mirëqenies varësisht nga pasuritë natyrore”, tha Rama.

Në funksion të diplomacisë ekonomike, Kryeministri Rama theksoi se është vendosur edhe një zv/ministër i dedikuar, i cili ka detyrë të posaçme ndërveprimin me shërbimin e jashtëm, ambasadorët dhe kompanitë, për të bërë të mundur që të anashkalohen shumë burokraci dhe të sjellim shumë më tepër përfitime në ekonominë e vendit dhe rrugën e zhvillimit”.

“Ne duhet të përmirësojmë imazhin e vendit nga një këndvështrim tjetër, nga ata që Shqipërinë duhet ta shohin si një vend oportunitetesh dhe jo rreziqesh imagjinare. Në kontekstin e ri të rajonit, kjo bëhet edhe më tërheqëse sepse nuk është fjala për një treg të vogël, por për një treg që ndërvepron me një hapësirë shumë më të madhe se tregu shqiptar dhe krijon perspektiva për të gjitha kompanitë që shikojnë Shqipërinë dhe rajonin si një mundësi për të investuar”, tha Rama.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet