‘Projekti i Historisë së Përbashkët’, me shumë pasaktësi – thotë eksperti

Ballkani konsiderohet si një vend ku konfliktet mund të shpërthejnë nga çasti në çast. Raportet ndërmjet popujve, janë përherë të tensionuara dhe këtë na e mëson e kaluara e ngjeshur me luftëra e konflikte të shumta. Urrejtja kundrejt njëri tjetrit në këtë pjesë të botës, kultivohet prej fëmijërisë. Për rrjedhojë librat e historisë, të dedikuara për nxënësit, e deri tek studentët, janë të mbushura me falsifikime, urrejtje e mungesa të mëdha të dhënave – shkruan Gazeta e Re.

Branimir Anzuloviq në librin e tij të njohur Serbia Hyjnore – nga miti te gjenocidi, heton më së miri natyrën e kësaj amalgame – se si kultivohet urrejtja, mbështetur kryesisht në një terren mitologjik, për ta justifikuar ‘racën’ serbe, si racë e zgjedhur, e cila përfundoi duke e shkatërruar një konfederatë të tërë, duke u futur në luftëra të përgjakshme, me pasoja fatale, gjenocide, e krime të rënda.

Por nuk është vetëm versioni historik i serbëve i kontaminuar me mite, mungesa e falsifikime, por edhe i popujve të tjerë të Ballkanit. Versione të tëra interpretimesh e shpjegimesh mund t’i gjesh, jo vetëm për një moment historik, por edhe për periudha të tëra.

Duke e vënë re këtë fakt, njohësit e zhvillimeve në Ballkan, konsiderojnë që ndërprerja e kultivimit të urrejtjes së ndërsjellë ndërmjet popujve, si parakusht për qetësim gjakrash dhe pajtim, mund të arrihet vetëm nëse shkruhet dhe mësohet një histori e përbashkët në gjithë rajonin. Andaj ‘Joint History Project’ (Projekti i Historisë së Përbashkët), ka pasur këtë intencë, që në krye të herës.

Mirëpo, ndonëse fillimisht ishte «një përpjekje për t’iu ofruar profesorëve të historisë një tekst mësimor shumëperspektivësh për historinë e Ballkanit» , megjithatë «shumë ngjarje tejet të rëndësishme të historisë së re të Kosovës nuk figurojnë fare në këtë libër, ndërkaq shumë ngjarje paraqiten në mënyrë sipërfaqësore, të pasaktë e me anime prosërbe» – vë në dukje studiuesi Shkëlzen Gashi.

Organizata Center for Democracy and Reconciliation in Southeast Europe (CDRSEE), ka pasur një qëllim të mirë kur e ka filluar këtë projekt, por finalizimi i tij, lë shumë për të dëshiruar, vë theksin Gashi, në një analizë të publikuar këtyre ditëve.

«Për këtë qëllim, më 1999 ata inicuan projektin e tyre më të rëndësishëm, të titulluar «Joint History Project» (Projekti i Historisë së Përbashkët), në mënyrë që mësimdhënësve të historisë në Ballkan t’u ofronin materiale që përmbanin shumë perspektiva për të njëjtën ngjarje. Projekti nuk synonte vetëm t’i rishikonte mësimet etnocentrike të historisë, por edhe t’i nxiste mendimin kritik e debatin, ta promovonte diversitetin e t’i pranonte si vuajtjet ashtu edhe arritjet e përbashkëta të popujve ballkanikë.»

Ndonëse projekti është përkrahur nga Bashkimi Evropian (BE), historianët e angazhuar, nuk kanë arritur ta zhveshin këtë projekt nga tendencat e animet pro-serbe – vëren Gashi.

Në fakt, studiuesi në fjalë në analizën e tij, fokusohet vetëm në vëllimin e gjashtë të këtij projekti, në të cilin «…mbulohet periudha e shthurjes së federatës jugosllave», përkatësisht paraqitet periudha më e re e historisë së Kosovës.

Përshkrimi i situatës së krijuar pas suprimimit të autonomisë së 74-tës nga Serbia, diskriminimi në rritje ndaj shqiptarëve, shkelja e të drejtave të tyre, sistemi paralel i udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës, dalja e UÇK-së, shpërthimi i luftës, masakrat, çlirimi, shpallja e pavarësisë së Kosovës etj, etj, sipas Gashit, përmenden fare përciptazi, ose nuk përmenden fare.

«Në kapitullin e parë të këtij vëllimi, «Rënia dhe rindërtimi 1990-1992», të ndarë në katër nënkapituj, Kosova përfshihet vetëm në nënkaptullin e tretë, të titulluar «Shpalljet e pavarësisë». Këtu, shkurt por korrekt, bashkë me tekstin integral, prezentohet vetëm Deklarata Kushtetuese për Republikën e Kosovës në kuadër të Jugosllavisë, e miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 2 korrik 1990.

Nga fundi i hyrjes së kapitullit të dytë «Shpërbërja e Jugosllavisë», përmendet krejt telegrafikisht se në shkurt të vitit 2008 Kosova shpalli pavarësinë nga Sërbia. Askund tjetër në gjithë vëllimin nuk jepet gjë lidhur me shpalljen e pavarësisë, madje as vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për këtë shpallje.

Më tej, te nënkapitulli i parë «Rruga drejt shpërbërjes» jepet krejt sipërfaqësisht represioni sërb ndaj shqiptarëve të Kosovës në fillim të viteve ‘90, duke vënë fokusin vetëm te përjashtimet e shqiptarëve prej vendeve të tyre të punës dhe duke përmendur shkurtimisht “rritjen e dhunës policore dhe diskriminimit në shkolla”. Edhe prezentimi i «sistemit paralel» të Kosovës, që funksionoi gjatë viteve ’90 në një mori fushash, fokusohet vetëm te fusha e arsimit. Nënkapitujt dy, tre dhe katër të këtij kapitulli flasin për luftën në BeH, ndërsa i pesti, «Luftërat 1998-2001», ndalet pothuajse kryekëput te lufta e Kosovës. Këtu thuhet se pas krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) filluan të shtoheshin përplasjet, të cilat bashkë me trysninë e bashkësisë ndërkombëtare, sollën negociatat në Rambouillet të Francës. Nuk përmendet askund se njëri prej faktorëve kryesorë që nxiti përleshjet e armatosura, e më pas edhe trysninë e bashkësisë ndërkombëtare për negociatat në Rambouillet, ishin krimet e forcave policore e ushtarake sërbe e jugosllave ndaj civilëve të pafajshëm shqiptarë.

Tutje në këtë nënkapitull thuhet se sulmet e UÇK-së sollën emigrimin e popullsisë sërbe, gjë që pastaj solli përforcime të forcave policore e ushtarake sërbe e jugosllave, e se më pas në Kosovë filluan të vepronin edhe njësi paraushtarake sërbe, prandaj popullata shqiptare u arratis ose u dëbua në masë. Pra, mënyra se si është hartuar teksti, nënkuptohet se ishin njësitë paraushtarake përgjegjëse për dëbimin e shqiptarëve, e jo forcat policore e ushtarake sërbe e jugosllave» – shkruan ndër të tjera Gashi, në analizën e tij.

Barrën e fajit, për dështimin e këtij projekti, sipas Gashit, assesi nuk e bartin vetëm historianët serbë që janë të përfshirë në këtë projekt. Së pari, ai ia kujton opinionit publik që redaktorë të këtij vëllimi janë profesorët universitarë Christina Koulouri dhe Bozho Repe nga Athina, përkatësisht Lubjana, «ndërsa ndër komisionet e shumta të tij, nga Kosova figuron një anëtar i vetëm te Komisioni i Burimeve, dr. Frashër Demaj nga Instituti i Historisë në Prishtinë.»

Për më shumë ky i fundi: «Duke qenë edhe akademik, Demaj në biografinë e publikuar te uebfaqja zyrtare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës pretendon se është autor i disa kapitujve të këtij publikimi. Ai madje ishte ndër panelistët me rastin e promovimit të këtij projekti të CDRSEEE në Prishtinë. Kjo është mjaft e habitshme, duke qenë se Frashër Demaj është autor i shumë teksteve mësimore të historisë për shkollat fillore e të mesme të Kosovës, të cilat përmbajnë përplot pasaktësi e ekzagjerime nacionaliste.»

Gashi konkludon që në këtë libër të CDRSEE-së, shumë ngjarje të rëndësishme nga periudha më e re e historisë së Kosovës, që përfshinë segmentin kohor 1990 – 2008-të, nuk figurojnë fare. «Duhet shtuar krejt në fund se mënyra si paraqitet historia e re e Kosovës në këtë publikim nuk i kontribuon aspak misionit të pretenduar të CDRSEE-së për tejkalimin e trashëgimisë së dhimbshme të të kaluarës dhe pajtimin afatgjatë mes popujve ballkanikë dhe duhet të ndryshojë urgjentisht mënyra e prezantimit të historisë së re të Kosovës.»/Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet