“Projektet e energjisë në Mesdheun Lindor do të dështojnë pa Turqinë”

“Projektet e energjisë në Mesdheun Lindor që përjashtojnë Turqinë nga ekuacioni i energjisë janë të dënuara të dështojnë”, tha ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar.

Çdo projekt energjetik që vazhdon në Mesdheun Lindor pa pjesëmarrjen e Turqisë është “i dënuar të dështojë”, paralajmëroi sot ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Turqia, si një vend me vijën më të gjatë kontinentale në Mesdheun Lindor, ka të drejta sovrane në zonat e saj detare”, tha Akar gjatë një konference virtuale të organizuar nga Organizata e Trashëgimisë Turke me seli në Washington.

“Aktivitetet e Turqisë të ndërlidhura me hidrokarburet në Mesdheun Lindor bazohen plotësisht në të drejtat e saj legjitime dhe të drejtën ndërkombëtare. Projektet e energjisë në Mesdheun Lindor që përjashtojnë Turqinë nga ekuacioni i energjisë janë të dënuara të dështojnë. Ne besojmë fuqimisht se paqja dhe stabiliteti në rajon mund të arrihet përmes dialogut”, shtoi ai.

Duke folur për Libinë, ku Ankaraja zyrtare po mbështet Qeverinë e Pajtimit Kombëtar (GNA) në Tripoli të njohur nga OKB, Akar tha se ndihma humanitare dhe ushtarake turke do të vazhdojë me vendosmëri.

Nëntorin e kaluar, Turqia dhe Libia nënshkruan pakte të interesit mbi bashkëpunimin ushtarak, si dhe për kufijtë në Mesdhe.

Pakti detar, i cili hyri në fuqi nga 8 dhjetor, thekson të drejtat e Turqisë në Mesdheun Lindor përballë shpimit të njëanshëm nga administrata greke qipriote, duke sqaruar se Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC) gjithashtu ka të drejta për burimet në zonë.

Akar tha se GNA ishte “e detyruar” që në mars të fillojë kundërsulmin ndaj forcave të gjeneralit renegat, Khalifa Haftar, pasi ata vendosën rrethimin në Tripoli, duke shtuar se ata “ndërprenë ujin, energjinë elektrike të Tripolit edhe kur civilët vuanin nga COVID-19”.

“Është ironike të shohësh thirrje për armëpushim pikërisht kur Haftar filloi të humbasë në teren. Përderisa forcat e Haftar filluan të tërhiqeshin nga Tripoli, ata linin pas mina dhe eksplozivëve”, tha ai, duke shtuar se ekipi kundër-eksploziv i Turqisë ka “neutralizuar shumë eksplozivë”.

Ai më tej përsëriti shqetësimin e thellë të Turqisë për zbulimin e 19 varreve masive në zonat e dikurshme të mbajtura nga gjenerali që përfshinin mbetjet mortore të më shumë se 200 njerëzve.

Duke folur për aktivitetet e Turqisë në Siri, Akar vazhdoi të pohojë se “Organizatat terroriste DEASH dhe PKK/YPG shfrytëzuan këtë vakum të fuqisë, së pari DEASH e pastaj YPG, që është dega siriane e PKK-së, u përpoq të krijojë një korridor të terrorit në veri të Sirisë”.

“Ne kemi deklaruar vazhdimisht se nuk do të lejojmë që të krijohet një korridor i terrorit në jug të kufirit tonë,” tha Akar, duke shtuar se “prandaj, ne ishim të detyruar të zhvillonim tre operacione në veri të Sirisë”.

Ministri turk i Mbrojtjes u shpreh se “ashtu si DEASH nuk përfaqëson muslimanët, PKK/YPG nuk përfaqësojnë kurdët”.

“Lufta jonë është vetëm me terroristët dhe jo me ndonjë grup etnik”, tha ai.

Kategoritë
BotaLajme