ProCredit Bank shkel të drejtat e klientëve, përcakton shumën e kredisë së tyre

Banka komerciale ProCredit në Kosovë, nuk lëshon kredi nën shumën 10 mijë euro për klientët e saj, këtë kriter që po konsiderohet diskriminues, kjo bankë e ka vendosur tash e tre muaj. Ajo që po konsiderohet edhe më absurd, në ProCredit Bank për të marrë kredi, duhet që kredi marrësi që është klient të ketë pagën më të lartë se 500 euro.

Një klientë i kësaj banke, që është emër i njohur për redaksinë ka thënë KosovaPress, se së fundmi kishte shprehur interes të marr një kredi 7 mijë e 500 euro në ProCredit Bank, por analisti i kredive në këtë bankë i kishte thënë se që nga 1 maj i këtij viti nuk japin kredi më të vogël se 10 mijë euro dhe me pagë më të ulët se 500 euro.

Ai ka shtuar se nuk kishin marr asnjë njoftim nga banka për këto kushte.

Zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila është mbikëqyrëse e bankave komerciale në Kosovës, kanë thënë shkurt për KosovaPress se kjo çështje i takon natyrës operative si dhe planeve, dhe politikave biznesore të bankës. Ndërsa, në bankën ProCredit heshtin për këtë veprim.

Njohës të çështjeve bankare po e vlerësojnë si shkelje të rëndë veprimin bankës, kërkojnë të merren masa.

Profesori në fakultetin ekonomik në UP, Nagip Skenderi për KosovaPress thotë se me këtë veprim banka shkel të drejtat e konsumatorit, respektivisht të drejtat e klientëve.

Sipas tij, Banka Qendrore e Kosovës duhet ta kontrollojë këtë bankë dhe ta ketë një mbikëqyrje të fortë, që mos të lejojë të bëhen manipulime dhe diskriminime ndaj atyre që kanë nevojë që të përmirësojnë sado pak standardin e tyre social.

“Kushtëzimet ata që i bëjnë që nën 10 mijë euro të mos jepet kredia dhe paga të jetë 500 euro e sipër, unë konsideroj që janë një nga kushtet elementare të cilat diskriminohen, respektivisht shkelen të drejtat e konsumatorëve dhe klientelës në tërësi pavarësisht se sa vjet ka përvojë klienti në atë bankë. Ndodhë që klienti i ka të ardhurat e veta 300-350 euro dhe është qe 20 vite anëtarë i bankës dhe tash i kushtëzohet një hap i tillë. Prandaj, në këtë kontekst mendoj që një disproporcion i madh i cili ekziston në mes të depozitave dhe huamarrjeve nga nivelet e bankave të dyta dhe të pa kontrolluara nga I niveli i bankës së parë ose Banka Qendrore e Kosovës kanë ardhur edhe deri te këto mos harmonizime dhe kushtëzime”, thotë Skenderi.

Ai shton, se derisa kjo bankë përfiton nga këta klient, nuk duhet t’i kufizojë me shërbime.

Edhe analisti i ekonomisë, Jakup Bellaq shpjegon për KosovaPress se nuk është  normale që një bankë të përfitojë nga klientët individual me shërbime të ndryshme e të shtrenjta dhe t’i kufizojë ata për të mos i dhënë kredi.

Analisti Bellaq kërkon nga BQK që të ndërhyjë me rolin e saj mbikëqyrës ndaj bankës komerciale ProCredit Bank për të mos lejuar shkelje të tilla.

“Ky është diskriminim, diskriminon klientët e vet, qytetarët e Kosovës dhe Banka Qendror e Kosovës si rregullator duhet me intervenuar. Aktivitetin kjo bankë duhet të zhvilloj fer dhe në mënyrë jo diskriminuese… Këto që janë duke u zhvilluar janë të papranueshme dhe nuk duhet lejuar, sepse i ka seleksionuar në mënyrë diskriminuese këto gjëra, e që s’duhet me u lejuar, sepse i shkelë klientët e vet… ProCredit Bank është mbi tregun, që është e pa pranueshme dhe jashtë pikës ekulibruese të tregut”, deklaron ai.

Zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila është mbikëqyrëse e bankave komerciale në Kosovës, kanë thënë shkurt për KosovaPress se për kjo çështje i takon natyrës operative si dhe planeve, dhe politikave biznesore të bankës.

Zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti ka thënë se për këtë duhet drejtuar te banka komerciale në fjalë, sepse kjo çështje nuk i takon BQK-së.

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija ka arsyetuar veprimin e bankës.

“Megjithatë secila bankë në Kosovë, ashtu sikurse edhe çdo biznes tjetër në Kosovë ofron shërbimet dhe produktet e tyre mbi bazën e strategjisë afariste individuale të tyre, duke i përshtatur ato me kërkesat dhe nevojat e klientëve. Rrjedhimisht secili qytetare mund te vendos lirshëm mbi ofertën me te mire ne treg”, ka thënë Balija.

Nuk duhet harruar se kryetar i bordit të kësaj shoqate është Ilir Aliu, i cili është edhe drejtor i ProCredit Bank.

Ndërsa, zyrtarë të kësaj banke nuk janë përgjigjur fare për KosovaPress.

Kategoritë
EkonomiLajmeVendi

Të ngjajshmet