Prokuroria Speciale zgjeron hetimet në veri, 19 policë mbesin në paraburgim

Katër muaj pas aksionit në veri të Mitrovicës, ku përfunduan në pranga 19 zyrtarë policorë, Prokuroria Speciale pritet t’i zgjerojë hetimet edhe ndaj 4 zyrtarëve policorë në veri të Mitrovicës.

Prokurori i cili është duke kryer hetimet në këtë rast, Sylë Hoxha, thotë se pas intervistimit për herë të dytë të të dyshuarave, janë siguruar prova të reja, derisa disa prej të dyshuarve kanë ofruar bashkëpunim me prokurorinë, raporton KTV.

Hoxha më tutje, thotë se ka urdhër që të bëhet një vlerësim financiar i të dyshuarve, derisa thotë se video-incizimet, bisedat telefonike janë vetëm disa nga provat të cilat implikojnë të dyshuarit në këtë rast.

E për këtë, të enjten në prokurori është intervistuar edhe Ramadan Mustafic përgjegjësi për mbikëqyrje të vijës kufitare.

Avokati që e mbron atë, e quan spektakël procesin ndaj klientit të tij.

Në fund të majit, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Inspektoratin Policor dhe Prokurorinë Speciale, ndërmorën aksion në veri ku arrestuan 19 zyrtarë policorë, në mesin e tyre edhe komandantin e Stacionit policor në Zubin Potok, me dyshimet për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, “marrje ryshfeti” dhe “kontrabandim me mallra si dhe tregti të ndaluar”.

Megjithatë, për policinë mbesin të pakapshëm edhe katër eprorë të Policisë nga veriu i Mitrovicës, të cilët ndodhen në arrati pas aksionit të Policisë së Kosovës.

Në mesin e të arratisurve është edhe komandanti i Stacionit policor për mbikëqyrje të kufirit në Leposaviq.

Derisa prokuroria ka lëshuar urdhër arrest për ta, dyshohet se ata janë duke u fshehur në Serbi.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet