Prokuroria: Fajtorë në aksidentin në Mramor është vetura e viktimave

Kryeprokurori i Prokurorisë së Prishtinës, Imer Beka, i ka thënë Kohës Ditore se një ekspert i komunikacionit është angazhuar për të vërtetuar shkaqet e aksidentit që ndodhi mbrëmë në fshatin Mramor të Prishtinës, në të cilën mbetën të vdekur 4 persona, e u lënduan 4 të tjerë, në mesin e të cilëve edhe ambasadorja e Turqisë, Kıvılcım Kılıç.

Hetimet e para, sipas Bekës, e bëjnë fajtor shoferin e veturës në të cilën kanë qenë viktimat.

“Nga hetimet e para shoferi i mjetit në të cilën kanë qenë viktimat është fajtori. Shoferi e ka pasur mundësinë për tejkalim por vetura ka qenë e dobët”, ka thënë Beka.

Vetura me të cilën po qarkullonin anëtarët e familjes Shala, të cilët mbetën të vdekur, është e markës Opel Corsa.

“Prokurori i rastit e ka angazhuar një ekspert të komunikacionit. Sot pritet të dalë ekspertiza e cila do t’i sqarojë shkaqet. Deri më tash dyshimet janë se përqindja më e madhe e fajit është e shoferit nga vetura e te cilës janë viktimat”, ka thënë Beka për Kohën Ditore.

Njësoj, më parë edhe prokurori përgjegjës për komunikim me media në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, Ibrahim Berisha, ka thënë se dyshimet e para lidhur me aksidentin tragjik janë se vetura e tipit “Opel Corsa”, ka qenë shkaktari i aksidentit. Kjo, thotë Berisha, dyshohet se ka hyrë gabimisht në tejkalim.

 

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet