Projektet e BE-së, të (pa)zbatueshme në Kosovë

Në Samitin e Ballkanit Perëndimor që u mbajt në Trieste të Italisë,  u premtuan shuma të mëdha të parave që do të investohen në Ballkanin Perëndimor përmes projekteve konkrete, me theks të veçantë në transport, energji dhe sipërmarrje të vogla e të mesme, shkruan Gazeta e Re.

Në samit u tha se vendet e Ballkanit Perëndimor do të ndërlidhen me ligjet  e Bashkimit Evropian dhe se do të forcohen edhe raportet ekonomike. Po ashtu, u tha se përmes projekteve të BE-së, në rajon do të do të hapen rreth 80.000 vende të reja pune. Edhe Kosova ishte pjesëmarrëse në këtë samit, por mbetet pikëpyetje nëse përfitimet ekonomike për vendin tonë do të jenë të mëdha, ani pse është pjesë e këtij rajoni.

Nënkryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Muhamet Ymeri, thotë se ka disa faktorë që do t’i tkurrnin mundësitë për të përfituar nga projektet e dala nga samiti. Pika e parë, sipas tij, është marrja e vendimeve për investime strategjike nga ana e kompanive kosovare që kanë kapacitet për eksport.

Probleme tjera aktuale,  sipas Ymerit janë gjendja politike, ekonomike dhe me theks të veçantë ajo financiare në vend, si dhe dominimi total  i shteteve fqinje dhe të BE-së në tregun regjional.

“Kur them gjendje financiare, kam fjalën në potencialin financiar të bankave komerciale në vendin tonë, si dhe procedurave tejet burokratike të EBRD-së. Projekti për përgatitjen e kompanive tona për t’i bërë ballë konkurrencës, si në tregun e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm, nuk mund të bazohet në këtë potencial financiar që kemi tani në vendin tonë. Më konkretisht, është e paimagjinueshme të hyhet në projekte të tilla siç janë investimet me kapacitete përpunuese, ku kryegjënë (principali i kredisë pa interesa) fillon ta kthesh pa e kyçur makinën, lëri më interesat e larta. Unë them se deshëm apo nuk deshëm, duhet një unifikim i pashmangshëm gjithëshqiptar në aspektin ekonomik. Vetëm kjo do të na shpëtonte deri diku, kur dihet se këtyre erërave integruese është vështirë t’u shpëtohet pa pasoja”, thotë Ymeri për Gazeta e Re.

Edhe ligjëruesi universitar në fushën e ekonomisë Berat Rukiqi, konsideron se jostabiliteti politik në Kosovë shkakton vonesa edhe në zbatimin e projekteve të financuara nga fondet ndërkombëtare. Megjithatë, sipas tij, projektet destinuara nga BE-ja për Ballkanin Perëndimor do të kenë ndikim pozitiv në zhvillimin e ekonomisë.

“Projektet janë të mirëseardhura, sidomos ato që e lidhin Kosovën me rrjetet e rëndësishme rrugore dhe hekurudhore ndërkombëtare. Këto projekte mund të kenë impakt zhvillimor, vetëm nëse në orientohemi në rritje të aftësisë konkurruese të sektorit privat dhe ndërmarrjeve që kanë potencial për eksport. Në të kundërtën infrastruktura do të ekzistojë, e në anën tjetër ne nuk do të mund ta shfrytëzojmë”, shprehet Rukiqi.

Në anën tjetër, ekonomisti Zekirja Shabani thotë se zbatimi i projekteve rajonale përveç stabilitetit politik, kërkon edhe një infrastrukturë përcjellëse ligjore e logjistike të cilën, sipas tij, tani nuk duket se mund ta ofrojë Kosova për projekte të mëdha zhvillimore.

“Kjo varet shumë edhe nga natyra e investimeve që planifikohen të bëhen dhe kërkesat e shteteve. Institucionet e vendit duhet të orientojnë politikat nacionale në krijimin e një ambienti më të favorshëm për bizneset duke pasur në prioritet prodhimin dhe shërbimet, ku mund të thithen më shumë investime dhe të krijohen rritje zinxhirore. Në këtë fazë, nuk pres që Kosova do të përfitoj shumë nga projekte të reja zhvillimore, por bashkë me shtetet e rajonit në të ardhmen mund të qaset më lehtë në burime të financimit për projekte të përbashkëta. Megjithatë duhet të kihet parasysh se diskutimet në Trieste dhe plani që pritet të zbatohet nuk është diçka shumë e re për Kosovën dhe vendet e rajonit”, potencon Shabani.

Ai thekson se me krijimin e një hapësire ekonomike atraktive për investime në një treg 20 milionësh, Kosova duhet të angazhohet të përfitojë nga këto mundësi dhe të jetë konkurruese me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Në fund të këtij viti parashihet që të organizohet një konferencë donatorësh nga ku Kosova mund të përfitoj qoftë investime direkte për projekte të caktuara apo asistencë teknike për përmirësimin e katër shtyllave që parashihen në marrëveshjen e re të propozuar në Trieste, tregtinë, investimet, mobilitetin dhe teknologjinë”, përfundon Shabani.

Edhe Komisionari Evropian në Trieste theksoi se zhvillimi ekonomik është i mundur vetëm nëse funksionon shteti juridik. Kjo sepse, sipas tij, askush nuk do të investojë para në rajon nëse nuk funksionojnë si duhet organet juridike. Po ashtu, Hahn tha se konflikti i hapur në vendet e Ballkanit nuk do të jetë problem ngase qëllimi i BE-së është që t’i t’i bashkojnë të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor së bashku, pavarësisht nivelit që kanë arritur në procesin e anëtarësimit të ardhshëm në BE. Kështu, sipas Hahnit, krijohet edhe baza për zgjidhjen konflikteve.

Ndryshe, Samiti i Ballkanit Perëndimor 2017 u mbajt në kuadër të “Procesit të Berlinit” që ishte një iniciativë për bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor. Samiti i parë i këtij procesi u mbajt në Berlin në vitin 2014, i dyti në Vjenë në 2015 dhe i treti në Paris në vitin 2016./Arbenita Bungu/ Gazeta e Re/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet